MEPSO kërkon nga KRRE-ja që të pranojë rritje të kostove prej 68 për qind

    Kompania shtetërore energjetike MEPSO kërkon nga Komisioni Rregullator i Energjetikës që për punën e saj të rrisë të hyrat për 68 për qind. MEPSO e ka kërkuar këtë përqindje të lartë me arsyetimin se ka rritje të shpenzimeve për prokurimin e energjisë elektrike për të mbuluar humbjet në rrjetin e transmisionit, të cilat blihen nga tregu i lirë me çmime të larta.

    “Arsyet e kësaj kërkese janë të shumë anshme dhe nuk janë për shkak të përkeqësimit të rezultateve në funksionimin e kompanisë, por për arsye objektive në të cilat SHA MEPSO nuk ka ndikim”, njoftojnë nga MEPSO.

    Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, MEPSO ka kërkuar rritje serioze. Atëherë, KRRE-ja, nga 88%, pranoi rritje vetëm 23%. Ndryshe, pjesëmarrja e tarifës së transmisionit të MEPSO-s nuk ka ndikim të madh në çmimin final të energjisë elektrike për konsumatorët dhe është rreth 4%.

    Ndërkohë, teksa po rregullohet çmimi i ri i energjisë elektrike për amvisëritë, qytetarët janë në pritje të tarifave të paralajmëruara, nga të cilat do të varet edhe shuma e faturave të energjisë elektrike. Sipas të dhënave të KRRE-së, por edhe përllogaritjeve të kolegëve nga 360 Gradë, shihet se amvisëritë që marrin faturat e energjisë elektrike mbi 10 mijë denarë kanë më shumë gjasa që faturat t’u rriten për 50%. Nëse Rregullatori vendos të ketë tre blloqe konsumatorësh dhe ata do të variojnë nga 250 deri në mbi 500 kilovat orë energji elektrike të konsumuara, tarifa do të sillet nga pak më shumë se 7 denarë për kilovat orë në dy blloqet e para, por dy herë më shumë ose mbi 15 denarë për kilovat orë për amvisëritë që konsumojnë më shumë. Rregullatori siguron se qytetarët që i kanë ndërruar sobat me dru dhe kanë blerë kondicionerë, inverter apo pajisje të ngjashme nuk do të hyjnë në bllokun e fundit tarifor i cili do të ketë fatura më të larta, por do të kenë modele tarifore të veçanta. Tashmë mbetet KRRE-ja t’i shqyrtojë shpenzimet e kompanive energjetike dhe ta publikojë sa prej tyre pranon, për ta përcaktuar çmimin me të cilin EMV-ja do t’ia shesë energjinë elektrike Furnizuesit Universal dhe më pas të finalizohen modelet e reja tarifore sipas të cilave qytetarët në të ardhmen do ta paguajnë energjinë më të shtrenjtë elektrike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Talat Xhaferi pranon interpelancën e opozitës

    Lajmi i rradhës

    Kërkesa e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të parakohshme është decide

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë