Kosovë, përfundon protesta e veteranëve për pensionet

    Pamje nga protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Kuvendit të Kosovës. 6 qershor 2022. /Fotografia: Bujar Terstena (RFE/RL)

    Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u larguan të hënën nga oborri i Kuvendit të Kosovës, pasi dështoi për mungesë kuorumi votimi i paraparë për projektligjin për pagën minimale. Kundër votimit ishin deputetët opozitarë.

    Protesta e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK) është mbajtur në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.

    Derisa ishin duke protestuar, disa nga protestuesit kishin hyrë në oborrin e Kuvendit.

    Para dyerve të këtij institucioni kishte dalë Policia e Kosovës, e cila përdori sprej në drejtim të protestuesve.

    Sipas Policisë, dy zyrtarë policorë janë lënduar në protesta dhe një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të gazit lotsjellës në ato ambiente.

    Megjithatë, Policia e Kosovës ka thënë nëpërmjet një deklarate se nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

    Sipas këtij institucioni, dyshohet që lloji i gazit është hedhur nga protestuesit.

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kërkesat e tyre janë injoruar nga institucionet e Kosovës.

    “Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe jemi detyruar që pakënaqësitë tona t’i shprehim në protestë”.

    Pas dështimit të votimit të projektligjit në Kuvend, Klinaku tha se “kjo sot ishte paralajmërim që herave tjera ne do t’i bllokojmë e nuk do t’i lëmë të hyjnë as brenda”.

    Sipas Ligjit për veteranët, shuma e pensionit të veteranit të UÇK-së nuk mund të jetë më e vogël sesa paga minimale e përcaktuar me ligj në Kosovë, e që është prej 130 deri 170 euro, varësisht moshës.

    Sipas të njëjtit ligj, pensioni i veteranit është prej 120 deri 250 euro, varësisht prej kategorisë.

    Në kategorinë e parë është veterani i angazhuar nga viti 1991 deri më 5 mars 1998.

    Kategoria e dytë është veterani i angazhuar pas datës 5 mars 1998, dhe kategoria e tretë është ai i mobilizuar pas datës 31 mars 1999.

    Megjithatë, në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të pagës (Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore) nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.

    Projketligji parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, në atë mënyrë që “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit luftëtar të UÇK-së, Qeveria e
    Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual”.

    Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

    Kusari- Lila: Pakënaqësitë e veteranëve janë akumuluar ndër vite

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se pakënaqësitë e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë akumuluar ndër vite, mirëpo tani po gjejnë hapësirë për të protestuar, pavarësisht angazhimeve dhe propozimeve të Qeverisë.

    Ajo ka deklaruar se Qeveria do t’i trajtojë të gjitha kategoritë, ashtu siç parashihet me ligj.

    “Megjithatë, unë e di se secili veteran, i cili ka luftuar, nuk e dëmton vendin, gjegjësisht as ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, apo t’i shkaktojë dëme dikujt tjetër”, ka thënë ajo pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

    Sipas saj, “është e vërtetë se ka një deformim ndër vite në listat e veteranëve”, dhe që kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet.

    “Të gjithë veteranët e mirëfilltë meritojnë trajtim shumë më dinjitoz sesa që e kanë pasur deri më tani. Por, besoj se edhe në këtë pikë do të arrijmë te zgjidhja dhe përmirësimi i kushteve për të gjithë. Megjithatë, periudha kohore ka pamundësuar deri më tash, është një vit i qeverisjes, dhe do të duhet edhe kohë, edhe planifikim, e natyrisht edhe rivlerësim i situatave dhe rrethanave që janë krijuar deri më tani”, ka thënë ndër tjerash ajo.

    Disa deputetë të PDK-së dalin në oborrin e Kuvendit

    Derisa po mbahej protesta, në oborrin e Kuvendit të Kosovës kanë dalë disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK): Rashit Qalaj, Ganimete Musliu, Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku.

    Ganimete Musliu ka thënë se protesta e veteranëve është e drejtë dhe se ajo bashkëndjen me ta.

    “Protesta e tyre është shumë e drejtë, është protestë paqësore. Unë jam me ta dhe bashkëndiej me ta. [Veteranët] po protestojnë për dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur. Unë sot ndiej keqardhje që i shoh në këtë gjendje. Jam këtu thjesht të bashkëndiej me ta”, ka thënë Musliu.

    Hajdar Beqa ka thënë se do të kërkojë nga ministria përkatëse që ta tërheqë projektligjin [për pagën minimale].

    Ndërsa, sipas Bekim Haxhiut, projektligji është diskriminues dhe se ai me deputetë të tjerë nuk do të lejojnë që të kalojë në Kuvend.

    ”Do të vazhdojmë ta mbështesim kërkesën tuaj dhe ky projektligj diskriminues nuk do të lejohet të kalojë në Kuvend. Qeveria të kthjellet dhe ta tërheqë këtë projektligj diskriminues”, është shprehur Haxhiu.

    Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

    Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

    Lajmi Paraprak

    Reagon Mickoski: Nga sot Kodi Etik i deputetëve nuk ekziston

    Lajmi i rradhës

    Sërish shtrenjtohen derivatet e naftës në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë