Nga samiti Ballkani i Hapur thirrje BE-së për ndihmë në blerjen e energjisë

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 2 shtator, pas samitit të liderëve të nismës Ballkani i Hapur, tha se do të kërkojnë ndihmë nga Bashkimi Evropian për blerjen e energjisë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që gjatë këtij dimri dhe krizës energjetike në Ballkanin Perëndimor, të mos e “përsërisë të njëjtën sjellje” sikurse gjatë pandemisë COVID-19.

    “Ne e mbajmë mend mirë se si në fillim të pandemisë vendet e Ballkanit Perëndimor u detyruan t’i drejtoheshin Kinës, Rusisë, Turqisë… sepse Bashkimi Evropian shikonte vetëm veten”, tha Rama.

    Ai njoftoi se liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë (pjesë e nismës Ballkani i Hapur) do t’i shkruajnë Brukselit dhe se do të ishin “shumë të kënaqur” nëse liderët e tri vendeve të tjera (Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi e Kosovës) do t’u bashkoheshin atyre.

    Samiti në kuadër të Ballkanit të Hapur mblodhi së bashku zyrtarë nga vendet e asaj nisme, si dhe nga Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Hungaria dhe Turqia.

    Ballkani i Hapur është një projekt i përbashkët i Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i krijuar me idenë e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve ndërmjet shteteve anëtare të nismës.

    Presidenti Vuçiq deklaroi se nga ndalimi i eksporteve të produkteve të caktuara nga Serbia, do të hiqen vendet e Ballkanit të Hapur.

    “Gjithçka që është në dispozicion të Serbisë, do të jetë në dispozicion të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe anasjelltas”, tha Vuçiq.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, theksoi se mesazhi i samitit është se vendet e Ballkanit të Hapur solidarizohen në kohë krize.

    “Dimri i ardhshëm do të jetë i gjatë dhe ndoshta më i vështiri që nga Lufta e Dytë Botërore, si për ne, ashtu edhe për botën. Është më mirë ta mbijetojmë së bashku sesa të ndarë”, tha Kovaçevski.

    U nënshkruan marrëveshjet për bashkëpunim në energjetikë dhe bujqësi

    Vuçiq, Rama dhe Kovaçevski kryesuan bashkërisht samitin Ballkani i Hapur.

    Pas takimit u nënshkruan marrëveshje dy dhe trepalëshe në fushën e bujqësisë, energjisë, kulturës dhe mbrojtjes civile.

    Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, tha se është mirë kur vendet bashkërisht i zgjidhin problemet dhe se është i trishtuar që Bosnje e Hercegovina nuk i nënshkroi sot marrëveshjet.

    “Ju të gjithë e dini se sa letra kemi shkruar ne nga Bosnjë e Hercegovina për të na furnizuar me gjëra ushqimore. Shpresoj që edhe pse nuk kemi nënshkruar marrëveshje, ju do të vazhdoni të na furnizoni”, tha Tegeltija.

    Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shprehu pritjen që edhe vendi i tij të jetë pjesë e marrëveshjes së shteteve të Ballkanit i Hapur për të ndihmuar njëri-tjetrin në situata krize – për furnizimin me ushqim dhe energji.

    Ai theksoi se vendet e rajonit duhet të ndjekin rrugën e bashkëpunimit dhe të qëndrojnë së bashku.

    “Gjithçka tjetër mund të jetë llogaritje e imët dhe politizim. Falënderoj mikpritësit dhe miqtë e ardhur nga BE-ja dhe të gjithë ambasadorët që janë këtu. Shpresoj se së shpejti do të takohemi në Mal të Zi”, tha Abazoviq.

    Deri më tani, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina zyrtarisht nuk i janë bashkuar nismës, ndonëse përfaqësuesit e Bosnjës, për herë të dytë po marrin pjesë si të ftuar në takimet e kësaj nisme.

    “Suksesi i këtij projekti varet shumë në atë se sa ne do ta konsolidojmë paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në nisjen e samitit.

    Vuçiq së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, po kryesojnë këtë samit.

    Vuçiq po ashtu tha se marrëveshjet e posaçme, në rast se ka ndalesa për eksportet e produkteve të caktuara, do të japin garanci se ndalesat nuk do të aplikohen për shtetet anëtare të Ballkanit të Hapur.

    “U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë, si në Qeveri ashtu edhe në opozitë, që të njohin rëndësinë e këtij projekti. Është shumë e rëndësishme për ne që të krijojmë një grup punues për parandalimin e krizave, pasi që e dimë se një vjeshtë dhe dimër i vështirë po afrohen”, tha Vuçiq.

    Në takimin e 2 shtatorit po marrin pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnjë e Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija. Po ashtu të pranishëm janë edhe kryediplomati i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ai i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

    “Pavarësisht faktit se disa ende nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur, shpresoj që ne do të zhvillojmë bashkëpunimin më të suksesshëm të mundshëm”, theksoi presidenti i Serbisë.

    Pamje nga samiti i Ballkanit të Hapur, që po mbahet në Beograd, 2 shtator 2022.
    Pamje nga samiti i Ballkanit të Hapur, që po mbahet në Beograd, 2 shtator 2022.

    Rama: Ftesë për Greqinë dhe Italinë

    Në hapje të samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ftesa për pjesëmarrje u është dërguar edhe ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Italisë, por të njëjtit nuk kanë mundur të marrin pjesë në takimin e Beogradit.

    “Shpresoj që do të marrin pjesë në takimin në Tiranë. Është shumë e rëndësishme për ne që nisma të mbledhë rreth vetes jo vetëm shtetet e rajonit, por edhe shtetet e rëndësishme nga zona përreth”, tha Rama.

    Kovaçevski: Do të ndihmojmë njëri-tjetrin

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, vlerësoi se nisma është “një shtytëse që na shtyn përballë sfidave të dimrit që po vjen”.

    “Sot është e qartë se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia kanë ndërmarrë një hap vendimtar në një moment vendimtar. Derisa disa të tjerë mendojnë se kjo mund të na largojë nga rruga evropiane, unë mendoj se kjo do të na forcojë dhe do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve”, tha ai në hapje të samitit.

    Kovaçevski po ashtu tha se përmes marrëveshjeve, anëtarët e Ballkanit të Hapur do të angazhohen që të sigurojnë stabilitet në furnizimin me ushqime.

    “Ne do të ndihmojmë njëri-tjetrin në të gjitha sfidat dhe çrregullimet që do të mund t’i hasim në tregjet e produkteve bujqësore”, theksoi ai.

    “Bllokadat në BeH ndonjëherë janë shumë të forta”

    Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, tha se në samit po merr pjesë si mysafir dhe vlerësoi se, siç i quajti ai, bllokadat në BeH ndonjëherë janë shumë të forta.

    “Sot, këtu do të deklaroj edhe një herë se është e nevojshme që BeH-ja t’i bashkohet Ballkanit të Hapur”, tha Tegeltija dhe i krahasoi ato liri me BE-në.

    Ai vlerësoi gjithashtu se pranimi i BeH-së në proces është i sigurt.

    “Ai [procesi] nuk i sjell askujt asgjë të keqe. Sot po e bllokojnë këtë proces vetëm dy persona. Por, edhe kjo do të kalojë, zgjedhjet po vijnë”, tha Tegeltija.

    Siç iu tha Radios Evropa e Lirë më 31 gusht nga kabineti i anëtarit të Presidencës së BeH, Shefik Xhaaferoviq, Presidenca nuk mori qëndrim për t’iu bashkuar nismës Ballkani i Hapur dhe as kryesuesi i Këshillit të Ministrave nuk ofroi një platformë për një paraqitje në Beograd.

    Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se Ballkani Hapur për një kohë të shkurtër ka treguar se mund të ofrojë siguri.

    “Kemi provuar gjithçka në historinë tonë, grindjet dhe konfliktet, por vetëm nuk kemi provuar të bashkëpunojmë. Është koha për të zgjedhur paqen dhe përparimin, dhe se fleksibilitet më i madh i kufijve nuk do të thotë ndryshim i tyre, por një shans më i madh për pajtim”, tha Abazoviq në hapje të Samitit.

    Ai konfirmoi se Mali i Zi nuk është anëtar i nismës, por gjithashtu konsideroi se shumica e qytetarëve do të zgjidhnin të mos presin në kufij.

    Shefi i diplomacisë turke: “Lufta në Evropë, alarm për të gjithë”

    Shefi i diplomacisë turke, Mevlut Cavusoglu, vlerësoi se nisma Ballkani i Hapur siguron një të ardhme të sigurt për të gjitha vendet.

    “Lufta në Evropë është alarm për të gjithë dhe ne po e shohim se sa të pambrojtur jemi në aspektin energjetik. Nuk ekziston ndonjë recetë tjetër përveç solidaritetit dhe ne në Turqi po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar fqinjët tanë në Ballkan që të sigurojnë sasi të gazit”, tha ai.

    Cavusoglu theksoi se ka ende shumë për t’u bërë në Ballkanin Perëndimor, por se ekzistojnë dy sfida.

    “Është kriza politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe presidenti turk ndër të tjera javën e ardhshme do të vizitojë Sarajevën. Tjetra është dialogu [me ndërmjetësimin e BE-së] ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Aty u tregua se ne duhet të përqendrohemi në interesat e përbashkëta, jo në atë që na ndanë”, tha Cavusoglu.

    Si pjesë e samitit, në takimin e liderëve do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit që janë përgjegjës për tërheqjen e investimeve brenda kësaj nisme. Po ashtu do të ketë takim të përfaqësuesve të grupeve të krizës, ku do të diskutohet për furnizimet me ushqim dhe energji.

    Marrëveshjet dypalëshe do të nënshkruhen gjatë ditës.

    Samiti po mbahet pas hapjes së Panairit të Verës, që është ngjarje në kuadër të Ballkanit të Hapur.

    “Vizioni i Verës për Ballkanin e Hapur” është ngjarje që u hap më 1 shtator dhe në hapje morën pjesë, Vuçiq, Rama, Kovaçevski dhe zyrtarë të tjetër të shteteve që iniciuan Ballkanin e Hapur më 2019. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Panaјotov: Problemi i gjuhës nuk do të mund të prishë marrëdhëniet Bullgari-RMV

    Lajmi i rradhës

    Bien çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë