Një sy mbyllur për studentët e Luginës!

    Universiteti i Tetovës/Fotografia:Nistori

    Studentët e huaj e sidomos ata shqiptar nga Lugina e Preshevës, të cilët studiojnë në Shkup përballen me problematika të llojllojshme në Maqedoninë e Veriut. Duke filluar nga leja e qëndrimit, sigurimi i banimit dhe procedurat burokratike. Kohëve të fundit një lehtësim i vogël ka ardhur si pasoj e disa marrëveshjeve mes Maqedonisë dhe Serbisë, por ende të pamjaftueshme për ta lehtësuar plotësisht jetën e studentëve nga Lugina e Preshevës të cilët kanë zgjedhur Shkupin për të studiuar.

    Studentët nga Lugina e Preshevës thonë se të drejtat e munguara gjithmonë çojnë në revoltë ose organizim të grupacioneve siç edhe studentët kanë vepruar çdoherë me formimin e unioneve të tyre në mbështetje të njëri tjetrit.

    Nga Unioni Studentor i Luginës së Preshevës në Maqedoninë e Veriut, thanë për gazetën Koha se iniciativa për aktivizimin e Unioneve Studentore ka filluar që nga koha kur studentët kanë identifikuar rëndësinë e përfaqësimit formal të interesave të tyre dhe për të ndikuar në politikat e arsimit.  

    “Unione Studentore janë formuar për të përfaqësuar studentët dhe për të luftuar për të drejtat dhe interesat e tyre. Njëra ndër pikënisjet ka qenë problemi me lejeqëndrimet në vitet 2012/2013 kur studentët tanë kishin probleme dhe ndalesa në kufi, shkak i mospajisjes me lejeqëndrim, procedurë e cila në fillim ishte e panjohur dhe e kushtueshme. Do me thënë unioni është formuar për të zgjidhur problematikat, mirëpo ne jemi marrë gjithmonë edhe me edukimin jo formal të studentëve e që më pas ka pasur aktivitete të ndryshme për gjatë viteve” theksuan nga Unioni.

    Ndryshe, rezultati na tregon se studentët e luginës paguajnë tarifa shume më të larta semestrale sesa shtetasit e vendit në universitetet publike. Sa jemi tek diskriminimet ne tarifa, studentët e Luginës së Preshevës thanë se edhe banimi në konviktet shtetërore për ta, është dyfish më i kushtueshëm sesa për studentët vendas.

    Nga ana tjetër, Marigona Asllani nga Unioni Studentor i Luginës së Preshevës në Maqedoninë e Veriut, deklaroi për gazetën Koha se studentëve të luginës nuk i’u mundësohet punësimi gjatë studimeve ashtu siç u mundësohet studentëve tjerë, madje institucionet as nuk u përgjigjen mesazheve nga unioni apo studentët.

    “Jemi dëshmitarë se shumë kolegë tanë shtetas të RMV-së kanë të drejtën e punësimit me orare të shkurtuar gjatë studimeve, ku me të ardhurat që gjenerojnë mbulojnë shpenzimet e tyre të studimeve. Neve kjo nuk na mundësohet nga shteti i Maqedonisë pasi që me lejeqëndrimin si studente, nuk na lejohet e drejta e punës këtu. Rrjedhimisht nuk na mundësohet gjenerimi i të ardhurave financiare me të cilat sadopak do zbusnim barrën e familjeve tona për edukimin tonë jashtë shtetit, gjë që duke pasur në konsideratë se gjithçka duhet paguar, nuk është aspak e lehtë për një familje mesatare luginas”, tha Asllani.

    Ajo shtoi se institucionet e vendit ende nuk dëgjojnë zërin e studentëve të luginës për shkak se shumë institucione nuk ndajnë kohë, apo si marrin aspak në konsideratë kërkesat për takime apo bisedime që për zgjidhje dhe lehtësim.

    Ndër të tjera, vlen të cekët se Universitetet publike, siç është Universiteti i Tetovës dhe Nënë Tereza, nuk parashohin në programin e tyre kuota apo bursa për studentët nga Lugina e Preshevës. Dhe kjo është një nga arsyet që këta student i’a mësyjnë universiteteve private që ofrojnë bursa studimi deri në 100 për qind.

    Lajmi Paraprak

    Infrastruktura, kryefjala e pushteteve lokale

    Lajmi i rradhës

    Qendrat pranojnë 70 fëmijë, të tjerët në rrugë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë