Teatri, fik-ndiz deri në fund të vitit

    Energjia elektrike është rikthyer këto ditë në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Borxhi i akumuluar prej disa muajsh ka filluar të likuidohet pjesërisht kundrejt kompanisë EVN, ndërkohë që teatri funksionon nën masa kursimi. Ndriçimi i jashtëm nuk ndizet, ngrohja e brendshme sipas nevojave. Nga ky institucion thonë se janë të detyruar të punojnë në këto kushte për shkak të kursimit të energjisë elektrike e cila paguhet me tarifën e shtrenjtuar industriale. Se çfarë mund të ndodhë muajt në vazhdim, kur institucioni do të hapë sezonin artistik dhe energjia e shpenzuar do të faturojë shuma të mëdha, të cilat duhet të likuidohen së bashku me borxhet e muajve të mëparshëm nuk është e qartë.

    Nga Ministria e Kulturës thonë se për këtë problem që e ka Teatri Shqiptar së bashku me institucione të tjera të kulturës e kanë një zgjidhje, që të mos ketë ndërprerje në punën e institucioneve të kulturës. Sipas analizave dhe projeksione për shumat e nevojshme për të paguar faturat e rritura të energjisë elektrike dhe me rebalancimin e buxhetit fondet janë siguruar. Por deri në fund të vitit.

    “Sipas analizave të bëra mund të them se janë siguruar mjetet e nevojshme që deri në fund të këtij viti të mos kemi asnjë lloj problemi me të gjitha institucionet që janë konsumues të mëdhenj të energjisë”, thotë zëdhënësja Marija Zafirovska. Borxhi i akumuluar i Teatrit të Shkupit ndaj EVN ishte rreth 68 mijë euro. Për shkak të shfaqjeve të vëna në skenë gjatë muajve të parë të vitit dhe tarifës industriale të shtrenjtuar EVN faturoi shuma të mëdha.

    Nëse më parë një faturë për muajin janar ishte 4 mijë euro, në janar të 2022 shkoi në 20 mijë euro. Me probleme të ngjashme përballen edhe institucione të tjera të kulturës. Energjia elektrike iu ndërpre edhe Operës dhe Baletit për shkak të borxhit prej mbi 100 mijë euro, i grumbulluar që nga viti 2013. “Borxhi ka nisur të paguhet, energjia është rikthyer dhe provat vazhdojnë dhe ne funksionojmë me masa kufizuese për energjinë. Sesi do të vazhdojë situata nuk e dimë. Gjithçka varet sesi do të bëhen pagesat”, thonë nga drejtoria e teatrit.

    Ndërkohë provat vazhdojnë për vënien në skenë të premierës së fundit të këtij viti “Tri motrat” e Çehovit. Ndërsa për shkak të ftesës për solidarizim që Ministria e Kulturës ia drejtoi institucioneve Teatri Shqiptar anuloi një projekt të këtij viti. Anulime të ngjashme kanë bërë edhe institucione të tjera, si Teatri i Tetovës që këtë vit anuloi Festivalin ndërkombëtar të teatrove. Por ndërsa me rebalancin e fundit të buxhetit Ministria e Kulturës tërhoqi një pjesë të mirë të fondeve në kulturë, e kundërta po ndodh në vendet e tjera.

    Nëse këtë vit buxheti i Ministrisë së Kulturës në Francë kaloi për herë të parë katër miliardë euro, për vitin e ardhshëm buxheti do të jetë 4.2 miliardë euro, që është një rritje prej 271 milionë euro. Kjo sepse, sipas ministres së Kulturës, prioritet është “më shumë se kurrë të përfshihemi që në moshë të re në edukimin artistik dhe të zhvillojmë dëshirën për kulturë”. Ministria e Kulturës synon të “konfirmojë vendin e krijimtarisë franceze, të gjuhës frënge, të inovacionit francez në oqeanin digjital”. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Në Shqipëri klasat e para do mësojnë informatikën

    Lajmi i rradhës

    Shëtitorja në lumin Drini i Zi në Strugë është dëmtuar, komuna nuk merr asnjë masë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë