Mos zbatimi i reformave, kushtëzon tërheqjen e fondeve nga BE

    Autoritetet po planifikojnë listat e projekteve dhe reformave, nga zbatimi i të cilave do të varen fondet që Maqedonia do të jetë në gjendje ti tërheqë nga Plani i BE-së, për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, i cili peshon gjashtë miliardë euro.

    Cilat reforma do të jenë në prioritetet do të dihet më së voni deri në mars, informon Sekretarja Shtetërore e SÇE, Drita Abdiu Halili. Sipas saj, versioni fillestar i planit të reformës merr mbështetje nga të gjithë faktorët. Megjithatë, ajo hodhi poshtë tezën se jozyrtarisht edhe ndryshimet kushtetuese mund të imponohen si kërkesë e BE-së, për përdorimin e parave.

    “Ne kemi një seksion për sundimin e ligjit, ku kemi hapa për ti përmbushur, dhe ato hapa janë parashikuar tashmë për ne në agjendën e reformës. Nuk kemi asnjë kërkesë për ndryshime kushtetuese”, tha Drita Halili Abdiu – Sekretariati për Çështje Evropiane.

    Organizatat e shoqërisë civile janë të kënaqura me Planin për Zhvillim. Simonida Kacarska, nga Instituti për Politika Evropiane, beson se përmes tij integrimi evropian nuk do të jetë i largët për qytetarin. Në të njëjtën kohë, kushti që vetëm nëse zbatohet një reformë mund të tërhiqen paratë, sipas Kacarskës, paraqet një mundësi të madhe.

    “Ne shpresojmë se mund ta përdorim atë si një mjet presioni për reformat, por edhe për ndërtimin e konsensusit të brendshëm. Në këtë situatë në të cilën jemi gati për të hyrë në fazën tjetër të negociatave, ne presim që ky plan të na japë pak më shumë vrull, në mënyrë që përpjekjet për reforma të mund të zbatohen, pa të cilat ne nuk do të ishim në gjendje të përdorim fondet më tej”, u shpreh Simonida Kacarska – Instituti i Politikave Evropiane.

    Përveç reformave, shteti duhet të dalë edhe me projekte për të cilat do t’i shpenzonte fondet. Fokusi është në infrastrukturë, digjitalizim dhe agjendën e gjelbër.

    Siç njoftoi më parë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, qëllimi i Planit është t’i afrojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ekonominë e BE-së. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Autostrada Kërçovë-Ohër / Boçvarski: Kanë dalë probleme me rrëshqitjen e tokës

    Lajmi i rradhës

    Koliti – Cilat ushqime e shkaktojnë dhe kujdesi që ju duhet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë