Rritet interesimi për shkollat profesionale

    Një arsimim i mirë dhe një vend në jetën profesionale për nxënësit ka një rëndësi të lartë. Suksesi në shkollën e detyruar është shumë i rëndësishëm për mundësitë e mëvonshme. Pas mbarimit të shkollës fillore, të rinjtë kanë shumë rrugë të hapura për të gjet një zgjidhje në jetën profesionale edhe pse interesimi për të vijuar mësimin në shkollat profesionale – duket tepër i ulur. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës informojnë se nga muajin e ardhshëm janë regjistrimet në shkollat ​​e mesme duke u bërë thirrje të rinjve të mendojnë mirë se ku do të vazhdojnë të shkollohen pas mbarimit të klasës së nëntë.

    “Të udhëhiqen sipas afiniteteve dhe dëshirave personale, ndërsa më pak sipas dëshirave të prindërve dhe familjeve dhe gjithnjë parasysh t`i kenë gjendjet në tregun e punës, të hulumtojnë dhe t`i ndjekin informatat zyrtare të institucioneve për atë çfarë vende të lira të punës ka dhe çfarë kërkohet si burim njerëzor në ekonominë”, thonë në MASH, ndërsa përparësi u jeper arsimit profesional. “Ajo është dukja e arsimit që ofron probabilitetin më të lartë për sigurimin e vendit të punës të denjë të paguar mirë”.

    Ministrja Mila Carovska, duke publikuar fushatën për arsimin profesional, përmend se po rrumbullakohet edhe komponenta e dytë e fushatës promovuese. Në ndërkohë, mbështetje për arsimin profesional vazhdojnë të japin edhe qeverisjet lokale, shkollat dhe komuniteti i biznesit me qëllim që të identifikohen nevojat për hapjen e profileve dhe paraleleve të caktuara në secilën prej komunave, në përputhje me gjendjet në tregun lokal të fuqisë së punës.

    “Është krijuar politikë regjistrimi që i përgjigjet të gjithëve, ndërsa më së shumti do të kontribuojë për zvogëlimin e papunësisë së të rinjve në vend. Këtë vit parashikojmë 2000 bursa me vlerë 3500 denarë për çdo muaj (9 muaj gjithsej) për të gjithë nxënësit që do të regjistrohen në paralele të dyfishtë dhe ai është motiv i shkëlqyeshëm për zgjedhjen e arsimit të dyfishtë. Kjo, sepse përderisa mësohet, në të njëjtën kohë fitohen të ardhura”, deklaron Carovska, duke potencuar se akoma, motivi më i madh për zgjedhjen e arsimit të mesëm profesional duhet të jetë probabiliteti që e ofron punësimi i shpejtë në tregun e punës.

    Profesoresha e shkollës profesionale “Mosha Pijade” në Tetovë, Brulinda Shingjergji – Kuçi, për gazetën KOHA ka informuar se kohët e fundit është rritur vetëdija për shkollat profesionale, pasi çdo ditë e më shumë gjithsecili po bindet se kemi nevojë për profesionistë të zanateve.

    “Shoh se vetëdija e nxënësve dhe kryesisht prindërve është rritur sa i përket interesimit për arsimin profesional. Prindërit shpesh i orientojnë fëmijët e tyre në drejtime të ndryshme në arsimimin e mëtejshëm të tyre. Kjo ka dy ane të medaljes, ngaqë fëmijët sikur i kufizojmë në dëshirat e tyre, por nga ana tjetër – më mirë se prindërit dhe mësimdhënësit e shkollës fillore askush nuk mund t’i kuptojë prirjet e fëmijëve për drejtimet profesionale. Interesimi rritet nga viti ne vit duke marrë parasysh sesa profitabil është arsimi profesional brenda dhe jashtë vendit nga aspekti monetar dhe zhvillimit të karrierës në sferë te ndryshme. Pastaj, në këtë aspekt kanë ndikuar dhe rrjetet sociale, promovimi që është bërë nga organet kompetente për arsim në nivel lokal dhe republikan që nxënësit vitet e fundit kanë interes më të madh për arsimin profesional. Uroj të vazhdohet me këtë ritëm, sepse ne kemi nevojë për kuzhinierë, automekanikë, parukierë, rrobaqepës e shumë drejtime të tjera po aq sa kemi nevoje për mjekë dhe infermierë”, deklaron Shingjergji-Kuçi.

    Sipas informacioneve dhe të dhënave zyrtare, analizave dhe anketave të organizatave civile në vend, numri i nxënësve filloristë në regjistrimet e shkollave të mesme, interesim më të madh kanë për shkollat e përgjithshme, kryesisht mësimin në gjimnaze dhe atë të shkollave ekonomike. 

    Lajmi Paraprak

    Mbushet sërish deponia ilegale në Strugë

    Lajmi i rradhës

    Të pakënaqur dhe pa shpresë se do bëhet mirë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë