Shkolla “Faik Konica” në Odër të Tetovës edhe këtë dimër do ta kalojnë me probleme për ngrohjen

    Rreth 130 nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” të fshatit Odri të komunës së Tearcës, si duket, edhe këtë dimër do e kalojnë në të ftohtë. Premtimi që dha ministria e arsimit dhe komuna për rregullimin e ngrohjes qendrore, nuk është ende askund. Në vend të vendosjes së ngrohjes së re qendrore, apo invertorëve siç kërkonin prindërit, komuna, vendosi kaloriferë të vegjël të cilët, sipas tyre, do e kryenin punën e nxehjes qendrore.

    “Vitin e kaluar ne intervenuam në nxehje, krahas ngrohjes me naftë ne instaluam edhe kaloriferë për ngrohje me rrymë. Kështu që ne jemi të përgatitur që nxënësit në atë shkollë sa i përket ngrohjes dhe racionalizimit të energjisë të jemi të përgatitur që nxënësit të mësojnë në kushte komode dhe me ngrohje siç i kanë shkollat tjera. Kapaciteti është që një kalorifer që është vendosur të ngroh një mësojtore një klasë”, tha Muhamet Rexhepi, Përgjegjës i sektorit për Arsim në Tearcë.

    Por për çfarë kaloriferësh flasin nga komuna e Tearcës dhe Ministria e Arsimit?

    Me kalorifer pretendohet të ngrohet e tërë klasa, në mungesë të një ngrohje qendrore efikase. Se a mundet të ngroh 24 nxënës një kalorifer?

    Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri i cili kishte premtuar se problemi do të zgjidhet gjatë pushimit veror, tani nuk e din nëse komuna e Tearcës ka dorëzuar apo jo projekt dokumentacion për ngrohjen qendrore dhe instalimin e ri të rrymës.

    “Për vitin 2023 edhe për shkollën e Odrit dhe shkollat tjera ne kishim thirrje, dhe për herë të parë përveç komuna pati dhe shkolla që mund të dorëzojnë projekte, dhe më shumë se 150 shkolla kanë dorëzu projekte. Besoj se për këtë pjesë për rastin konkret për shkollën e Odrit unë do mundohem t`iu kthej përgjigje nëse është dorëzu ndonjë projekt për shkollën. Pasi të shoh të gjitha kërkesat nga komuna e Tetovës, mund t`ju kthej përgjigje se cilat janë projektet e dorëzuar nga komuna”, deklaroi Jeton Shaqiri. Ministër i Arsimit dhe shkencës.

    A mban përgjegjësi dikush për këta fëmijë që dimrin do e kalojnë sërish në të ftohtë pa nxehje qendrore?

    “Tash e kuptoni që procesi i arsimit menaxhohet nga pushteti qendror dhe lokal. Përgjegjësi do i kërkojmë gjithsecilit dhe nëse ka një drejtor shkolle dhe komuna po ashtu të shohim ku është çështja e dokumentacionit. Dimri po na vjen dhe nëse kemi kohë në periudhën e ardhshme t`i organizojmë sa më shpejtë procedurat”, shtoi ai.

    Ndryshe, vitin e kaluar prindërit nuk i lejuan fëmijët të shkojnë në Shkollë duke kërkuar përmirësimin e kushteve në shkollë. Nga të gjitha premtimet, në këtë objekt Shkollor janë ndërruar vetëm dritaret. Nga Komuna e Tearcës thanë për Alsat se tek tani kanë filluar me përgatitjet e projektit për ngrohjen qendrore, ndërsa për instalimin e ri të rrjetit elektrik as që bisedohet. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Arrestohen gjashtë persona në Manastir, organizuan lojëra të fatit në mënyrë të paligjshme

    Lajmi i rradhës

    Kamionët i bartin qentë endacakë në Shkup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë