Nisma për ndryshimin e Kushtetutës arriti në Kuvend, që sot vijojnë afatet për procedim

    Iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës ka mbërritur në Kuvend. Kështu njoftojnë shërbimet e Kuvendit të cilat thonë se prej sot nisin edhe afatet për shqyrtimin e saj. Pas pranimit të iniciativës kreu i Kuvendit, e ka caktuar seancën e Komisionit kushtetues për më 25 korrik, i cili duhet të diskutojë jo më shumë se 10 ditë, respektivisht deri më 7 ose 9 gusht. Ndërsa seancën plenare kryeparlamentari Talat Xhaferri e ka caktuar për më 18 gusht.

      Siç njoftuan edhe nga Qeveria, ndërhyrjet në Kushtetutë i referohen shtimit të pjesëve të kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 të Kushtetutës, kur numërohen pjesët e kombeve në shtet.

      “Në formulimin: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, pjesë e popullit shqiptar, populli turk, populli vllah, populli serb, populli rom, populli boshnjak e të tjerë”, vihet presje pas fjalës popull boshnjak dhe shtohet: populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebre dhe populli egjiptian. Në përputhje me këtë, edhe në Komisionin për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve është bërë amendament për të ruajtur barazinë e përfaqësuesve në Kuvend të të gjitha komuniteteve të përcaktuara në Preambulën e Kushtetutës”, njoftojnë nga Qeveria.

      Kryeministri Dimitar Kovaçevski, deklaroi se pasi iniciativa është dorëzuar në Kuvend, pret që në Komisionin kushtetues dhe në seancë të Kuvendit të ketë diskutim të frytshëm dhe debat konstruktiv e më pas të ketë edhe konsensus mbipartiak që do të mundësonte vazhdimin e rrugës eurointegruese të vendit.

      “Mendoj se bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese të cilat nuk godasin asnjë çështje të identitetit, ju e patë mbrëmë, u publikuan e nuk kishte asnjë koment negativ as në media dhe askund. Ne jemi shoqëri multietnike, multi konfesionale e cila është shembull në Evropë dhe mendoj se 120 deputetë në Kuvend do të kenë edhe vizion edhe guxim të sjellin vendim që do të thotë integrim evropian i shtetit dhe para së gjithash, sigurimi i ardhmërisë evropiane për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

      Ndërsa lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se do të kenë koordinim në parti dhe më pas do të vendosin si do të veprojnë gjatë procedurave për ndryshimet kushtetuese. Ai përsëriti se qëndrimi i VMRO DPMNE-së është i qartë se ndryshime kushtetuese nën diktat të Bullgarisë dhe me mënyrën si dorëzohen në Kuvend nuk janë të pranueshme.

      “Qeveria në mënyrë plotësuese e komplikon procesin me atë që definoi tekst të ndryshimeve Kushtetuese i cili jo vetëm që nuk është i pranueshëm, por mund të them se është tërësisht i paarsyeshëm. Dhe kështu siç është në mënyrë shtesë i rrezikon pozitat e Maqedonisë në suaza të anëtarësimit të plotë drejtë BE-së. Dhe tani do të doja ta dëgjojë arsyetimin e Qeverisë në cilën pjesë të konkluzioneve të Këshillit Evropian, në cilën pjesë të kornizës negociuese dhe në cilën pjesë të protokollit, ky tekst i këtyre ndryshimeve kushtetuese është i përfshirë”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

      Ndryshimet e Kushtetutës duhet të miratohet nga Kuvendi me shumicë prej dy të tretave, pra me së paku 80 vota, dhe duke qenë se bëhet fjalë për ndryshim të Preambulës, është e nevojshme të votohet edhe me badenter, respektivisht të mbështeten nga të paktën 21 prej 40 deputetë që nuk janë pjesëtarë të komunitetit maqedonas në Kuvend. /Alsat/

      Lajmi Paraprak

      Paris Saint-Germain po shqyrton një masë drastike për të detyruar Mbappen të largohet këtë verë

      Lajmi i rradhës

      Bekteshi nuk bëhet “pishman” për minierën Ilovica, edhe 100 herë do të veproja njëjtë

      Lajme tjera

      Bashkohu

      Informohu në kohë