Gati një e treta e amendamenteve për raportin e progresit të Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian vijnë nga eurodeputetët bullgarë. Ky fakt po ngjall debat të ri rreth përpjekjeve të Sofjes për të ndikuar në rrugën evropiane të Shkupit. Me afro 100 amendamente të dorëzuara në raportin e eurodeputetit Tomas Vajc për progresin e vendit, përfaqësuesit bullgarë duket se po përpiqen të zgjerojnë listën e kushteve dhe të problematizojnë statusin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit në BE.
Nëse analizohet përmbajtja e amendamenteve, bëhet e qartë se përpjekja kryesore e tyre është që të shtyhen përpara ndryshimet kushtetuese, por ndërkohë mes rreshtash mund të lexohet edhe një tendencë për të vënë në pikëpyetje vetë procedurën, përkatësisht konkluzat e Këshillit të BE-së nga viti 2022. Sipas atyre konkluzave, pas përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë do të vazhdojnë automatikisht negociatat me BE-në, por tani disa nga amendamentet lënë të kuptohet se edhe kjo mund të vihet në diskutim. Në praktikë, euro-deputetët bullgarë po përpiqen të shfrytëzojnë dobësitë në menaxhimin e brendshëm të shtetit për të vendosur kushte shtesë për procesin e integrimit. Ata theksojnë rezultatet e pamjaftueshme në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe çështje të tjera, duke krijuar hapësirë që në debat të rikthehen edhe temat nga të cilat Bullgaria nuk heq dorë, si festimet e përbashkëta historike, interpretimi i historisë, gjuha, dosjet e shërbimeve sekrete, gjuha e urrejtjes dhe përmbajtja e teksteve shkollore.
Megjithatë, fakti që pas këtyre amendamenteve nuk qëndron mbështetje e gjerë nga eurodeputetë të tjerë e bën më pak të mundshme që ato të kalojnë në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Përjashtim mund të jetë vetëm eurodeputeti francez Jordan Bardella, për të cilin çdo zhvillim që ngadalëson zgjerimin e BE-së është politikisht i dobishëm.
Në këtë kontekst, raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc, ka propozuar edhe një amendament të tijin, duke kërkuar për herë të parë që shërbimi juridik i Këshillit Evropian të sqarojë urgjentisht “të gjitha paqartësitë lidhur me statusin juridik në procesin e anëtarësimit në BE të Protokollit të dytë bilateral të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe miqësi” mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me këtë, Vajc kërkon që Këshilli Evropian të sqarojë më qartë se çfarë nënkuptojnë përfundimet e vitit 2022, ku përmendet protokolli, por pa u paraqitur si kusht formal për vazhdimin e negociatave.
Në një tjetër amendament, Ëaitz prek edhe çështjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Në tekst thuhet se ekzistojnë interpretime të ndryshme për origjinën e gjuhës dhe identitetit maqedonas, por njëkohësisht theksohet se raporti nuk synon të paragjykojë apo të kufizojë debatin shkencor për këto çështje dhe se ato nuk ndikojnë në vlerësimin e Parlamentit Evropian për progresin e vendit në procesin e anëtarësimit. Vlerësimi, sipas raportit, mbetet i bazuar në kriteret e Kopenhagës dhe në parimet e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Me fjalë të tjera, raportuesi sinjalizon se, ndonëse ekzistojnë interpretime të ndryshme për këto çështje, ato nuk duhet të bëhen pjesë e kritereve për anëtarësim apo e kornizës negociuese. Në vazhdim, Ëaitz kërkon që Këshilli Evropian dhe Komisioni Evropian të angazhohen më aktivisht për zhbllokimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Ai propozon gjithashtu që hapja dhe mbyllja e kapitujve negociues të vendoset me shumicë të cilësuar dhe jo me konsensus të plotë, siç ndodh aktualisht për çdo fazë të procesit.
Sipas amendamenteve të paraqitura, eurodeputetët bullgarë veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të fokusuar. Ata i referohen edhe vlerësimeve të Parlamentit Evropian se progresi i Maqedonisë së Veriut gjatë vitit të kaluar ka qenë më i ulët krahasuar me periudhat e mëparshme dhe përmes kësaj përpiqen të vënë në dyshim vazhdimin automatik të negociatave pas ndryshimeve kushtetuese.
Eurodeputeti Ivaylo Valchev nga partia ITN kërkon që në raport të përfshihet edhe vlerësimi se Maqedonia e Veriut nuk po i përmbush plotësisht detyrimet ndërkombëtare. Si argument ai përmend jo vetëm marrëveshjen për ndryshimet kushtetuese dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, por edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë. Në planin afatgjatë, eurodeputetët bullgarë po e vendosin theksin edhe te çështja e të drejtave gjuhësore. Kjo shihet në amendamentet me të cilat ata mbrojnë fuqishëm Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ata gjithashtu kërkojnë rikthimin e mekanizmit të njohur si “Balancuesi”, ose një mekanizëm tjetër që do të garantonte përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në institucionet shtetërore, një çështje që nuk është ngritur nga eurodeputetë të tjerë në Parlamentin Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe përdorimin e gjuhës shqipe, duke pretenduar se ajo është e rrezikuar nga disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, amendamentet e eurodeputetëve të tjerë që kërkojnë që çështjet bilaterale të zgjidhen përmes dialogut të ndërsjellë dhe jashtë procesit të zgjerimit të BE-së, apo që kërkojnë kritere të qarta pa kushtëzime politike, përballen me kundër-amendamente nga përfaqësuesit bullgarë. Këta të fundit kërkojnë madje edhe raporte të veçanta për disa aspekte të Protokollit bilateral. Në këtë drejtim, eurodeputeti Andrey Kovaçev nga GERB ka propozuar që Komisioni Evropian, në raportin vjetor për progresin e Maqedonisë së Veriut, të përfshijë seksione të veçanta për punën e Komisionit të përbashkët historik dhe arsimor, si dhe për trajtimin e bullgarëve në vend. Ai kërkon madje edhe një lloj plani veprimi për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, me afate të qarta kohore dhe me vlerësim të progresit të arritur.
Në praktikë, kjo do të thoshte që raporti për progresin e Maqedonisë së Veriut të përmbajë edhe raporte shtesë për marrëdhëniet me Bullgarinë, duke i dhënë këtyre çështjeve një peshë të veçantë dhe duke i shndërruar ato në kushte të reja në rrugën e integrimit evropian.
Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, alarmon se vendi po mbetet pas në procesin euro-integrues, për shkak të mos-angazhimit të qeverisë. AI theksoi se përderisa vendet e rajonit po ecin me hapa të mëdha drejt integrimit, shqetësues mbetet qëndrimi i qeverisë, që sipas FIlipçen, i thotë ndal Evropës, ndërsa ia hap dyert botës serbe. “Nga Evropa seriozisht kanë vërejtje se politika jonë po devijon pak, nga politika e përbashkët e sigurisë e BE-së, ai është momenti i parë. Momenti i dytë është se nëse tani e lëshojmë këtë mundësi, prioritetet nesër mund të ndryshojnë. Ndoshta do ti jepet prioritet Moldavisë, Ukrainës dhe vendeve tjera. Nëse BE na sheh se ne nuk dëshirojmë të shkojmë në BE, për shkak të asaj se qeveria sillet siç sillet, ata mund të thonë se nuk na planifikojnë në të ardhmen”, theksoi Filipçe, i cili tha se vendi përfundimisht duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese dhe ti hap dosjet e UDB-së. /Koha/






