Shkupi i dorëzoi BE-së udhërrëfyesit për reformat dhe afatet

    Institucionet kanë vendosur se cilat do të jenë prioritetet në sundimin e ligjit dhe administratën publike, nga përmbushja e të cilave do të varet hapja dhe ecuria e kapitujve të negociatave. Shkupi i dorëzoi Brukselit dy udhërrëfyesit që përcaktojnë se kur dhe cilat reforma do të zbatohen. Numri më i madh i tyre parashikojnë shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Për shembull, deri në vitin 2026 parashikohen ndryshime në ligjet e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, që u referohen kritereve për përzgjedhjen e anëtarëve në këto organe. Deri në vitin 2026, vendi merr përsipër të ndryshojë Ligjin e Prokurorisë Publike për të forcuar rishpërndarjen e lëndëve, por edhe për të miratuar Kod të ri Penal deri në vitin 2025. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, pret që pushteti dhe opozita të bashkëpunojnë dhe t’i kalojnë ndryshimet me 80 vota. Vlerësimin e tij Mariçiq e mbështet në debatin e javës së kaluar në Këshillin për Integrime Evropiane në Kuvend, ku deputetët e opozitës i dhanë dritë jeshile tekstit të udhërrëfyesve, që sot iu dërgua Komisionit Evropian. Ai theksoi se ky ishte një hap i mirë në drejtim të mirë.

    “Nuk mjafton më të thuhet “jemi për në BE”, por do të kemi një agjendë serioze sipas udhërrëfyesve dhe nëse nuk e përmbushim, ne vetë do të jemi me vonesë. Rruga jonë drejt BE-së do të varet gjithnjë e më shumë nga ne dhe gjithnjë e më pak nga të tjerët. Barra është mbi ne, mbi Qeverinë dhe Kuvendin dhe jam i bindur se do të ketë mirëkuptim. Miratimi i udhërrëfyesve e detyron disi opozitën që të paktën të jetë pjesëmarrëse aktive në këtë proces”, deklaroi Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

    Tani mbetet Brukseli ta miratojë tekstin e udhërrëfyesve të dorëzuar nga Maqedonia. Megjithatë, për caktimin e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare mbeten ndryshimet kushtetuese. Sipas Mariçiqit, nëse VMRO-DPMNE do të kishte guxim, kjo do të kishte përfunduar këtë vit.

    “Vit 2023 ka qenë i gabuar vetëm për opozitën, sepse ne si Qeveri kemi bërë shumë. Shpresoj që vitin e ardhshëm 2024 të ripërtërijmë konsensusin politik për BE-në, sepse nuk mjafton të jemi vetëm në nivelin e retorikës dhe të angazhimeve politike parimore, por edhe në nivelin e marrjes së vendimeve të mëdha politike kur ato duhet të merren”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

    Mariçiq përsëriti se angazhimi ynë është anëtarësimi i plotë në BE deri në vitin 2030, së bashku me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tre vjet Brexit – probleme dhe shqetësime të reja

    Lajmi i rradhës

    SPOGJ: Askush nuk ka të drejtë ta pengojë grevën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë