“Prej të hënës, qytetarët do të mund të pajisen me të gjitha dokumentet personale dhe të udhëtimit me emrin e ri të shtetit”.
Kështu deklaroi ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili hodhi poshtë informacionet se ka pasur ngecje në çështjen e pajisjes me dokumente personale apo të udhëtimit. Ai pranoi se ka problem me mungesën e pasaportave diplomatike, por tha se kjo gjë nuk është problem që i pengon qytetarët.
“Ne në fillim të kësaj jave thamë se do të kemi kalim të informacioneve në sistemin e ri plotësues, i cili filloi dje në orën 21:00, sot, nesër, deri të hënën kalojnë të dhënat, prej të hënës fillojmë përsëri me përgatitjen e dhënies së të gjitha dokumenteve, të cilat do të jenë në pajtueshmëri edhe me Kushtetutën në pjesën e emrit kushtetues dhe me të dhënat tjera ligjore”, tha Spasovski në seancën për pyetjet e deputetëve.
Në pjesën e tabelave të regjistrimit, Spasovski konfirmoi se kishte një problem të caktuar dhe ngecje lidhur me prokurimin publik që është zbatuar dhe pas vërejtjeve nga ana e Byrosë për prokurime publike është siguruar konkurrenca. Problemi me nënshkrimin e marrëveshjes, sipas tij është tejkaluar dhe të hënën kanë arritur 14 mijë tabela në depotë e MPB-së.
“Problemi është tejkuar, të hënën kanë arritur 14 mijë tabela në depon e ministrisë së Punëve të Brendshme, tani kemi edhe për mopedë, për traktorë, për të gjitha nevojat që i kemi. Deri nesër arrijnë 30 mijë dhe javën e ardhshme arrijnë edhe 30 mijë dhe shkojmë në kontinuitet. Po kishte problem të caktuar, ngecje të caktuar, por këto janë mundësitë ligjore që mund t’i zbatojmë”, tha Spasovski.