“Të ulemi në tavolinë dhe të gjithë t’i themi qëndrimet tona mbi ndryshimet kushtetuese”

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se për ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen me Bullgarinë dhe heqjen e përcaktimit “20%” nga akti më i lartë juridik duhet ulur në tavolinë dhe të gjendet zgjidhje e pranueshme për të gjithë. Kreu i ekzekutivit nuk komentoi kushtëzimet e opozitës shqiptare për mos miratimin e ndryshimeve kushtetuese pa heqjen e këtij përcaktimi, por thotë se zgjidhja duhet të jetë e përbashkët.

    “Të gjitha partitë politike kanë qasje pozitive ndaj ndryshimeve kushtetuese madje edhe ata të cilët ishin të vendosur kundër tyre, tani shoh që kanë një qasje ndryshe, përkatësisht se do t’i mbështesin nën kushte të caktuara. Konsideroj se duhet ulemi në tavolinë, të gjithë t’i themi qëndrimet tona mbi ndryshimet kushtetuese dhe në fund të vijmë në zgjidhjen e pranueshme nga të gjithë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Partitë shqiptare thonë se derisa ka nismë për ndryshimet kushtetuese, janë të gatshëm t’i shpalosin kushtet e tyre që ndërlidhen me 20%. Aleanca për Shqiptarët e vlerëson gatishmërinë e kryeministrit për të biseduar dhe gjetur zgjidhje të përbashkët mbi heqjen e 20% dhe jo vetëm gjatë ndryshimeve kushtetuese. Sipas tyre, ky veprim kërkon unifikimin e faktorit politik shqiptar, ndërsa në tryezën e bisedimeve duhet ulur 4 partitë më të mëdha politike në vend.

    “E përshëndesim gatishmërinë e kryeministrit për t’u ulur dhe për të biseduar lidhur me heqjen e 20% dhe për ta definuar gjuhën shqipe, njëherë e përgjithmonë, si gjuhë shqipe me Kushtetutë. Ua tërheqim vërejtjen të gjithë aktorëve politik që kur hapet tema e 20% qasjen e kanë të gabuar, të vjetërsuar dhe me një logjikë tregtari. Prandaj, u bëjmë thirrje që të ndryshojnë këtë qasje! Koncepti mbi kushtetutën duhet të jetë ai pro-perëndimor që u jep liri qytetarëve dhe jo bolshevikëve që u kufizojnë lirinë. Natyrisht se kjo problematikë fillimisht duhet biseduar mes faktorit politik shqiptar për të ndërtuar qëndrim të unifikuar, pa pasur nevojë të bëjmë garë mes nesh”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Nga Lëvizja Besa thonë se Qeveria mund të llogarisë në votat e tyre në Kuvend, vetëm me plotësimin e kushtit të tyre.

    “Në momentin kur Qeveria do të ndërmerr nismën për ndryshimet kushtetuese në raportin me Marrëveshjen e Bullgarisë dhe sigurimin e 80 votave për miratimin e ndryshimeve, derisa llogarisë në votat e Lëvizjes Besa në Kuvend, duhet të di se mbështetja jonë do të jetë e kushtëzuar me heqjen e 20% nga Kushtetuta”, theksojnë nga Lëvizja Besa.

    BDI si pjesë e Qeverisë nuk kishte koment për gatishmërinë e kryeministrit Kovaçevski, ndërsa Alternativa shprehet e gatshme për një takim të tillë, duke potencuar se në të do të hapeshin edhe tema tjera për avancimin e demokracisë në shtet.

    “Një takim i tillë do të jetë i mirëseardhur edhe për ne, ngase aty do të kemi mundësi t’i shprehim qëndrimet jo vetëm për temën e apostrofuar (20%), por edhe për çështje të tjera që e ndihmojnë avancimin e demokracisë dhe të kohezionit ndëretnik në RMV”, njoftojnë nga partia Aletrnativa.

    Nga VMRO-DPMNE-ja deri tani disa herë kanë shprehur qëndrimin se ndryshimet kushtetuese do t’i mbështesin vetëm me garanci të BE-së se nuk do të pasojnë bllokada të reja nga Bullgria, ndërsa lidhur me heqjen e 20%, kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski së fundi deklaroi se heqja e përcaktimit për përdorimin e gjuhës duhet bëhet bashkërisht me shfuqizimin e mekanizmi të badenterit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Thellohet skandali me mjekun pa diplomë, 33 vjeçari ka ndërprerë studimet në 2014

    Lajmi i rradhës

    Lehtësohet procedura administrative për sistemet fotovoltaike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë