Sa u europianizua rajoni?

    Fotografia: Nistori

    Ballkani Perëndimor është një rajon kompleks i cili ka një histori të dhimbshme dhe goxha të trazuar me konflikte dhe luftëra mes popujve që jetojnë në këtë hapësirë. Paragjykimet, komplekset dhe shpresat kanë karakterizuar prej shekujsh marrëdhëniet midis popujve të Ballkanit Perëndimor.

    Komplekset e inferioritetit nga vendet e Ballkanit kundrejt Evropës luajnë një rol të madh. Këto komplekse janë krijuar me sa duket nga prapambetja civilizuese, industriale, teknologjike dhe materiale. Nga kjo situatë dalin në njërën anë ndjenjat e dëshirës për të qenë pjesë e kësaj bote evropiane. Nga ana tjetër, ekziston edhe logjika e anasjelltë, ku Evropa e nënvlerëson Ballkanin. Paragjykimet e vjetra kundrejt Ballkanit, u ringjallën në vitet 1990-të gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

    Opinionisti Latif Mustafa, për gazetën KOHA, ka deklaruar se Ballkani përtej një shënjuesi të hapësirës gjeografike, shpeshherë, përdoret – i modifikuar – për të shënuar kryesisht anomali, devijim ose projeksion poshtërues. “Normalisht, si çdo hapësirë tjetër gjeografike edhe Ballkani ka mënyrat e stereotipizimit intern pa çka se burimi i tyre zakonisht vjen nga jashtë Ballkanit. Ballkani, përkundër tendencave të ‘Evropojuglindorizimit’ të saj, nga fuqitë perëndimore vazhdon të jetë sinonim i lindores, të prapambeturës dhe statikes. Pikërisht nga kjo mendësi, edhe stereotipizimi i brendshëm brenda ballkanik vjen duke e shndërruar njëri tjetrin më lindor se tjetri, me qëllim të vetë-arratisjes dhe identifikimin me perëndimin. Për sllovenin, lindor është kroati ose Serbi, e për Serbin është shqiptari, e për shqiptarin është serbi sepse është me Rusinë e Romi se ka prejardhje tjetër racore”, shprehet ai.

    Sipas tij, të gjitha këto bëhen në të njëjtën kohë, duke harruar vorbullën ku ata, Ballkanasit janë të zhytur si qenie prapanike.

    Nga ana tjetër, aktivisti i shoqërisë civile dhe juristi Eren Ali, për gazetën KOHA, deklaroi se Maqedonia e Veriut si një shtet i ri, me problematika të ndryshme, e ushqyer bukur mire me çka kush ka mund të hedh apo mbjell, ka kaluar të zitë e ullirit deri i doli mban. Por ai, prapë e konsideron me skepticizmin evropianizimin e Ballkanit në përgjithësi e të Maqedonisë së Veriut, në veçanti. “Një i ri i këtij shteti nuk barazohet dot me perspektivat e një të riu që gjendet në një shtet me të zhvilluar, por ama, nuk mund të themi se shoqëria jonë nuk ka turrin dhe gatishmërinë të ndryshoj, këtë më së miri e shohim në rininë shqiptare të Maqedonisë, por edhe vet maqedonasit, në disa situata”, tha Ali.

    Ai tha se mund të analizojmë dinamikën e shoqërisë sonë në raport me BE-në. Ali përmendi një analizë të Institutit për demokraci “Societas Civilas“ të vitit 2022 në pyetjen se: “Nëse javën e ardhshme do të mbahet referendum për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, si do të votoni? 64 për qind pro, 14 për qind kundër, 12 për qind nuk e dinë dhe 11 për qind nuk do te votojnë. “Qëndrimi im është se RMV sa më shpejtë duhet të bëhet pjesë e BE-së pasi pikërisht Karta e BE-se dhe Konventa Evropiane, i mundëson liritë dhe të drejtat e çdo pakice, besimi, e gjera të tilla deri në momentin e shkaktimit të urrejtës dhe përçarjes”, u shpreh në fund Ali.

    Ndryshe, stereotipet reciproke midis Evropës dhe Ballkanit janë edhe sot prezentë edhe pse në mënyrë më zbehtë për dallim nga 10-20 vitet e kaluara. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    KURSIME, INVESTIME DHE BORXHE | Energjia elektrike në vitin e kaluar

    Lajmi i rradhës

    Sallat e dasmave në RMV, të rezervuara deri në 2024!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë