Ku mbeti përgjegjësia morale për skandalin në Onkologji ?!

    Tre ditë pas arrestimit të dy drejtorëve dhe tre onkologëve askush nuk jep përgjegjësi morale. As drejtoria aktuale e Klinikës së Onkologjisë dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk doli të ngritë një procedurë disiplinore ndaj tre onkologëve Meri Peshevska, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të cilët u kthyen në punë sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Madje rehatinë nuk ua prishi askush, të paktën për arsye etike, dhe janë kthyer në punë sekretarja Elena Gjonova, shoferi Spiro Dameski dhe infermierja Sllavica Spasovska të cilët gjithashtu u morën në pyetje. Edhe pse ndiqen penalisht, përveç ish-drejtorëve Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, të gjithë të tjerët punojnë. Reagime të shumta pati në opinion nga familjarët të cilët kanë humbur të afërmit e tyre dhe tani dyshojnë që jetën ua morën doktorët dhe jo kanceri. Reagime kishte në rrjetet sociale edhe nga vetë doktorët e reparteve të tjera.

    “Çfarë bën Fondi Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë për kaq vite ndërsa drejtori i Onkologjisë bëri miliona shpërdorime. Ata kanë një sërë inspektimesh. Ose ishin të lidhur ose krejtësisht analfabetë, nuk dinë çfarë të kontrollojnë?!”, tha Stojka Nakevska, Mjeke në Klinikë.

    “Ajo që ndodhi në Onkologji është e tmerrshme. Dhe besoj se të gjithë me mantel të bardhë këto ditë kanë një shije të hidhur, veçanërisht sepse të gjithë mjekët këto ditë janë subjekt i sulmeve dhe ofendimeve të pamerituara në internet”, u shpreh Niko Beqarovski, mjek.

    “Sa duhet të jetë njeriu i keq që të vjedhë shpresën e fundit në ditët që janë të numëruara! Mantel bardhët janë nën sulm, të mos i vendosim të gjitha në të njëjtën kosh”, tha Nenad Lazarov, mjek.

    Ndërkohë në Klinikën e Onkologjisë korridoret vazhdojnë të jenë përplot me pacientë, të cilët marrinë terapitë dhe trajtimet kundër kancerit. Në fytyrat e tyre përveç dhimbjes ndjehet dhe frika!

    “Atë që mund të na ndihmojnë, bëhet! Presim ndihmë, aq sa mund të na ndihmojë! Turma është e madhe, nuk di përse qendrat rajonale nuk hapen në qytetet tjera, e gjithë Maqedonia vjen këtu! Ky është problemi më i madhi që duhet patjetër të zgjidhet”, u shpreh një pacient.

    “E kam shumë vështirë, disa vite vija me bashkëshortin tim me veturë. Tani vijë vetë me taxi. Sot më thanë se do të më bëjnë ‘pet-scan’ se nuk më dalin mirë markerët dhe rregullisht marr kimioterapi”, tha një tjetër pacient.

    “Gjithçka është mirë deri më tani, nuk ka asnjë spekulim. Momentalisht është mirë! Dëgjuam se çfarë ka ndodhur por ajo paska qenë më herët, sigurisht ashtu!”, tha një pacient.

    5 persona dyshohen se kanë përfituar rreth 1,8 miliard denarë apo rreth 29,5 milion euro për këto vite që është hetuar rasti në Kliniken e Onkologjisë. Kjo nënkupton se për 6 vite, dëmi ka arritur në vlerën e një buxheti vjetor të Onkologjisë vetëm për terapitë. Në periudhën 2017-2022 drejtorët në bashkëpunim me doktorët kanë shkruar dy fish më shumë terapi të shtrenjta në emër të pacientëve me kancer. Tërheqja e pakontrolluar e ilaçeve jetike nga farmacia e klinikës ka krijuar një boshllëk financiar në Fondin Shëndetësor, por edhe shumë pacientë thuhet se kanë mbetur pa marrë terapitë përkatëse. Akoma nuk është vërtetuar ku janë shitur ato, por që në treg të zi një dozë mujore kushton 4-5 mijë euro. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Sveçla: Janë mbyllur tri komuna ilegale në Pejë, Klinë dhe Istog

    Lajmi i rradhës

    Punoni katër ditë, paguheni për pesë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë