NË TETOVË DO TË PROTESTOHET KUNDËR KAZINOS AFËR ÇERDHES “RINIA” – Kasami dhe Mickoski mbështesin protestat kundër veseve sociale

    Fotografia: Nistori

    Lëvizja Anti Bixhoz (LAB) sot në një konferencë për media njoftoi se ditën e martë (22.02.2022) do të protestojë kundër hapjes së kazinos që do të hapet afër çerdhes “Rinia”, përkatësisht në vendin e ish-fabrikës “Teteks”. LAB tha se ndjehen të tradhtuar dhe të zhgënjyer nga nga pafuqia e politikanëve, sepse si të zgjedhur të popullit – ata japin propozime kundër po atij populli, njofton Nistori.

    “Ne nga Lëvizja Anti Bixhoz, si pjesë e popullit ndjehemi të tradhtuar dhe totalisht të zhgënjyer nga politikanët, nga pafuqia juaj, mos ndoshta dëshironi t’ju quajmë vendimmarrës, sepse jeni të zgjedhur nga populli dhe propozoni e vendosni kundër po atij populli. Ju këshillojmë juve subjekteve politike të kontribuoni me propozime konkrete deri te Komisioni për Financim dhe Buxhet. Institucioni komunë të luftojë në kompetencat e saja, mbroni qytetin nga kjo e keqe. Të bëhemi bashkë në këtë betejë pasi ky nuk është etnik, as sezonal, as rajonal, aq më pak politik, pasi fajtorë do të jeni ju për mos sjellje të ligjit të shumëpritur për lojërat e fatit”, deklarojnë nga Lëvizja AntiBixhoz.

    Nga Lëvizja paralajmëruan protesta të vazhdueshme kundër këtij vesi, por edhe kundër Ligjit për kazinotë nga ana e Ministrisë së Financave i cili përveç shkollave fillore dhe të mesme nuk parasheh largime nga institucionet apo objektet e tjera publike. Nga LAB e konsiderojnë qesharak dhe joserioz, sepse ashtu siç veproi Kosova dhe Shqipëria deri në miratimin e një ligji të mirëfilltë, të veprohet njëjtë edhe në RMV.

    “Vallë xhamitë, kishat, pallatet e kulturës, universitetet, qendrat rekreative – a nuk janë institucione të cilat i shërbejnë kësaj shoqërie. Andaj, le të kujdesen dhe të korigjojnë Propozimin, sepse vërtetë do të dalin qesharak karshi neve dhe botës”, shtojnë nga LAB.

    Çka u deklaruan Hristijan Mickoski dhe Bilall Kasami në konferencën e përbashkët në Komunën e Tetovës?

    I pyetur nga Nistori nëse kryetari i VMRO-DPMNE-së i mbështet protestat e ditës së martë nga LAB dhe pse nuk ka pranuar që të takohen me Lëvizjen AntiBixhoz u shpreh se nuk është i njoftuar për këtë dhe shprehet i hapur për të diskutuar.

    “Tani për herë të parë dëgjoj për një protestë të tillë. Bixhozi është ves dhe normalisht i bëj thirrje çdo personi që të heqë qafe një ves te tillë ashtu siç ka dhe lloje te tjera mesazhesh që ndikojnë ne shëndetin mendor dhe fizik të njerëzve. Ne jemi parti konservatore dhe si e tillë i respektojmë ato vlera. Gjithashtu, patjetër të theksoj se, ka edhe politikanë që përdorin një qeverisje të tillë dhe në prapavijë kanë interesa të tjera të forta biznesi”.

    Mickoski nuk ishte i njoftuar me ftesën e LAB, por u shpreh në dispozicion që të mbështesë dhe të pranojë për të diskutuar në lidhje me këtë fenomen.

    “Sa i përket kazinove dhe lojërave të antifatit, do t’i shfrytëzoj të gjitha mekanizmat institicional që i kemi në nivel komunal dhe do të mundohemi të pengojmë apo rëndojmë aktivitetin e tyre, sepse po ashtu edhe unë vlerësoj që është një veprimtari apo ves i keq. Në këtë drejtim, edhe më herët kam thënë që minimumi që do të bëj si kryetar komune apo edhe si politikan, si qytetar do të jem mos të them në ballë të protestave, por në mesin e protestave për çdo aktivitet që ndërmerret në pengimin të kësaj dukurie – të zgjidhjes së këtij problemi. Ne do ngremë iniciativa si pushtet lokal në drejtim të rritjes së kompetencave të pushtetit lokal që pastaj të krijojmë edhe politika lokale sa i përket bizneseve të ndryshme”, shtoi Kasami.

    Ndryshe, në Tetovë ka afërsisht 50 kazino dhe dyfish më shumë bastore sportive, të vendosura sa afër shkollave e qendrave ku frekuentojnë jetën tetovarët. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    TRAGJEDIA NË SPITALIN MODULAR NË TETOVË – Ka elemente për ndjekje penale

    Lajmi i rradhës

    Ministria e Administratës nuk e respekton Ligjin për përdorimin e shqipes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë