Ministria e Administratës nuk e respekton Ligjin për përdorimin e shqipes

    Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës publikoi vetëm në gjuhën maqedonase Regjistrimin e të punësuarve në sektorin publik për vitin 2020.

    Raporti është hartuar dhe publikuar në kohën kur me këtë resorë kishte udhëhequr, Jeton Shaqiri, ministër aktual i arsimit. Shaqiri thotë se i njëjti raport do të përkthehet edhe në gjuhë shqipe, duke mos dhënë arsyet pse deri tani nuk është bërë një gjë e tillë.

    “Raporti patjetër se do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe. Ju e dini që shumë procese të cilat i filluam në ministri i bëmë edhe duke përgatitur kuadrin e nevojshëm për përgatitjen e materialeve në gjuhën shqipe. Si çdo raport do të përkthehet edhe ky raport”, tha Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.

    Nga Ministria e Shoqërisë Informatike përgënjeshtrojnë Shaqirin duke theksuar se në resor ka mungesë të kuadrit për përkthime. Sipas tyre, po punohet në përkthimin e raportit.

    “Natyrisht se do përkthehet edhe ky raport, për rastin në fjalë po punohet dhe është në proces e sipër përkthimi. Po ashtu po punojmë që mangësitë e mundshme për përkthime në MSHIA, edhe përskaj mungesës së kuadrit të mjaftueshëm për përkthime, të korrigjohen dhe kështu, edhe dokumente tjera të këtij institucioni të përkthehen në gjuhën shqipe, dhe me këtë të respektohet dhe zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve”, u shpreh Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

    Për mos respektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Inspektorati duhet të veprojë në rastin konkret duke konstatuar gjendjen faktike, përkatësisht mos përkthimin e raportit edhe në gjuhën shqipe. Të drejtat ligjore të këtij organi janë paralajmërimet, dhënia e afatit kohorë për ta përkthyer dhe si masë përfundimtare gjoba ndaj institucionit për mos respektim të ligjit. Raporti përfshinë strukturën e sektorit publik në baza etnike, gjinore, moshës dhe arsimit. Sektorin publik në Maqedoni të Veriut e përbejnë 1.332 institucione me 131.183 persona të cilët gëzojnë marrëdhënie pune. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    NË TETOVË DO TË PROTESTOHET KUNDËR KAZINOS AFËR ÇERDHES “RINIA” – Kasami dhe Mickoski mbështesin protestat kundër veseve sociale

    Lajmi i rradhës

    As sot nuk filloi skriningu Covid-19 në shumicën e shkollave fillore të vendit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë