QESET PLASTIKE NË RMV | Midis ndalesës së plotë dhe pagesës

    Pas Maqedonisë së Veriut që në dhjetor të vitit të kaluar e ndaloi përdorimin e qeseve plastike, fundit të përdorimit të qeseve plastike i ka dhënë edhe Shqipëria me 1 qershor, ndërsa Kosova mund të ecë kësaj rruge në të ardhmen. Aktualisht në Kosovë po synohet reduktimi gradual i përdorimit.

    Që nga janari i vitit të ardhshëm qeset plastike në krejt Kosovën do të bëhen me pagesë. Ky vendim u mor nga ministria e mjedisit, pas një hulumtimi të bërë në teren. “Mënyra ma e mirë është vendosja e një takse për qese plastike, në fillim duhet me u bë një udhëzim administrativ që rregullon çështjen e pagesës dhe kemi menduar që prej janarit 2023 të fillojmë me i bë qeset me pagesë”, tha Linda Çavdarbasha, zëvendësministre në Ministrinë e Mjedisit. Shitësit janë pro vendimit, bile kanë edhe këshilla që çmimi t’u vendoset sa më i lartë në mënyrë që të përdoren sa më pak. Nga ministria thanë se po synojnë që viteve në vijim, qeset e plastikës që janë të dëmshme për shëndetin e ambientin, të largohen krejtësisht nga përdorimi.

    Në ndërkohë, analizat tregojnë se në Shqipëri një person përdor në ditë afërsisht 3 qese plastike. Me ligjin e ri synohet reduktimi i tyre dhe përdorimi i sa më shumë çantave prej kartoni apo rrobe.

    Sipas analizave të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ndotja në mjedis pritet të reduktohet me 8 për qind në dy vitet e para.

    Keqmenaxhimi i mbetjeve ka sjellë pasoja të rënda në mjedis, sfida e radhës është pastrimi i mjedisit, kryesisht i botës ujore pasi Shqipëria është ndër ndotësit kryesorë të Detit Adriatik me produkte plastike.

    “Ka rezultuar se produkti që sjell ndotjen më të lartë nga plastika janë qeset plastike një përdorshme. Kemi pasur dhe ankesa nga Kroacia, që kanë sjelle dhe një kërkesë për reagim nga Shqipëria”, thotë Elvis Tosuni, këshilltar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

    Në Maqedoninë e Veriut, katër muaj pas ndalesës së përdorimit të qeseve plastike, apo përdorimit të lejuar të qeseve që mund të treten në aspektin biologjik prej 15 denarësh, në Fondin e posaçëm për mjedisin jetësor në periudhën dhjetor të vitit të kaluar dhe tre muajt e parë të këtij viti, janë grumbulluar 44 milionë denarë. Me këto mjete sqaron ministri i ambientit Naser Nuredini, planifikohet të blihen kontejnerë për seleksionimin e mbeturinave që do të vendosen nëpër komuna.

    “Do t’i propozojmë qeverisë, për shkak se bëhet fjalë për mjete nga buxheti,që me këto mjete, bashkë me vepruesit kolektiv si ‘Pakomak’ të vendosim një sistem dhe të blejmë kontejnerë për selektimin e mbetjeve. Kjo kërkon një marrëveshje midis Ministrisë, vepruesve kolektiv me mbeturinat dhe komunat ku do të vendosen kontejnerët dhe kush do të mbledhë përmbajtjen e tyre, në mënyrë që qytetarët të mund vetë të seleksionojnë mbetjet – plastikën, kanaçet, kartonat dhe qelqin. Nëse seleksionohen mbetjet , do të ketë një sasi më të vogël për deponim”, shton Nuredini.

    Gjithashtu në 2020, Shoqata për menaxhimin me mbeturinat pranë Odës ekonomike prezantoi të dhënat se në vit në vend përdoren ndërmjet 120 dhe 150 milionë qese plastike, apo afër 2000 ton plastikë. Kjo paraqet dy deri tre për qind të mbeturinave nga paketimi, mirëpo është mjaft e madhe si vëllim. Njëherësh të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se në vitin e kaluar, kompanitë në vend kanë prodhuar 5000 ton ambalazh plastik dhe qese.

    Të dhënat e Entit Evropian të mjedisit tregojnë se një e katërta e shteteve në botë kanë ndaluar në tërësi përdorimin e qeseve plastike, apo kanë rritur koston e tyre. Në Belgjikë dhe Irlandë ato tatimohen apo paguhen, në favor të uljes së ndotjes së ambientit.

    Nga ana tjetër më shumë shtete në botë kanë vendosur ndalesën e qeseve plastike apo pagesën e tyre. Banglladeshi që para 20 vitesh apo në vitin 2002 vendosi ndalesë të plotë të qeseve plastike të lehta, Ndërmjet viteve 2018 dhe 2019, janë trefishuar angazhimet e qeverive në botë për ndalesa të tilla.

    Vendet që kanë vendosur ndalesë të plotë për përdorimin e qeseve plastika janë: Avganistani, Shqipëria, Andora, Antigua dhe Barbuda, Ermenia, Australia, Austria, Azerbejxhani, Bahamat, Bahrejni, Bangladeshi, Barbadosi, Belgjika, Belize, Benini, Butani, Bocvana, Burkina Faso, Burundi, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Republika e Afrikës qendrore, Kili, Kina, Kolumbia, Komoret, Kostarika, Republika Demokratike Kongo, Republika Kongo, Kroacia, Xhibuti, Dominikanet, Timori lindor, Eritrea, Fixhi, Franca, Gaboni, Gambia, Gjeorgjia, Gjermania, Grenada, Guatemala, Guinea Bisao, Guajana, Haiti, Islanda, India, Italia, Bregu i Fildishtë, Xhamajka, Kenia, Kiribati, Madagaskari, Maldivi, Mali, Malta, Ishujt e Marshallit, Mauritania, Mauricijusi, Mikronezia, Moldavia, Monako, Mongolia, Maroko, Nauru, Nepal, Zelanda e Re, Nigeria, Omani, Pakistani, Palau, Panama, Papua, Guinea e Re, Rumunia, Ruanda, Shën Vinsent dhe Grenadinet, Samoa, San Marino, Senegal, Sejsheli, Korea e Veriut, Sudani Jugor, Shri Lanka , Tanzania, Tajlanda, Togo, Tunis, Tuvalu, Uganda, Ukraina, Uruguai, Vanuatu, Vatikani, Jemeni dhe Zimbabve.

    Kompensim për çdo qese veç e veç kanë vendosur: Bosna dhe Hercegovina, Bullgaria, Kamboxha, Tajvan, Qipro, Çekia, Danimarka, Ekuadori, Estonia, Greqia, Hungaria, Irlanda Izraeli, Japonia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Mozambiku, Holanda, Maqedonia e Veriut, Peru, Polonia, Portugalia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Uzbekistani.

    Në më shumë se 20 shtete në botë si Argjentina, Brazili, ShBA-të, Kanada etj ekzistojnë ndalesa vetë në rajone të caktuara, ndërsa katër shtete si Brunei, Finlanda, Norvegjia dhe Zvicra kanë lënë hapësira për vendosje e pagesës së qeseve. Vetëm në Gjenevë është në fuqi, ndalesa e plotë prej vitit 2020.

    Gjithashtu në Evropë ka filluar me të madhe zëvendësimi dhe riciklimi i plastmasit. Gjermanët me 60 qese të përdorura për frymë në vit, përdorin për gjysmë më pak qese plastike sa Australianët. Në të njëjtën kohë, Gjermania ka një sistem riciklimi shumë të mirë. Sido që të jetë, ndalesat janë të përshtatshme dhe të arsyeshme nëse ekziston një alternativë e përshtatshme. Kështu, në Itali, qeset plastike janë ndaluar dhe zëvendësuar me qese të biodegradueshme apo që treten. Ekspertët gjermanë nuk janë përkrahës të këtyre masave sepse këto qese nuk janë vërtet miqësore me mjedisin sepse dekompozimi i tyre gjithashtu merr 100 vjet. Agjencia Federale e Mbrojtjes së Mjedisit në Gjermani kundërshton ndalimin e përdorimit të qeseve plastike dhe propozon t’u bëjë thirrje konsumatorëve që të zëvendësojnë qeset plastike me qese prej pëlhure. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Pakënaqësi te punonjësit e sektorit publik, LSM sot do të protestojë para MPPS-së

    Lajmi i rradhës

    Mësuesit ankohen se, koncepti i ri nuk është i duhur dhe se përmbajtjet nuk përkojnë me moshën e fëmijëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë