Deponia rajonale për rajonin planor Jugperëndimor dhe të Pellagonisë, e cila duhet të vendoset në komunën Novaci në Manastir, pritet të fillojë ndërtimin në gjysmën e dytë të vitit 2022. Por, kjo do të ndodhë vetëm nëse Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim miraton kredinë, për të cilën qeveria ka aplikuar tashmë, thonë nga Ministria e Mjedisit.
Ne kërkojmë hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH për të pesë rajonet planore në shumë totale prej 55 milion euro. 22 milion prej tyre janë të destinuara për deponinë rajonale për rajonin Jugperëndimor dhe të Pellagonisë”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.
Këto para do të përdoren jo vetëm për ndërtim, por edhe për blerjen e të gjitha pajisjeve. Ndërkohë, midis 10 dhe 15 tonë mbeturina të ndryshme sillen çdo ditë në deponinë ilegale afër Strugës. Ambientalistët vazhdojnë të paralajmërojnë për ndikimin negativ që kjo deponi ka në mjedisin jetësor.
Në Strugë, stacioni i transferimit ku mbeturinat do të shtypeshin, selektoheshin dhe më pas transportoheshin jashtë këtij rajoni nuk funksionon. Rreth 340,000 euro u shpenzuan për stacionin, por tre vjet pas ndërtimit të tij, ai nuk funksionon fare. Mbyllja, pra zhvendosja e deponisë ilegale ishte një nga premtimet kryesore të Kryetarit të Strugës Ramiz Merko, në fillim të mandatit të tij, tani të tretë. /Alsat M/