Kovaçevski-Kurti: Marrëdhëniet dypalëshe me Kosovën avancohen në interes të qytetarëve të vendeve

    Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës po avancohen duke e ruajtur miqësinë dhe afërsinë mes dy vendeve dhe fokusimin në arritjen e interesave të qytetarëve në të dyja vendet, gjë që u konfirmua edhe me mbajtjen e seancës së përbashkët në Qeveri në shtator të vitit të kaluar, theksuan kryeministrja Dimitar Kovaçevski dhe Albin Kurti, të cilët u takuan në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih.

    Kryeministri Kurti e uroi homologun Kovaçevski për detyrën e re dhe i dëshiroi udhëheqje të suksesshme të qeverisë, duke i ofruar bashkëpunim të ngushtë. Në këtë takim të parë bilateral, kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Kovaçevski për të arriturat e vitit të parë të qeverisjes së tij. Në vitin 2021, Kosova ka shënuar rritje dyshifrore ekonomike, eksportet dhe investimet e huaja janë rritur për 2/3-tat, kurse të hyrat buxhetore dhe qarkullimi vjetor i bizneseve për 1/3-tat. Si rezultat i luftës së vazhdueshme të krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende në indeksin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit. Në të njëjtën kohë, nga vendi i fundit në rajon për nga përqindja e popullatës së vaksinuar kundër COVID-19, Kosova sot renditet në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor.

    Në shtatorin e vitit të kaluar është mbajtur mbledhja e parë e përbashkët në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo mbledhje ishte konfirmim i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të mirë në mes dy vendeve. Gjatë takimit të sotëm u diskutua mbi statusin dhe progresin e marrëveshjeve dhe memorandumeve të nënshkruara gjatë mbledhjes së përbashkët. Muajin tjetër bëhen gjashtë muaj nga mbledhja e përbashkët, dhe me këtë rast pritet të bëhen vlerësimet e para të progresit dhe zbatimit të marrëveshjes nga dy zyrat respektive, theksoi kryeministri Kurti.

    Lajmi Paraprak

    MOS U JEPNI PARA FËMIJËVE LYPËS – Shteti është i detyruar ta zgjidhë këtë problem

    Lajmi i rradhës

    Kulti i imazheve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë