Policia ka përfunduar raportin për zjarrin në Tetovë, Prokuroria nuk tregon detaje

    Ka përfunduar raporti i policisë pas ekspertizës në spitalin modular të Tetovës. Prokuroria njofton se Sektori për hetime kriminalistike-teknike dhe për ekspertizë ka dorëzuar dokument që duhet të analizohet. Megjithatë, Prokuroria nuk jep më shumë detaje, nëse MPB-ja ka vërtetuar si është paraqitur zjarri ku jetën humbën 14 persona.

    Veprimet për vërtetimin e shkaqeve për zjarrin e paraqitur që i bëjnë pesë prokurorët vazhdojnë. Për momentin, zhvillohet biseda me anëtarët e Komisioneve për zbatim, ndjekje dhe pranim teknik të kontejnerëve modulare montuese, që janë formuar me vendim nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale – njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.

    Raport përfundimtar dhe vërtetim të shkaqeve për zjarrin më 8 shtator, pret edhe kryeministri Zaev. Nga hetimi varet nëse do të aktivizohen dorëheqjet e ministrit dhe zëvendësit të shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Ili Hasani si dhe të dy drejtorëve në spitalin e Tetovës.

    Pres që raportet të publikohen sa më shpejtë, është më mirë që t’i zgjidhim të gjitha këto dilema. Jeta vazhdon. Politikanët janë në fushatë. Ka aktivitete të përditshme dhe është radha të publikohet ai raport, që të mundem edhe unë ta them qëndrimin tim lidhur me dorëheqjet e ofruara nga ministri dhe zëvendësi i tij – u shpreh Zoran Zaev- kryeministër.

    Ekspertizë në spitalin modular në Tetovë përveç policisë së vendit, ka bërë edhe një ekip i policisë kriminalistike gjermane që gjithashtu duhet të përgatisë raport. Hetimi i Prokurorisë duhet të tregojë nëse gjatë montimit të repartit modular janë respektuar të gjitha normat ligjore, nëse ka pasur pranim teknik dhe kush ka qenë përgjegjës për të dhënë dritë jeshile që objekti të mund të pranojë pacientë. Sipas të dhënave publike, asnjë spital modular në vend nuk ka qenë i siguruar ndërsa në mënyrë shtesë duhet të vërtetohet pse nuk ka pasur sistem për detektim të shpejtë dhe fikje të zjarrit. Projektin për ndërtimin e repartit modular e financoi Banka Botërore me kredi ndërsa furnizimin publik e realizoi Ministria e Punës. Tenderin për montimin dhe pajisjen e spitaleve modulare e fitoi kompania “Brako” nga Velesi./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    PSG synon transferimin e Lewandowskit

    Lajmi i rradhës

    Të rritesh me një prind me çregullim mendor: Roli i stigmës!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë