“Mësimdhënësit vitet e fundit janë shndërruar në lypsar duke kërkuar vazhdimisht rritje të pagave”

    Mësimdhënësit vitet e fundit janë shndërruar në lypsar duke kërkuar vazhdimisht rritje të pagave, tha kryetari i Sindikatës për Arsim në Komunën e Likovës, Naser Ajdini.

    Ai shtoi se rezultatet e dobëta në arsim janë pasojë e nënvlerësimit të mësuesisë dhe mos plotësimit e kushteve të duhura për punë.

    “Nëse jemi për mësim kualitativ arsimtari duhet të shpërblehet me atë që i takon dhe e meriton. Shtetet që kanë arsim të avancuar dhe punojnë në këtë drejtim ata arsimtarët nuk i lënë lypsar. Nuk ka nevojë që ne çdo vit ta shtrijmë dorën dhe t’u themi se nuk kemi dhe duhet të na japin. Por, ata vetvetiu, për atë janë aty, duhet ti kalkulojnë këto gjëra edhe ta shohin ku e kanë arsimin. Shumë lehtë është me kritiku, me thënë nuk kemi rezultate, nuk kemi sukses por duhet me gjet pse nuk ka sukses”, tha Naser Ajdini, SASHK- Komuna e Likovës.

    “Për momentin është mjaft vështirë, duhen kushte më të mira, më efikase, në çdo aspekt, jo vetëm në paga. Duhet mbështetje më e madhe dhe më e fuqishme, sidomos te ne sepse nga ne fillon baza”, u shpreh Sejdi Jahiu, mësues.

    Mësuesja Behide Dauti bashkë me kolegët tjerë të shkollave të komunës së Likovës tha se humbja e vlerës së mësuesisë ka ndikuar edhe te nxënësit të cilët nuk dëshirojnë ta punojnë këtë profesion.

    “Ka humb vlera shumë dhe kjo është reflektu edhe të nxënësit dhe interesimi i tyre dhe I studentëve është shumë i ulët për drejtimet arsimore. Interesimi më i madh i nxënësve është ikja jashtë vendit sepse puna e arsimtarit i duket punë me vlerë shumë por pak i vlerësuar prej shtetit”, theksoi Behide Dauti, mësuese.

    “Sidomos, vitet e fundit puna e arsimtarit nuk vlerësohet fare, me të vërtet jemi shumë mbrapa me paga. Qëllimi i grevës është që të arrihet ai vlerësimi si me rroga si me të gjitha kushtet që i meritojmë”, pohoi Adnan Rexhepi, mësues.

    “Paga është një faktor indirekt që ndikon në ngritjen e cilësisë  së arsimit duke pas parasysh edhe nivelin ekonomik dhe kjo iniciativë e jona nuk ishte diçka e dëshirueshme por e patjetërsueshme. Thjesht po kërkojmë jo një jetë mbi mesataren por të paktën t’i afrohemi mesatares”, tha Ilir Demiri, mësues.

    Përveç në komunën e Likovës, greva e përgjithshme në arsim dhe kopshte po realizohet edhe në Kumanovë dhe gjithë komunat e tjera të vendit me mbështetje të prindërve dhe nxënësve. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Suspendohen policët që morën ryshfet në Bllacë, MPB do të dorëzojë kallëzim penal

    Lajmi i rradhës

    Tetovë, arrestohet dileri i drogës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë