Tensione politiko-partiake në Bullgari për shkak të Maqedonisë së Veriut

    Pas debatit në opinionin bullgar nëse qeveria në Sofje ka premtuar fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në deri në qershor, ministrja e Jashtme bullgare i mohon këto pretendime.

    Ajo shton se nuk ka fare progres në zgjidhjen e çështjeve të hapura politike në dialogun me Shkupin.

    “Asnjë nga ekipi i Ministrisë së Jashtme në bisedimet dhe takimet e tij me partnerët evropianë, me ambasadorë të vendeve të tjera, anëtare të BE-së apo NATO-s, nuk ka lëvizur nga pozicioni dhe nuk është pranuar asnjë angazhim lidhur me afatet”, tha Teodora Gencovska – Ministre e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.

    Tema e integrimeve evropiane të Maqedonisë vazhdon të kërcënojë stabilitetin e qeverisë së udhëhequr nga Kiril Petkov.

    “Vija e kuqe është e madhe këtu. Kjo temë mund të çojë në një luhatje në koalicion. Ata që patën biseda diku në prapaskenë, dhe ato biseda nuk ishin të koordinuara dhe të ndara me ne, dhe ishin në interes që vetoja të binte sa më shpejt dhe praktikisht të tregtohej me interesat kombëtare, është koha ta rishikojmë pozicionin”, u shpreh Stanislav Balabanov – partia “Ka popull të tillë”.

    Për shkak të informacioneve se Sofja zyrtare kinse ka premtuar fillimin e negociatave deri në qershor, të premten në Kuvendin e Bullgarisë do të dëgjohet ministrja Teodora Gencovska. Nuk është vendosur ende nëse kjo do të ndodhë në seancë të hapur apo të mbyllur.

    Kërkesa për t’iu përgjigjur deputetëve për dialogun me Sofjen, javën e kaluar ka mbërritur në adresë të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, por ai ende nuk e pranon.

    “Qeveria është e fokusuar maksimalisht në gjetjen e një zgjidhjeje në komunikimin intensiv, të udhëhequr nga dy Ministritë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë. Në momentin që do të kemi marrëveshje të pranueshme reciprokisht për çështje të hapura, do të njoftohen të gjithë palët e interesuara në vend”, theksoi Dushko Arsovski – Zëdhënës i Qeverisë.

    Zëdhënësi i qeverisë thotë se pala maqedonase ka qëndrim konstruktiv ndaj të gjitha ideve dhe propozimeve të ndryshme për gjetjen e zgjidhjes. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nuk do të ketë doganë për importin e vajit, por çmimi do të vazhdojë të rritet

    Lajmi i rradhës

    Suspendohen policët që morën ryshfet në Bllacë, MPB do të dorëzojë kallëzim penal

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë