“Korniza negociuese për Maqedoninë nuk është miratuar për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes me Bullgarinë”

    Kryeministri bullgar Kiril Petkov përsëriti se për të, Kuvendi është instanca e fundit e zgjidhjes së mundshme të mosmarrëveshjes me Shkupin, pasi dje presidenti Rumen Radev paralajmëroi thirrjen e mundshme të referendumit për këtë temë.

    Petkov nuk iu përgjigj akuzave të ministres së Jashtme Teodora Gençovska se Qeveria po zhvillon negociata paralele, por theksoi se nuk do të devijojë nga qëndrimi i Kornizës tashmë të miratuar.

    “Sa i përket planit francez, të cilin nuk e kam parë bardh e zi, mund të them se jemi gjithmonë të hapur dhe të gatshëm të bisedojmë me të gjithë partnerët evropianë nëse kanë ndonjë propozim që ka kuptim. Por do të ritheksoj se ato duhet të jenë në përputhje me qëndrimin Kornizë të Bullgarisë dhe çfarëdo që bëhet do të duhet të kalojë në Parlament”, tha Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.

    Pikërisht qëndrimi Kornizë është dokument i diskutueshëm për autoritetet maqedonase, sepse kërkon përmbushjen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, por edhe shënimin e gjuhës maqedonase me fusnotë, si dialekt i bullgarishtes deri në vitin 1944.

    Dush i ftohtë për integrimin erdhi edhe nga Partia Popullore Evropiane. Edhe pse mbështet fillimin e negociatave, familja më e madhe politike në Evropë ka drejtuar gishtin kah Shkupi. Në rezolutën e fundit të PPE thuhet se korniza negociuese për Maqedoninë nuk është miratuar për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes me Bullgarinë.

    “U bëjmë thirrje të dyja palëve dhe BE-së të arrijnë një udhërrëfyes të pranueshëm reciprokisht që mund të garantojë me mirëbesim zbatimin e marrëveshjes dypalëshe. Ne i inkurajojmë fuqimisht shoqërinë civile dhe institucionet qeveritare që të ndërmarrin masat e duhura për pajtimin historik: të kapërcehen ndarjet midis grupeve të ndryshme etnike dhe kombëtare, duke përfshirë qytetarë me identitet dhe origjinë bullgare”, thonë nga PPE.

    Edhe pse pesimizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes deri në Samitin e BE-së, të planifikuar për më 23 qershor rritet, nga Ministria e Jashtme thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me homologët e tyre bullgarë për të tejkaluar mosmarrëveshjet gjatë europresidencës franceze. Megjithatë, nga MPJ-ja nuk ka përgjigje konkrete se kur do të takohen në Shkup ekipet që negociojnë për çështje të hapura politike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Banorët e fshatrave në malin Jabllanicë afër Strugës protestojnë ndaj prerjes së pyjeve

    Lajmi i rradhës

    Violeta nga Gjevgjelia u regjistrua si shqiptare, kërcënohet me thikë nga komshiu (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë