Odat Ekonomike në RMV kundër tatimit solidar

    Lidhja e Odave Ekonomike kërkon pezullimin e procedurës për miratimin e propozim Ligjit për Tatimin e Solidaritetit, e cila është dorëzuar nga Qeveria në procedurë parlamentare me flamurin evropian. Ky tatim i solidaritetit ndonëse u paralajmërua që do të mbledh rreth 90 milionë euro, tani në përllogaritjet e projektligjit pritet të vjelë rreth 140 milion euro. Nga Lidhja e Odave ekonomike thonë se ky tatim është diskriminues ndaj rreth 200 kompanive të vendit.

     “Në kohën e krizës ata që kanë investuar dhe janë të suksesshëm tani duhet tu shtohet një tatim ekstra. Ka kompani që me këtë prag prej 20%, ndonëse çdo vit kanë përfitime marramendëse, por nuk përfshihen në atë tatim sepse për pak nuk e kalojnë limitin, për shembull bankat. Ky ligj vepron në mënyrë retroaktive andaj sipas neve nuk është normale sepse kompanitë nuk mund ti planifikojnë financat e tyre. Nuk mund të planifikojnë mënyrën e funksionimit të punës. Andaj vlerësojmë se nuk është i duhuri,” tha Goran Georgievski, Nënkryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike.

    Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, tha se në këtë mënyrë nuk ulet ekonomia gri, përkatësisht nuk ndëshkohen ata që nuk i respektojnë detyrimet fiskale ndaj shtetit, nuk paguajnë tatimet e rregullta por i fshehin dhe krijojnë ekonomi jo formale. Por, sipas tij, ndëshkohen ata që i kanë deklaruar të hyrat e punës së suksesshme në kohë krize dhe ato fitimi shteti i takson me tatimin e solidaritetit.

    “Gjithë duhet ta dinë se ky është gjithçka përveç solidaritetit. Përkundër përpjekjes së pushtetit të qaset ndaj qytetarëve që do ti taksoj ata që kanë përfituar në kohë krize dhe ato para do të rikthehen tek kategoritë në nevojë, nuk është e vërtetë! Është gënjeshtër! Këto para do të përfundojnë në projekte të dyshimta dhe tender na 4 sy apo xhepa privat. Apo është një fond qo do të hidhet në hendekun që kjo qeveri kriminale e paaftë e ka krijuar në buxhet,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.

    Përndryshe, dje në kuadër të seancës së 120 të Kuvendit, me 62 vota “pro”, një abstenim dhe asnjë kundër, shumica ka mbështetur miratimin me procedurë të shkurtuar të ligjit për tatimin e solidaritetit. Në vazhdën e reformave fiskale, me procedurë të njëjtë do të trajtohen edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në fitim. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Orce Kamçev në listën e zezë amerikane

    Lajmi i rradhës

    Spasovski: Ismet Guri nuk është arrestuar se ka qenë pjesëtar i “Grupit të Zjarrit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë