Nxënësit shqiptarë të fshatit Nerovë të Krushevës mësojnë në kushte të mjerueshme

    E vjetër, vende-vende e arnuar, pa kushte të mirëfillta për mësim, me tualete jashtë objektit të shkollës dhe në gjendje të mjerueshme.

    Kjo është sholla periferike “Nikolla Karev” në fshatin Nerovë të Krushevës, ku mësojnë 140 nxënës shqiptarë në 3 klasa me nga dy ndërrime. Ato pak rikonstruktime që janë bërë, janë falë banorëve të fshatit me anë të donacioneve.

    E kjo është zyra e mësuesve e improvizuar në korridorin e shkollës.

     “Klasat na nevojiten se ka më shumë nxënës, gjithashtu na nevojitet edhe një zyrë komode si në vendet tjera, pavarësisht se jemi në vend rural kushtet duhet të përmirësohen sepse nuk jemi në shekujt e para erës sonë, jemi në shekullin 21 dhe ende presim nga donatorë, nga njerëz dashamirës të arsimit, që të ndihmojnë sadopak, na nevojiten kushtet të përmirësohen, kemi kërkuar, jo që s’kemi kërkuar, por gjithçka është lënë në harresë dhe ka kaluar në vesh të shurdhër”- Deklaroi Alemsha Zhuta-Imeri, mësimdhënëse.

    Klasat janë të vjetra dhe me kushte jo të favorshme për mësim, këta nxënës nuk kanë as kompjuterë e as tabletë, por mësojnë me libra dhe fletore.

     “Të kemi një shkollë të re, të kemi kompjuterë, tabletë, bankat siç i shikoni  janë të shkarravitura nuk janë të reja, nuk kemi sallë sporti, kemi stadium por nuk është i mirë është me ferra nuk është i rregulluar.”

    Përgjegjësi i shkollës, Adnan Imeri, i cili para disa ditësh ka dalë në pension, thotë se numri i nxënësve është i mjaftueshëm që kjo shkollë të jetë shkollë më vete dhe jo të funksionojë në kuadër të shkollës ”Nikolla Karev”, vetëm se u duhen kushte dhe hapësira për të funksionuar.

    “Kjo shkollë i plotëson kushtet të jetë shkollë më vete dhe ka mjaftueshëm nxënës dhe plani 10 vjetor që e kemi bërë tregon se numri i nxënësve do të rritet dhe nuk do të zvogëlohet, kemi edhe nxënës edhe kuadrin arsimor të gjithë të diplomuar, vetëm se na duhen më shumë mësonjëtore”- pohoi Adnan Imeri, ish përgjegjës i shkollës.

    Mësuesi në pension Qani Rustemi tregon se kjo shkollë është ndërtuar në vitin 1960 dhe që atëherë vetëm se është rikuperuar me iniciativë të banorëve por që asnjëherë nuk është ndërmarrë asnjë hap për ndërtimin dhe zgjerimin e saj nga organet kompetente.

    “Jemi të lënë pas dore, komuna nuk na ndihmon, ministria nuk interesohej për arsimin nëpër fshatra, shihnin vetëm qytetet, ne ishim të lënë pas dore nuk kishim as mjete një dërrasë të zezë, diçka shkumësa dhe asgjë tjetër”- tha Qani Rustemi, mësimdhënës në pension.

    Këta 140 nxënës nuk kanë as sallë sporti e as stadium për aktivitetet e edukatës fizike. TV21 kontaktoi me zëvendësministrin e Arsimit Lulzim Aliun i cili tha se janë të njoftuar me gjendjen e shkollës dhe se do ta fusin në projektet me prioritet.

    Lajmi Paraprak

    “Rritet për 10 për qind çmimi i energjisë elektrike, falë politikave të këqija të qeverisë”

    Lajmi i rradhës

    Angelloski: Bizneset të reagojnë, të kërkojnë mbështetje nga shteti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë