Shtërbevska: Nëse nuk zbatohen reforma rrënjësore në gjyqësor, asnjë ndryshim tjetër nuk do të ketë kuptim

    Mjaft kemi pasur tranzicione, periudha kalimtare, gjendje të krizës, afera, zhvatje të biznesmenëve, nacionalizma, fërkime politike, hedhje të fajit nga të parët në aktorët tjerë politik. Ka ardhur momenti kur formulimet e përgjithshme që vazhdojmë t’i përsërisim – kërkesë e së drejtës dhe drejtësisë, klimë më e mirë afariste, parandalim të korrupsionit dhe ekonomisë gri, ulje e barrierave administrative, arsimim dual… të konkretizohen deri në masën që do të mundësojë veprim aktiv të të gjithë pjesëmarrësve në ndërtimin e këtij shteti, shprehet në bisedë për MIA-n nënkryetarja e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Elena Milevska Shtërbevska.

    Përveç dërgimit të porosisë se biznesi gjithmonë kërkon besim, siguri dhe vazhdimësi juridike, Milevska Shtërbevska përqendrohet edhe në arbitrazhin që, siç thekson, është metoda më e mirë alternative për zgjidhjen e kontesteve afariste.

    “Nevojiten hapa reformuese që do të sigurojnë gjyqësor të qëndrueshëm, Prokurori efikase Publike, qëndrim kritik ndaj të gjitha çështjeve që ngulfatin të ligjin, drejtësinë dhe të drejtën, implementimin e përpiktë të rregullave në praktikë dhe zgjidhjen e shpejtë të sfidave gjatë asaj rruge. Sundimi i së drejtës është vlerë themelore që duhet të vendoset mbi baza të shëndosha në mënyrë që të ndërtohen edhe politika të shëndosha. Nëse reformat rrënjësore nuk zbatohen në gjyqësor, asnjë ndryshim tjetër nuk do të ketë kuptim”, shprehet Milevska Shtërbevska.

    Është e qartë, shton ajo, se funksionimi efikas i sistemit të mbrojtjes së të drejtave ka implikime të mëdha në punën e subjekteve afariste. Zgjidhja e kësaj çështje të rëndësishme do të thotë përmirësim të likuiditetit të kompanive, e me këtë edhe nxitje të rritjes ekonomike.

    “Nga analizat dhe të dhënat tona nga kompanitë tona anëtare, mund të konkludoj se parimi i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit juridik, gjithnjë e më shumë varrosen problemet që lidhen me ekonominë gri, veçanërisht në tregtinë elektronike, e cila edhe më shumë erdhi në shprehje gjatë periudhës së pandemisë: korrupsioni – veçanërisht në furnizimet publike, rregullat e pabarabarta të lojës, administrimi i ngadaltë – veçanërisht në pjesën e lëshimit të lejeve, aprovimeve, pëlqimeve dhe dokumentet tjera të nevojshme për të udhëhequr biznes, autorizimet diskrete – veçanërisht në pjesën e arkëtimit e kërkesave të kompanive nga sektori publik, procedurat e ngadalta gjyqësore…, thekson Milevska Shtërbevska.

    Sipas saj, është shqetësues fakti që të gjitha anomalitë që janë pengesë për përparimin ekonomik – korrupsioni, ekonomia gri, kompetencat diskrete, administrata e ngadaltë, tejkalimi i afateve ligjore, favorizimi ose diskriminimi mbi baza të ndryshme, procedurat e gjata gjyqësore dhe shtyrjet e seancave gjyqësore , janë pikërisht shkaku ose pasoja e implementimit joadekuat të rregullave në praktikë.

    “Është e domosdoshme sa më urgjentisht të ndërmerren aktivitete në drejtim të përmirësimit të situatave në gjyqësor dhe qasjen në drejtësi. Veçanërisht problematike në praktikë është treguar çështja e pavarësisë dhe paanshmërisë së organeve gjyqësore, në kuptim të çfarëdo ndikimeve nga pushteti ligjdhënës dhe ekzekutiv, meqë në peroudhën e kaluar kemi qenë dëshmitarë të proceseve të shumta gjyqësore, rrjedha e të cilave, pak a shumë, varej nga ndikimet politike, me çka vihet në pikëpyetje pavarësia dhe paanësia e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës dhe sundimit të së drejtës”, shprehet nënkryetarja e Odës Ekonomike.

    Oda Ekonomike, përkujton Milevska Shtërbevska, gjithmonë është kujdesur që të qëndrojë larg zhvillimeve të politikës ditore dhe të mos merret me çështje që janë jashtë ekonomisë. Por, ka ardhur koha kur çështja e sundimit të së drejtës në vend duhet të jetë objekt i shqyrtimit edhe nga bashkësia e biznesit.

    “Konsideroj se rregullativa është në nivel relativisht të lartë në raport të harmonizimit edhe me aktin më të shtetit edhe me të drejtën e BE-së, por ekzistojnë devijime të mëdha në implementimin e rregullave në praktikë, respektivisht zbatimin e papërpikët të tyre. Përvoja jonë ka treguar se nuk janë parashikuar sanksione të veçanta në mënyrë që të sigurohet zbatim efektiv i akteve ligjore, përveç përgjegjësisë morale dhe politike dhe përgjegjëisë para Kuvendit. Kushti themelor për sundimin e ligjit është implementimi përkatës i rregulloreve të miratuara, për arsye se sado që të jenë të mira ligjet, ato do të mbeten “shkronjë e vdekur në letër” nëse nuk implementohen në mënyrë të drejtë dhe të plotë në praktikë. Bashkësia e biznesit bën të ditur vazhdimisht se rregullimi i tepruar paraqet problem, veçanërisht në fushat ku ky nuk nevojitet vërtet, por problem edhe më të madh paraqet ekzistimi i rregullave që nuk respektohen dhe nuk zbatohen në mënyrë përkatëse në praktikë”, bën të ditur Milevska Shtërbevska.

    Në të njëjtën kohë, ajo vlerëson se çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe sundimin e shtetit të së drejtës janë diçka që është e lidhur në mënyrë të pashkëputshme me perspektivën tonë evropiane.

    “Në emër të bashkësisë së biznesit, dua të theksoj se e gjithë kjo nënkupton: zbatimin e menjëhershëm të reformave në sistemin gjyqësor, zbatimin efektiv të ligjeve dhe zbatimin e tyre të barabartë, lirinë e medias, por edhe rregullativë përkatëse për punën dhe përgjegjësinë e tyre, veçanërisht të portaleve, mediave sociale, etj., respektimin e të drejtave të njeriut, funksionimin efikas të institucioneve të sistemit, vendosjen e mekanizmit efikas për arkëtimin e kërkesave që i ka sektori privat nga sektori publik, si dhe digjitalizimin për të cilin bashkësia e biznesit beson se do të jetë në funksion të zvogëlimit të ekonomisë gri dhe joefikasitetit të administratës shtetërore”, thekson Milevska Shtërbevska.

    Në raport me procedurat e gjata gjyqësore, ajo nuk ka dilemë se arbitrazhi është alternativë e shkëlqyeshme. Por, tek ne, për fat të keq, shprehet Milevska Shtërbevska, është ende i vogël numri i lëndëve, ndonëse përparësitë janë më shumë se të qarta: procedurë e thjeshtë dhe fleksibile, vendimmarrje e shpejtë, shpenzime më të ulëta të përgjithshme, regjim i lehtësuar i njohjes dhe zbatimit të vendimeve të miratuara të arbitrazhit jashtë vendit.

    “Shkurt  e qartë, arbitrazhi, si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve afariste, është vegël konkrete që e siguron Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut. Mënyrat tradicionale të zgjidhjes së kontesteve përmes gjykatës nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë, përkundrazi. Trendet botërore tregojnë përdorimin gjithnjë e më të madh të metodave alternative të zgjidhjes së kontesteve mes subjekteve afariste, siç është arbitrazhi. Thjesht, nuk na duhet askush për ndihmë, nëse ne nuk ndihmojmë vetveten dhe në kushtet e funksionimit të papërsosur të gjyqësorit nuk fillojmë të përdorim intensivisht klauzolën e arbitrazhit në kontratat tregtare, kontratat e furnizimit publik, kontratat e ndihmës shtetërore dhe shumë konteste të tjera për të drejta për të cilat nuk është përcaktuar kompetenca ekskluzive e gjykatës”, shprehet nënkryetarja e Odës Ekonomike.

    Kohëzgjatja mesatare e procedurave që udhëhiqen para Gjykatës së përhershme të zgjedhur – Arbitrazhit, zvogëlohet vazhdimisht dhe në vitin 2020 ishte 184 ditë, respektivisht afërsisht gjashtë muaj. Sipas Milevska Shtërbevskës, kjo është dëshmi e shpejtësisë dhe efikasitetit të arbitrazhit kundrejt kohëzgjatjes mesatare të procedurave gjyqësore, që në përputhje me raportet zyrtare të Këshillit Gjyqësor, është për dy, tre dhe më shumë herë më i gjatë në tremujore të ndryshme krahasuar me procedurat e arbitrazhit.

    “Një argument më shumë pse duhet të përdoret arbitrazhi, si metodë efikase dhe e sigurt për zgjidhjen e kontesteve është fakti se që nga vendosja e Gjykatës së përhershme të zjgedhir – Arbitrazhit në Odën Ekonomike deri më sot nuk kemi asnjë vendim të anuluar të arbitrazhi nga gjykata kompetent, ndonëse ekziston mundësi e tillë nëse janë plotësuar bazat ligjore të Ligjit për procedurën civile ose Ligjit për arbitrazhin ndërkombëtar tregtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si për kontestet vendore ashtu edhe për ato me element ndërkombëtar”, shton Milevska Shtërbevska.

    Janë interesante të dhënat nga puna e Arbitrazhit të Përhershëm të Odës Ekonime të Maqedonisë së Veriut, e cila deri në vitin 1993 ishte kompetente vetëm për kontestet vendore mes subjekteve afariste, e prej atëherë e këndej edhe për kontestet me element ndërkombëtar. Procedura më e shkurtër para arbitrazhit, e përfunduar me vendim të plotfuqishëm dhe ekzekutiv të arbitrazhit, ka zgjatur 97 ditë, e më e gjata 372 ditë. Vlera më e vogël e një kontesti për borxh para Arbitrazhit ishte 2,500 euro, e më e madhja ishte rreth tetë milion dollarë. Nga numri i përgjithshëm i procedurave para arbitrazhit, 43 për qind janë me element ndërkombëtar, ndërsa pjesa e mbetur prej 57 për qind e janë konteste vendore.

    Elena Milevska Shtërbevska nga 10 qershori është nënkryetare e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Ajo u zgjodh në këtë post nga Kuvendi i Odës./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    ASH-AA deri më 15 gusht do të bëj të ditur kandidatët për zgjedhjet lokale

    Lajmi i rradhës

    Poll Shapiro: Vendet rëndë përballen me historinë nëse ajo është shënim nga veprime të këqija dhe negative

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë