Shqipëri, hyn në fuqi vendimi i Bordit të Transparencës

    abstract blur in supermarket for background

    Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit ka bërë publik këtë të mërkurë çmimet për produktet e shportës, siç janë mielli, orizi, vaji dhe sheqeri.

    Në pikat e shitjes orizi kokërrgjatë do të shitet 104 lekë/kg, sheqeri  123 lekë/kg , vaji i lulediellit  321 lekë/litër dhe mielli  90.5 lekë/kg.

    Bordi vendosi që për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë:

    a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 12.4% mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.

    b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 4% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
    Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:

    a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.7% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

    b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.2% mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 8 lekë/kg.

    c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
    Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:

    a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 12.5% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.

    b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.9% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.

    Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:

    a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 21.5 lekë/kg.

    b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 4.6% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

    Çmimet e produkteve të shportës do të monitorohen çdo javë nga bordi i transparencës që përcakton marzhin e fitimeve të bizneseve.

    Subjektet e shumicës që nuk respektojnë vendimet e bordit do të penalizohen me gjoba deri 10 milionë lekë, ndërsa për tregtarët e vegjël masa administrative do të jetë 2 milionë lekë. Përsëritja e shkeljeve do të dënohet me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit.

    Vendi ynë prej më shumë se një muaji është përballur me rritje të çmimeve të produkteve bazike për jetesën dhe hidrokarbureve, naftës, benzinës dhe gazit, si efekt i luftës në Ukrainë. /TCH/

    Lajmi Paraprak

    Kërkohet ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për regjistrim

    Lajmi i rradhës

    RMV, nesër mjekët familjar në protestë para Ministrisë së Shëndetësisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë