KURSIME, INVESTIME DHE BORXHE | Energjia elektrike në vitin e kaluar

    Viti i kaluar energjetik ishte sërish plot me sfida, huazime nga buxheti për Elektranat e Maqedonisë, furnizim stabil me rrymë falë edhe rritjes së prodhimtarisë vendore. Nuk munguan sërish as ndihmat nga arka e shtetit për kompaninë vendore të prodhimtarisë së rrymës ku vetëm disa javë më parë iu ndanë 50 milionë euro ndaj Elektranave shtetërore për të menaxhuar më lehtë me krizën energjetike. Kjo ishte shuma e fundit në vazhdën e më shumë ndihmave përgjatë vitit të kaluar, ku vetëm para vitit të ri u ndanë 25 milionë euro.

    Përderisa në vitin e kaluar u ndanë mbi 200 milionë euro për sektorin vendor energjetik, që ndihmoi ndër të tjerash edhe në subvencionimin e rrymës për amvisëritë me 80 për qind për faturat e qytetarëve dhe për 72 mijë biznese të vogla.

    Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se si qëllim kryesor kishin furnizimin të sigurt dhe të pandërprerë të të gjithë konsumatorëve me energji dhe energjense, në kushtet e një krize tejet të rëndë globale energjetike të paparë deri më tani.

    Viti i kaluar do të mbahet mend për faktin se ne kemi zbatuar një reformë të sistemit tarifor me vendosjen e bllok tarifave në llogaritjen e konsumit të energjisë elektrike. Kjo reformë kyçe rregullatore ishte përgjigja e parë ndaj krizës energjetike e nxitur nga të dhënat se në vend 1 për qind e konsumatorëve konsumojnë 20 për qind të energjisë së prodhuar në vend, thotë numri një i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski. “Reforma bazohet pikërisht në parimin “Kush shpenzon më pak, të paguajë më pak”, që edhe dha rezultat me kursimin mbi 16 për qind të energjisë elektrike në tremujorin e parë të prezantimit të reformës”, thotë Bislimoski.

    Për më tepër, çmimet e larta të energjisë elektrike ishin motivimi që konsumatorët të fillonin të investonin në panele fotovoltaike në ndërtesat ekzistuese dhe energjinë e prodhuar ta përdorin për nevojat e tyre. Kapaciteti i instaluar i burimeve të rinovueshme u rrit në një rekord prej 144.4 Megavat Orë gjë që ndikoi në uljen e totalit të energjisë elektrike të marrë nga sistemi.

    DYFISHOHEN KAPACITETET

    Gjithsej 267 centrale nga burimet e ripërtëritshme të energjisë kanë fituar licenca me një kapacitet total të instaluar të barabartë me tre objekte strategjike energjetike që shteti i ka ndërtuar me vite si Hidro Centrali Kozjak, Hidro Centrali Sveta Petka dhe parku me erë në Bogdanci, thekson Bislimoski. Mirëpo investime në burimet e rinovueshme të energjisë elektrike si dielli, era, uji nuk kanë të ndalur. Sivjet pritet të instalohen 300 megavat orë të tjera në rrjet, apo dyfish më shumë se në vitin e kaluar. “Me këtë ritëm investimesh për prodhimtarinë e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë, në një vit e gjysmë vendi arriti objektivat nga Skenari i Gjelbër që duhej të realizohej deri në vitin 2040 nga Strategjia e Energjisë”, shton Bislimovski.

    Njëherësh tani është interesimi i madh për investime në centralet me diell dhe erë për prodhimtarinë e energjisë elektrike në një kohë kur në rrjet janë lidhur kapacitete prodhuese prej 2000 megavat orë, ndërsa interesimi për prodhimin e rrymës nga dielli dhe era arrin 8000 megavat orë . Zgjidhja e problemit shikohet në bateritë për të cilat tani po punohet për vendosjen e rregullave dhe procedurave. Bateritë dhe realizimi se vjen e më i sigurt i Hidro Centralit të Çebrenit do të shërbejnë për të balancuar sistemin e energjisë elektrike në vend në raport të prodhimtarisë së energjisë elektrike dhe konsumit të saj. Me investimet e reja vendi do të kthehet nga një prodhimtari e energjisë elektrike që dominohet nga qymyri në prodhimtari që do të bazohet në burime të rinovueshme.

    TERMOCENTRALI NË MANASTIR, S’BËN PA PROBLEME

    Nga ana tjetër, Termocentrali në Manastir është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në vend. Në nëntor dhe dhjetor, Maqedonia importonte nga 1000 deri në 4600 megavat orë energji elektrike në ditë. Pas hapjes së bllokut të tretë, Maqedonia nuk importoi energji elektrike.

    Përderisa ishte vonuar dorëzimi i transformatorit për vënien në punë të bllokut të tretë në impiantin në Manastir, Maqedonia ka shpenzuar mbi 40 milionë euro për import të energjisë elektrike vetëm në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar.

    Autoritetet kishin premtuar se impianti i Manastirit do të punojë me kapacitet të plotë, mirëpo tek blloku i tretë, është pritur gati një vit për një transformator, andaj edhe ai ka punuar më pak se tre muaj. Nga ana tjetër, dy blloqet e tjera shpesh kanë pasur ndërprerje në punë dhe riparime të ndryshme. Për tërë vitin është importuar mbi 20 herë rrymë importi, që shtetit i ka kushtuar mbi 53 milionë euro.

    Gjithashtu në raport me gjendjen në energjetikë në vend, revizorët shtetërorë kanë konstatuar se Bordi Drejtues i kompanisë shtetërore të transmetimit të rrymës ka anuluar një borxh prej bile 14 milionë euro nga katër kompani tregtare me energji elektrike Mirëpo nga kompania shtetërore dhe nga Qeveria thonë se borxhet e tyre nuk janë fshirë, por janë të rezervuara. Ndërmarrja shtetit për transmetimin e rrymës garanton se do të gjendet mënyra për t’i mbledhur këto para, edhe pse me llogari të bllokuara.

    Nga Oda ekonomike e Maqedonisë I kanë bërë thirrje ekzekutivit të monitorojë situatën me çmimet e energjisë elektrike dhe burimeve të energjisë (mazut, qymyr, …) dhe përmes logjikës optimale ekonomike të vendoset nëse dhe kur është e dobishme përfshirja e kapaciteteve të caktuara energjetike vendore apo importimi i energjisë së lirë.

    Nevojitet edhe shpërndarja apo disperzioni në investimin në burimet e rinovueshme të energjisë. Për shembull, centralet e erës dhe centralet fotovoltaike prodhojnë energji elektrike në kohë të ndryshme. Sugjerohet të investohet më shumë në impiantet e biogazit dhe të riaktualizohet investimi në hidrocentrale të vegjël . Duke pasur parasysh se e njëjta situatë është edhe në Evropën juglindore, sugjerohet të investohet në sistemet e baterive, magazinimit të energjisë elektrike, por edhe në hidrocentralin e kthyeshëm të Çebrenit, i cili në kushte të çmimeve të ulëta të energjisë elektrike. energjia do të pomponte ujin në një pishinë të sipërme në formën e një rezervuari. Duke marrë parasysh se Çebreni është një projekt afatgjatë dhjetëvjeçar që duhet të realizohet, në ndërkohë shteti duhet të mbështesë investitorët, objektet industriale etj, për instalimin e sistemeve të baterive duke lehtësuar dhe ulur procedurat dhe kompensimet si dhe me uljen e tarifave doganore deri në eliminimin e tyre, me qëllim nxitjen e investimeve më të mëdha, sipas shembullit të BE-së.

    Ndryshe, nga një korriku me shpalljen e çmimit të ri të rrymës,pritet të kthehet edhe çmimi më i lirë për qytetarët e energjisë elektrike nga ora 14:00 deri në orën 16:00. Një lëvizje e tillë mbështetet nga teprica e energjisë elektrike që prodhohet në vend nga muaji maj deri në muajin tetor. Paraprakisht nga një janari 2022 u anulua tarifa e lirë e rrymës për dy orë ditën së bashku me shtrenjtimin e rrymës prej 9.5 për qind. Tarifa e lirë ditore ishte anuluar për shkak të krizës energjetike dhe po të mbetej e njëjta, rryma do të ishte shtrenjtuar edhe për 5 për qind, arsyetuan para një vjet e . Kompetentët nga Komisioni Rregullator për Energjetikë vendimin në favor të rikthimit të tarifës së lirë edhe ditën, e argumentojnë me trendin e rritjes së prodhimtarisë vendore të rrymës, si dhe numrin e madh të kapaciteteve për prodhimin e rrymës nga dielli apo fotovoltaikeve të ndërtuara nga kompanitë e mëdha që po ndihmon uljen e çmimit të rrymës. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Reagimet për korridoret, të pakuptueshme!

    Lajmi i rradhës

    Sa u europianizua rajoni?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë