Sezoni i dasmave nuk ka filluar, por përgatitjet bëhen me të madhe si para pandemisë

    Ende pa nisur sezoni i dasmave, me të madhe kanë filluar përgatitjet për ahengje sikur para pandemisë. Shitësit thonë se kohët e fundit ka rritje të madhe të interesimit për blerje të veshjeve të nusërisë. Ata shpresojnë në heqjen e tërësishme të masave anti covid që të mund të kompensohen humbjet e dy viteve të fundit.

    “Vera 2022 pritet të jetë përplot dasma e ahengje të ndryshme familjare. Edhe pse nuk janë hequr në tërësi masat anti covid është rritur dukshëm interesimi për veshjet e nusërisë dhe stolitë e dasmave për verën e këtij viti”.

    Dyqanet konfirmojnë se tashmë ka rezervime dhe blerje masive për muajt korrik dhe gusht. Madje, sipas pronarëve ky interesim kaq i lartë për organizimin e ahengjeve është shpresëdhënës për përmirësimin e gjendjes në këtë biznes.

    “Presim më tepër punë këtë vit sepse tashmë kanë filluar porositë e dallameve dhe jelekëve të arit që nuset do i bëjnë këtë vit. Zakonisht porositë bëhen dy tre muaj para dasmë sepse këto janë të punuara më dorë dhe kërkojnë më tepër punë, më tepër përkushtim dhe për atë shkak porositë i bëjnë në fillim të vitit që për muajt maj, qershor dhe korrik, kur është sezoni i dasmave të jenë gati”, tha Orhan Ameti, pronar dyqani

    Rrobaqepësja e fustaneve të nusërisë, Medina Fasli shpreson në heqjen e tërësishme të masave anti covid. Siç tha ajo vetëm në këtë mënyrë mund të kompensohen humbjet e dy viteve në këtë biznes.

    “Besoj se do të jetë shumë më i suksesshëm, do të ketë më shumë dasma, terminët për fustanet e bardhë janë shumë me numër më të lartë se dy vjetët e fundit. Për muajin e shtatë dhe të tetë terminë nuk ka. Besoj që edhe restorantet edhe muzikantët shumë më sukses do të kenë sivjet krahasuar me dy vitet e fundit. A mendoni se këtë vit do të mund t’i kompensoni të gjitha humbjet e dy viteve të kaluara? Nuk e di a do të mund t’i kompensojmë të gjitha humbjet por besoj se do afrohemi deri diku”, tha Medina Fasli, rrobaqepëse

    Bashkëbiseduesit thanë se për shkak të numrit të lartë të porosive për veshjet e nusërisë tashmë kanë planifikuar edhe rritjen e numrit të punëtorëve. Në bazë të protokolleve aktuale objektet gastronomike që janë të regjistruara për festime ku bëjnë pjesë edhe dasmat mund të organizojnë punën si restorante në pjesën e hapur dhe të mbyllur të objektit deri në 50% të kapacitetit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rusët bombardojnë xhaminë e Mariupolit në Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    Fragmente nga “Erosi dhe qytetërimi”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë