Serbia dhe Izraeli do të prodhojnë së bashku dronë luftarakë; Vuçiq: do të kemi më të mirët në rajon

    Serbia do të prodhojë dronë luftarakë së bashku me Izraelin, ka raportuar të martën presidenti populist Aleksandar Vuçiç, ndërsa vendi ballkanik synon të rrisë prodhimin e tij ushtarak dhe të armëve, përcjell Nistori.

    Vuçiç tha se “do të kemi dronët më të mirë në këtë pjesë të botës”, sipas agjencisë së lajmeve Tanjug. Ai shtoi se dronët nuk do të jenë të lirë, por do të jenë shumë efikasë në shkatërrimin e automjeteve të blinduara, sipas raportit.

    Vuçiç nuk specifikoi detaje për prodhimin e ardhshëm, thuhet në raport.

    “Ne nuk dimë të prodhojmë dronë siç bën Izraeli”, tha ai. “Jam krenar për këtë plan. Do ta bëjmë së bashku, do të jetë gjysmë-gjysmë, 50-50”.

    Serbia “do të marrë inovacion dhe do të trajnojë njerëzit tanë, të cilët do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në të ardhmen”, shtoi Vuçiç.

    Prodhuesi shtetëror i armëve Yugoimport SDPR i këtij vendi ballkanik do të hapë një fabrikë dronësh me Elbit Systems, sipas shërbimit të lajmeve BIRN. Raporti thotë se kompania izraelite do të zotërojë 51% të fabrikës së ardhshme.

    Qeveria e Vuçiçit është përpjekur të forcojë ushtrinë e saj. Në vitin 2024, Serbia porositi 12 avionë luftarakë Rafale të prodhuar në Francë, në një përpjekje për të modernizuar flotën e saj.

    Beogradi gjithashtu ka blerë pajisje ushtarake nga Kina dhe Rusia, duke mbajtur lidhje të ngushta me këto dy vende, pavarësisht synimit zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s, e cila bombardoi vendin në vitin 1999 për të ndalur një luftë në Kosovë pas një dekade konfliktesh në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    PABARAZI GJINORE NË BIZNES | As 10 % kredi për gratë afariste në RMV

    Lajmi i rradhës

    Epilogu i konfliktit në Iran “do të vendoset nga ajo se kush duron më shumë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë