Macron – Scholz: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor

    Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë më 4 shtator se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

    Ata thanë se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, njoftoi Presidenca e Serbisë më 4 shtator, transmeton agjencia e lajmeve Beta.

    Macron dhe Scholz thanë në një letër të përbashkët drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës, duhet të bëhen përpjekje më të forta që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet.

    “Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër.

    Macron dhe Scholz i kanë bërë thirrje Vuçiqit që të tregoj vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet mes dy vendeve.

    “Tensionet e fundit kanë treguar se urgjentisht nevojiten hapa konstruktivë, si në nivel praktik ashtu edhe në atë politik”, thuhet në letër.

    “Ne sugjerojmë që këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçak, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, për të shqyrtuar mundësitë për të çuar përpara procesin”, thuhet në letrën drejtuar Vuçiqit.

    Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

    Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

    Serbia e ka zbatuar atë menjëherë dhe për 11 vjet u ka lëshuar qytetarëve të Kosovës këtë lloj dokumenti.

    Kur Qeveria e Kosovës ka vendosur ta zbatojë këtë pikë të marrëveshjes më 1 gusht, serbët në veri të Kosovës kanë rritur tensionet përmes vendosjes së barrikadave.

    Qeveria e Kosovës ka shtyrë më pas zbatimin e vendimit për 1 shtator, mirëpo ndërkohë palët janë marrë vesh për moslëshimin e tyre.

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.

    Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve.

    Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi.

    Lajmi Paraprak

    Tre vajza rrëmbyen një të mitur, e mbajtën të mbyllur në një banesë dhe e kërcënuan me thikë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë