Në kërkim të regjistruesve, shqiptarët në minus

    Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) ka shtyrë për herë të tretë afatin për mbylljen e konkursit për angazhimin e regjistruesve dhe instruktorëve rajonalë për realizimin e censusit të popullsisë. Këtë herë konkursi do të mbetet i hapur pa afat, deri në plotësimin e numrit të nevojshëm. Zëvendësdrejtori i ESHS thotë se në këtë konkurs, për dallim nga ai i muajit prill, ku kuotat për pjesën shqiptare u mbushën menjëherë, këtë radhë numri i aplikantëve shqiptarë është shumë i vogël. Selmani i apelon të interesuarve, sidomos studentëve apo atyre që janë në kërkim të një pune të marrin pjesë në konkurs ( të interesuarit duhet të regjistrohen në aplikacionin elektronik stat.gov.mk , ndërsa dokumentet e kërkuara dorëzohen në formë të shkruar në adresën e ESHS në Shkup). Angazhimi zgjat 25 ditë, aplikacioni i regjistrimit është lehtësisht i aksesueshëm dhe pagesa e punës është e volitshme (500 euro).

    Deri tani në konkursin e hapur nga ESHS më datë 20 korrik kanë aplikuar 4800 persona, që do të thotë se deri në plotësimin e numrit mungojnë edhe 700 regjistrues. Sipas Selmanit edhe këto shifra nuk rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, por angazhimi i numrit të planifikuar prej tyre do të krijonte kushte më të favorshme dhe më pak presion për vetë operacionin statistikor. “Në konkursin e parë, para anulimit të regjistrimit të popullsisë që duhej të bëhej në prill, numri i aplikantëve shqiptarë u plotësua menjëherë. Është e çuditshme që këtë herë kemi mungesa të theksuara, ndoshta kanë ndikuar një konglomerat arsyesh, ndoshta mungesa e informimit, periudha e verës, apo edhe informacionet e ndryshme që regjistrim i popullsisë nuk do të mbahet. Prandaj apeloj që të konkurrojnë, konkursi është i hapur”, thotë Selmani.

    Sa i takon instruktorëve (rreth 500 persona) numri i tyre është plotësuar dhe këto ditë nis trajnimi i tyre. Sa i përket regjistruesve (5563) koha e mbetur në dispozicion, supozohet të jetë e mjaftueshme për trajnimin e tyre për punën që do të bëjnë në terren. Procesi i regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive, që është prolonguar prej disa vitesh, u shty për herë të fundit në muajin prill. Këtë vit do të zhvillohet nga datat 5 deri më 30 shtator. Meqenëse këtë herë zhvillohet në kushte të jashtëzakonshme nga ESHS sigurojnë se nuk mund të rrezikojë shëndetin e qytetarëve, pasi janë hartuar protokolle të posaçme për pjesëmarrësit në të gjitha fazat e procesit të regjistrimit.

    INTERESIMI I DIASPORËS NË RËNIE

    Vetregjistrimi i shtetasve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit deri më 17 gusht ka arritur në 190. 433 persona. Këto janë numrat e evidentuar në faqen elektronike të hapur nga ESHS “Ti je më shumë se numër, MERR PJESË!”. Shifra këto që janë të vogla po të kihet parasysh se në ditët e para të regjistrimit online fluksi ishte i lartë, duke arritur deri në 10 mijë persona në ditë. “Që kur regjistrim u shty për në shtator ra edhe numri duke shkuar nga 3 apo 4 persona në ditë. Kohët e fundit kemi një lloj rritje të numrit, 20 deri në 30 regjistrime, që prapëseprapë është shumë më pak sesa fillimi. Besoj se situata do të ndryshojë në shtator kur do të nisë regjistrim në terren”, thotë Selmani. Regjistrimi i diasporës do të vazhdojë paralelisht dhe do të mbyllet më 30 shtator.

    Lajmi Paraprak

    Për gjashtë muaj, mbi 5000 kompani i vënë drynin dyerve

    Lajmi i rradhës

    Kamçev: Ne u dënuam para se të gjykohemi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë