Qendrat pranojnë 70 fëmijë, të tjerët në rrugë!

    Dita Botërore e fëmijëve të rrugës është shënuar në Shkup me mesazhe sensibilizuese për të gjithë ata fëmijë që pjesën më të madhe të jetës e kalojnë në rrugë. Sa fëmijë e sigurojnë jetesën në rrugë? Autoritetet zyrtare nuk disponojnë me shifra të sakta. Situata është alarmante për faktin se një pjesë e këtyre fëmijëve nuk janë të evidentuar as në librat amë gjë që i bën edhe më të rrezikuar nga aspekti social. Nga Avokati i Popullit pohojnë se duke qenë se në nivel shtetëror janë vetëm tre qendra ditore, në Kisella Vodë dhe dy në Shuto Orizare, të kufizuara sa i takon numrit (deri në 24 fëmijë), vetëm 70-80 fëmijë janë nën kujdesin ditor. Por këto shifra nuk korrespondojnë me realitetin.

    “ Numri që shohim çdo ditë në rrugë, të cilin e shohim orëve të pasdites, tregon për një shifër shumë më serioze dhe ky është edhe një nga rekomandimet për tu zhvilluar monitorim sistematik të numrit, sepse me disa të dhëna dalin qendrat për punë sociale, pastaj me tjetër organizatat civile, pastaj Instituti për veprimtari sociale e cila po ashtu bënë mbikëqyrje, apo ka kompetenca për këtë fenomen negativ. Pra, ky është një alarm se duhet të merremi shumë më seriozisht për zgjidhjen e problemit të fëmijëve në rrugë, fëmijëve në rrezik social”, thekson Vaska Bajramovska Mustafa, këshilltare shtetërore nga zyra e Avokatit të Popullit.

    Të dhënat e grumbulluara nga Avokati i Popullit nga Qendrat për punë sociale, intervistat me prindërit, fëmijët e përkujdesur, fëmijët në rrugë, tregojnë se fenomeni nuk merret seriozisht, duke pasur parasysh se numri më i madh, nëse jo pothuajse të gjithë fëmijët lypsarë janë pjesëtarë të komunitetit rom, vijnë nga familje që jetojnë në kushte jashtëzakonisht të këqija, në kushte substandarde të jetesës, pa ujë, pa rrymë, pa asnjë mundësi për rritje dhe zhvillim normal, prindërit janë me arsimim të ulët ose pas asnjë edukim, pa punë dhe ekzistojnë vetëm duke bredhur rrugëve ose mundësisht përmes sigurimit të së drejtës për mbrojtje sociale.

    Aktiviteti “Rritja e fëmijëve në mjedis të shëndoshë familjar, me kujdes prindëror cilësor – segment kyç për zgjidhjen efektive të dukurisë negative – fëmijët në rrugë” është zhvilluar në qendra e kujdesit ditor në Shuto Orizare. Ngjarja është organizuar në kuadër të projektit të BE-së: Forcimi i të drejtave bazë dhe aplikimi i përforcuar i masave alternative” mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Një sy mbyllur për studentët e Luginës!

    Lajmi i rradhës

    Kaq para mund t’i dhurosh një partie politike në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë