KOMPENSIMET E FSHEHTA TË BANKAVE | Provizionet, pak nga pak bëhen shumë

    Për vite me radhë, konsumatorët në Maqedoninë e Veriut ankohen për kompensimet e larta që ju paguajnë bankave si dhe për harxhimet e fshehta bankare. Shfrytëzuesit e shërbimeve të ndryshme bankiere thonë se shpesh nuk e kanë të qartë deri në fund apo plotësisht se si dhe sa paguajnë për shërbime të caktuara, për harxhimet mujore, për lartësinë e provizioneve të ndryshme, pagesën e mëhershme të kredive, dhe shumë të tjera. Në fakt, bankat ofrojnë një asortiment të gjerë të shërbimeve që nënkupton edhe numër të madh të kompensimeve që ju paguajnë klientëve. Shpesh këto pagesa janë vështirë të dukshme dhe të qarta për konsumatorin e fundit, andaj edhe bë mënyrë të popullarizuar të quhen “harxhime të fshehta”.

    Shumat e kompensimeve që shprehen me përqindje paraqesin harxhim ndoshta jo të madh në shikim të parë, mirëpo kur paguhen në mënyrë të vazhdueshme dhe për çdo muaj, atëherë në një interval kohor prej një viti dhe më shumë – do të mblidhet një shumë e rëndësishme e kompensimeve të ndryshme të paguara për shërbimet e ndryshme të bankave. Së fundmi nga ekzekutivi thonë se do të shqyrtohet Ligji i bankave lidhur me provizionet dhe harxhimet e fshehura. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, kohë më parë u bëri thirrje të gjithë deputetëve të shqyrtojnë Ligjin për bankat në pjesën e provizioneve dhe përmes një debati publik në Parlament të përcaktohet sa e mundet të intervenohet në raport me lartësinë e shumës absolute të profitit të bankave që vjen nga të ardhurat jashtë kamatave.

    Nga Ministria e Financave thonë se liberalizimi i tregut financiar, me hyrjen e ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave, shërbimet e reja të pagesave, si dhe uljen e kompensimit të transaksioneve, janë pjesë e risive që do të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe kompanive nga data 1 janar të vitit 2023. Kjo mundësohet me miratimin e Ligjit për shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, i përpiluar nga Ministria e Financave dhe hyn në fuqi në datë 20 prill të vitit 2022.

    Ligji i ri, që është harmonizimi i legjislacionit vendas me direktivat e BE-së në fushën e shërbimeve të pagesave, siguron sistem të pagesave të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas në Republikën e Maqedonisë së Veriut, tërësisht kompatibil me sistemet e pagesave të vendeve anëtare të BE-së. Me liberalizimin e tregut, përveç bankave, të cilat deri më tani kishin monopol në ofrimin e shërbimeve të pagesave, në treg mundësohet që të shfaqen edhe institucionet e pagesave, përkatësisht shoqëritë tregtare që do të ofrojnë shërbime të pagesave në bazë të lejes nga Banka Popullore. Shërbimet e reja që do të jenë në dispozicion, përfshijnë shërbime për inicimin e pagesave dhe shërbimeve lidhur me ofrimin e informacioneve për llogaritë e pagesave. Konkretisht, shërbimi për inicimin e pagesave do t’u mundësojë shfrytëzuesve të iniciojnë transaksione për pagesë përmes Internetit ose aplikacioneve celulare duke shfrytëzuar llogaritë e tyre bankare përmes ofruesit të shërbimeve për inicimin e pagesave.

    Me këtë Ligj, vëmendje e veçantë do të përkushtohet mbrojtjes së konsumatorëve, me ç’rast vendosen informacione të detyrueshme para kontraktuese dhe kontraktuese, që ofruesit e shërbimeve të pagesave janë të detyruar për t’i dhënë konsumatorit, me qëllim që ky i fundit të jetë në gjendje të bëjë zgjidhjen dhe vendimin e duhur nëse duhet ta pranojë shfrytëzimin e shërbimeve nga ofruesi në fjalë.

    Gjithashtu, informacionet lidhur me kompensimet që arkëtohen për transaksionet e pagesave, shërbimin e shitësit dhe të ngjashme do të bëhen publike. Qytetarët do të kenë mundësi për të transferuar falas llogarinë e pagesave nga një ofrues i shërbimit te një ofrues tjetër. Për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve (shfrytëzuesit e të drejtave ligjore) vendosen shërbime falas, përkatësisht nuk do të arkëtohet kompensim për të paktën pesë transaksione të cilat shlyhen brenda ofruesit të shërbimeve të pagesave në nivel mujor. Si risi e rëndësishme në këtë ligj është përkufizimi i vlerës së kompensimit të zëvendësimit i cili përllogaritet dhe paguhet në çdo transaksion të pagesës në bazë të kartelës së pagesës, gjegjësisht kompensimi mesatar aktual prej 1.21 për qind që e arkëtojnë nga tregtarët, do të ulet në 1 për qind nga vlera e transaksionit të pagesës më datë 1 tetor të këtij viti dhe gradualisht do të ulet deri në 0.2 për qind në vitin 2025. Po ashtu, llogaritë e pagesës tek të cilat 24 muaj nuk ka asnjë fluks hyrës ose dalës dhe llogaritë depozituese ku për 10 vite nuk është realizuar asnjë komunikim me pronarin e llogarisë do të trajtohen si llogari joaktive, me ç’rast ofruesi i llogarive të pagesës nuk lejohet ta zvogëlojë vlerën e mjeteve financiare në këto llogari për shkak të përllogaritjes dhe arkëtimit të çfarëdolloj kompensimi.

    Me këtë ligj do të vendoset Regjistri i vetëm i llogarive i cili do të udhëhiqet dhe posedohet nga Regjistri Qendror, ku do të udhëhiqen llogaritë e pagesës, llogaritë depozituese dhe llogaritë e tjera në denarë dhe deviza, si dhe kasafortat.

    Eksperti ekonomik Neritan Turkeshi thotë se ulja e margjinës së kamatës apo dallimit të kamatave për ruajtjen e të hollave dhe atyre që jepen për kredi të reja mund të ulen nën presionin e një cikli investues më të madh të bankave, rritjes së stabilitetit politik, e kështu me radhë.“Duhet të dimë se përskaj eksportit, konsumi i popullatës përbën një aktivitet shumë të rëndësishëm ekonomik që mbështet ekonominë vendore. Gjatë uljes së kompensimeve duhet pasur parasysh, balancimin midis interesit të popullatës në radhë të parë së bashku me biznesin të cilit i nevojitet periudha më të gjata të kthimit të kredive për investime me kosto më të ulët , dhe bankave që patjetër se duhet të jenë stabile dhe të fuqishme për një ekonomi si e jona, aq e varur si nga kreditimi i popullatës për kredi konsumatore dhe banesore ashtu edhe për kreditë e biznesit”, shton Turkeshi. Ai thekson se ndoshta në të ardhmen me stabilizimin e ekonomisë, mund të mendohet edhe për tatimin më të lartë ndaj bankave.

    Në ndërkohë, fitimet që arrijnë shifra rekorde ka shënuar sistemi bankier i Maqedonisë. Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore tregojnë se në vitin e kaluar, 13 bankat në vend shënojnë fitim prej afër 150 milionë euro që është për 32 milionë euro më shumë në raport me vitin 2020 kur ato kanë shënuar fitim prej 118 milionë euro. Trendin e rritjes së fitimit të bankave e tregojnë edhe fitimi prej 102 milionë euro në vitin 2016 dhe 106 milionë euro në vitin 2017.

    Ndonëse një vit i vështirë rikuperimi, sidomos për biznesin e vogël dhe të mesëm, për shkak të efekteve që pandemia ka krijuar në ekonomi dhe aftësinë paguese të kredimarrësve, sistemi bankier po shënon trende pozitive. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se vetëm nga kamatat dhe kompensimet që paguhen për shërbimet e ndryshme të bankave, ato në vitin e kaluar kanë paguar afër 450 milionë euro nga qytetarët dhe bizneset. Ngjashëm si në vitet e kaluara, të ardhurat më të mëdha vijnë nga neto të ardhurat e kamatave apo nga shpenzimet dhe të ardhurat nga kamatat. Me fjalë të tjera nga dallimi midis kamatave të kredive dhe kamatave për ruajtjen e të hollave në banka, ato kanë fituar 255 milionë euro apo 10 milionë euro më shumë se në vitin paraprak.

    Të ardhura të mëdha po realizohen edhe nga kompensimet e ndryshme bankare me 91 milionë euro në vitin 2021, nga dallimet e kursit të devizave me 19 milionë euro dhe nga veprimtaritë e tjera janë arkëtuar afër 65 milionë euro. 

    Lajmi Paraprak

    ShBA: Jo dhunë në protestat e organizuara në Shkup!

    Lajmi i rradhës

    Neziri: Protestat nga dita e parë ishin të mbushura me mllef kundër shqiptarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë