Përgjigjja e Shqipërisë për Rusinë në përgjigjen e SHBA dhe NATO-s

    Preç Zogaj

    Në letrën që u ka dërguar vendeve të Bashkimit Europian dhe NATO-s, përfshirë Shqipërinë, Rusia nënvizon “dallimet serioze” mes kërkesave të saj dhe përgjigjes që ka marrë nga SHBA dhe NATO. Nisur nga këto dallime, Rusia u kërkon këtyre vendeve të sqarojnë veç e veç, sa më shpejt, qëndrimet e tyre. Që këtu, nën aparencën e komunikimit dypalësh, letra maskon një diversion të hapur ndaj vendeve marrëse, sikur NATO ku ata bëjnë pjesë nuk është shtëpia e tyre e përbashkët, por një instrument i një fuqie të vetme, domethënë i SHBA-së, që nuk i pyet për asgjë.

    Përveçse diversion, letra është edhe një test dhe inkurajim për fraksionet politike antiNATO dhe anti-BE në disa vende anëtare dhe për drejtues politikë të dashuruar me modelin putinist të drejtimit, të cilët do të donin daljen nga një aleancë politike, ekonomike dhe ushtarake që mbështet në vlerat e demokracisë dhe u lidh duart për të sunduar si autokratë.

    Vendet e NATO-s janë në komunikim dhe në koordinim të vazhdueshëm mes tyre. Nga një kryeqytet në tjetrin dhe në selinë e përbashkët me qendër në Bruksel. Ata kontribuojnë në formimin e qëndrimeve të dakordësuara.. Kur ka kundërshti, i shprehin dhe i sheshojnë brenda familjes. Shembujt janë të shumtë, të çdo natyre, që nga ato që lidhen me zgjerimin, deri te misionet e paqes nëpër botë. Do të thotë se kundërshtitë, po të ekzistojnë, nuk kanë nevojë t’i mbajnë për vete dhe as t’i belbëzojnë për t’ia rrëfyer një fuqie rivale apo armike.

    Jo vetëm vendet, por edhe mbarë qytetarët e informuar, përfshirë qytetarët shqiptarë, e dinë mirë se çfarë u ka kërkuar Rusia SHBA-ve dhe NATO-s dhe se cila ka qenë përgjigjja e SHBA dhe NATO-s, pra, edhe e Anglisë, Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës dhe secilit vend anëtar për Rusinë.

    Rusia ka kërkuar që NATO të frenojë zgjerimin në Ukrainë dhe vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, të mos vendosë armë sulmuese pranë kufijve rusë, të rikthehet në strukturën e Aleancës që ka pasur në vitin 1997, që do të thotë të çanëtarësojë Rumaninë dhe Bullgarinë. Rusia ka kërkuar garanci të besueshme dhe ligjërimisht të detyrueshme për mosaderimin e Ukrainës në NATO.

    Në mbështetje të këtyre kërkesave, në veçanti të kësaj të fundit, Rusia ka disklokuar mbi njëqind mijë trupa në kufi me Ukrainën dhe mijëra të tjerë në Bjellorusi për të njëjtin qëllim: të përdorë si kartë force në negociata pushtimin e Ukrainës, të kërkojë pretekste dhe të ndërmarrë pushtimin e saj në një moment oportun nëse nuk merr çfarë kërkon.

    SHBA dhe NATO i janë përgjigjur Rusisë me një gamë komunikimesh të niveleve me të larta, ku përfshihen përgjigje, kërkesa për sqarime, propozime për uljen e tensioneve dhe paralajmërime se cili do të jetë kundërveprimi i njëzëshëm i gjithë vendeve të NATO-s në rastin e një agresioni rus kundër Ukrainës.

    Për çështjen e frenimit të zgjerimit dhe rrudhjen e Aleancës duke larguar vende që janë tashmë anëtare prej shumë vitesh, si Rumania dhe Bullgaria, SHBA dhe NATO kanë qenë të prerë dhe parimorë: vendet janë të lira të zgjedhin në pavarësi të plotë aleancat ku duan të marrin pjesë. Nga ana e saj, NATO nuk do të ndryshojë politikën e dyerve të hapura.

    Duket paradoksale që ndërsa shfaq pakënaqësinë dhe irritimin e vet me këto qëndrime, vetë letra që ka shpërndarë Kremlini nënvizon të drejtën e çdo shteti pjesëmarrës për të qenë i lirë për të zgjedhur ose ndryshuar marrëveshjet e tij të sigurisë dhe traktatet e aleancave. Kjo do të thotë se Rusia dëshiron ta trajtojë zgjerimin e NATO-s jo si politikë të dyerve të hapura dhe zgjedhjes së lirë të çdo vendi, por si imponim.

    Por ne e dimë cila është e vërteta. E vërteta është se hyrja e çdo vendi në NATO, përveç vullnetit të shprehur botërisht nga parlamentet dhe qeveritë përkatëse në bazë të zgjedhjes së vetë popujve që i votojnë, kalon nëpër një proces të gjatë të përmbushjes së kritereve për anëtarësim. Ka shumë që do të duan të jenë pjesë e NATO-s, por ata nuk mund të jenë nëse nuk plotësojnë kriteret dhe standardet demokratike dhe të sigurisë. Me fjalë të tjera, NATO nuk shkëmben siguri për territore. Ajo është një hapësirë vlerash demokratike të bashkëndashme. Nga kjo pikëpamje, Bjellorusia, për shembull, nuk mund të jetë anëtar i NATO-s edhe po të dojë, sepse nuk është vend demokratik. Në përgjithësi, vendet e influencës ruse nuk kanë shanse të jenë ndonjëherë në NATO për shkak. Rusia mund të jetë e qetë në këtë pikë pa qenë nevojë të bëjë as çak, as bam.

    Zgjerimi i NATO-s mund të ngadalësojë apo frenojë për shkak të mosplotësimit të kritereve të vendeve kandidate apo edhe duke konsideruar arsye specifike që lidhen me ruajtjen e paqes dhe respektimin e rendit ndërkombëtar, por SHBA dhe vendet e Europës Perëndimore nuk mund t’i thonë Ukrainës nuk ju pranojmë sepse nuk do Rusia. Ky do të ishte një kthim në miniaturë në rendin e zonave të imponuara të influencës.

    Ndërsa në lidhje me pikën e kontrollit të armëve, SHBA janë treguar të gatshme e të hapura për të negociuar. Në respekt të së drejtës së Rusisë për të mos u ndier as e provokuar, as e kërcënuar në kufijtë dhe në dinjitetin e saj.

    Nuk ka asgjë të panjohur dhe asnjë divergjencë mes vendeve të NATO-s për gjithë qasjen dhe reagimin e koordinuar përkundrejt një krizë që duket ashiqare e fabrikuar nga Moska. Përkundrazi, shihet se ka një kohezion të ri më të fortë mes SHBA dhe vendeve të Europës për të reaguar në unison kundër politikës ruse të përçarjes së NATO-s, kundër testimeve, alibive, preteksteve apo edhe blofeve të Kremlinit për pushtimin e Ukrainës. Në fakt, askush nuk po e kërcënon Rusinë. Në të kundërtën, Rusia po kërcënon Ukrainën, duke e konsideruar hëm si monedhë shkëmbimi, hëm si kokë turku për interesat e Putinit dhe regjimit të tij. Agresioni ushtarak rus kundër një vendi sovran e të pavarur do të ishte aventura që do të kthente historinë e luftërave të përgjakshme të nazizmit në Europë, që kanë përfunduar e do të përfundonin me disfatën e autorëve.

    Letra e Rusisë, jo pa arrogancë, u kërkon vendeve të përgjigjen shpejt, sa më shpejt. Në këtë pikë, Shqipëria duhet të jetë edhe më e shpejtë se sa i kërkohet. Përgjigjja e saj është në përgjigjen e SHBA dhe NATO-s. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Petrov: Aksidenti në Bullgari, fajtor shoferi i autobusit

    Lajmi i rradhës

    Osmani: Në Sofje do të caktohet ambasador një nga diplomatët më me përvojë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë