TRANSPORT TË SHPEJTË URBAN / Shkupi në pritje, Tirana e realizon

    Përderisa në Shkup realizimi i sistemit për transport të shpejtë me autobusë është ndërprerë, në Tiranë fuqishëm punohet në realizimin e tij. Tirana për gjashtë vite do të fitojë ‘Bus Rapid Transit’, pra, linja me korsi të dedikuar, të ngjashme me ato në Stamboll, që funksionojnë si tramvaj ose metro, por në këtë rast janë autobusë. Deri në 2030 synohet që flota e autobusëve në Tiranë të jetë 100 për qind elektrike. Për dallim nga Tirana, në Shkup nuk ka lëvizje pozitive për këtë projekt. Këshilli i qytetit të Shkupit në fund të nëntorit të vitit 2023 nuk dha të dritë të gjelbër për implementimin e tij.

    Kundër këtij propozimi që për më shumë se dy vite mbeti pezull, votuan këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe të Majtës, ndërsa nga abstenuan këshilltarët e listës për Qytet të gjelbër human.

    Në fund të vitit të kaluar, Transporti i Shpejtë i Autobusëve, i cili mori dritën jeshile nga Arsovska, si projekt që ia vlen të vazhdohet me realizimin e tij, pasi dështoi transporti publik falas i premtuar, mirëpo shumica e këshilltarëve në qytetin e Shkupit vlerësuan se duhet ta ndalojnë atë sërish. Nëse anashkalohet dimensionin politik (projekt i kryetarit të LSDM-së, dhe ai duhet të përfundojë nga një kryetar i pavarur i mbështetur në zgjedhje nga VMRO-DPMNE), këshilltarët që votuan kundër zbatimit të sistemit BRT i bëjnë të njëjtat pyetje që i bënë kur Shilegov e shpalli projektin. Këshilltari Stefan Andonovski pyeti sërish se çfarë do të bëhet me tubacionin kryesor të ujit, i cili kalon nën bulevardin “Aradhat Partizane” (edhe pse disa herë u shpjegua se nuk do të ketë pasoja për të).

    “A i ka rinegociuar Arsovska dhe i ka tejkaluar mangësitë në projekt, a është i njëjti projekt si Shilegov, autobusët a do të lëvizin me gaz, CNG apo do të jenë elektrikë. A do të ndërtohet ura e re e Kombeve të Bashkuara dhe nga do të vijnë paratë, a do të shkatërrohet gjelbërimi qendror, a do të shkatërrohet parku në Novo Lisiçe, a do të themelohet një ndërmarrje e re publike?”, pyeti këshilltari nga VMRO-DPMNE Stefan Andonovski në seancë.

    TRANSPORTI PUBLIK URBAN NË SHKUP I PAQARTË

    Në arsyetimin e propozim-vendimit për BRT, për të cilin Këshilli i Qytetit të Shkupit duhet të prononcohet sërish, por që nuk gjen mbështetje nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, thuhet se transporti i shpejtë me autobus mund të sigurojë shërbime më të mira për qytetarët, duke ofruar nivel të lartë komoditeti, kohë më të shkurtër udhëtimi dhe besueshmëri. Me përdorimin e këtij transporti, banorët do të mund të arrijnë në destinacionin e tyre të dëshiruar (vendi i punës, institucionet shëndetësore etj.) në kohë dhe komoditet, ndërkohë që do të mund të planifikojnë kohën e tyre me saktësi, si dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit, mjedisi. Gjithashtu, futja e këtij transporti do të zvogëlojë bllokimet e trafikut, do të rrisë kapacitetin e parkingjeve publike, si dhe do të mundësojë ripërshtatjen e hapësirës së destinuar për qarkullimin motorik në një hapësirë ​​për këmbësorë dhe biçikleta në territorin e qytetit të Shkup – pretendon propozuesi apo ndërmarrja e transportit urban në Shkup.Mbetet e paqartë se në cilin drejtim do të zhvillohet dhe modernizohet transporti publik urban në Shkup. Për realizimin e transportit BRT, paratë e BERZH-it janë në pritje që të përdoren prej dy vitesh , ndërsa nuk ka para për autobusë të rinj.

    Shkupjanët vazhdojnë të presin dhe shpresojnë se do të kenë transport publik më të mirë dhe më të organizuar në të ardhmen.Gjithashtu, problematike është edhe prerja e pemëve, e cila perceptohet si ekocid, megjithëse vetë projekti parashikon mbjelljen e gjelbërimit shtesë në të dy anët e korsisë së mbrojtur të autobusëve, në të njëjtat vende ku tani ka pemë dhe në disa vende të tjera. Nga ana tjetër, përderisa në Shkup projekti mbetet “hava” dhe qytetarë t mbeten të pakënaqur me transportin urban në kryeqendrën e Maqedonisë , në Tiranë edhe me mbështetje financiare evropiane po vijon realizimi i një projekti modern të transportit kryeqytetas. Disa ditë më parë u prezantua projekti “Transporti i gjelbër në Tiranë”, nga ana kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkë me ambasadorin gjerman Karl Bergener si dhe ambasadorin e BE Silvio Gonzato. Sipas Veliajt, ky projekt është një risi që synon zhvillimin, projektimin dhe funksionimin e sistemit të parë të transportit të shpejtë me autobusë elektrikë.

    SHKURTIM I KOHËS PËR UDHËTIM

    Ky projekt do të transformojë tre linja kryesore të transportit urban në qytet, duke i bërë ato shumë herë më të shpejta, pra, nga 9 dhe 9.5 km në orë do të shkojmë në 20 km/orë. Do të kemi një rritje të jashtëzakonshme për sa i përket transportit publik në Tiranë. Nëse një udhëtim i plotë vajtje-ardhje në Unazë sot zgjat 54 minuta, me linjën e re urbane do të zgjasë 27 minuta. Sigurisht që do të jetë më e lehtë të kalosh Unazën me autobus sesa me makinë private, theksoi Veliaj. Bashkimi Europian do të ofrojë 32 milionë lekë grante për këtë projekt, ndërsa gjatë fjalës së tij, ambasadori Gonzato theksoi rëndësinë e projektit për Tiranën. “Ky projekt do ta ndihmojë Tiranën në sfidat me trafikun dhe do të kontribuojë në jetën e qytetarëve. Në tre akse kryesore do të kemi autobusë të shpejtë elektrikë. Do të ulen edhe emëtimet që shkaktojnë dëme në shëndet. Kjo flotë me emëtime zero do ta ndihmojë Shqipërinë. Transporti urban është edhe vena kryesore e qyteteve tona. 32 mln euro në grante po ofron BE për këtë projekt. Ky është kontributi i drejtpërdrejtë që ne po i japim Bashkisë së Tiranës. Dhe ky është një shembull i qartë për të treguar që Europa është këtu”, tha Silvio Gonzato, Ambasador i BE.

    Ndërkohë për këtë projekt ambasadori i Gjermanisë theksoi se vendi i tij do të ketë kontributin më të madh duke dhënë hua më shumë se 50 milionë euro.

    “Të gjitha këto ndryshime, ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen dhe i gjithë ky ndryshim nuk vjen pa një pagesë dhe kërkon po ashtu ekspertizë. Për të qenë më të saktë, ky do jetë një projekt prej 112 milionë eurosh dhe ne Republikë Federale do jemi kontributori më i madh me një hua me më shumë se 50 milionë euro, në kuadrin për investimit për Ballkanin Perëndimor. Jemi besimplotë si qeveri e Gjermanisë së këto para do të shpenzohen më së miri, dhe veçanërisht qytetarët e Tiranës do të përfitojnë nga një transport i shpejtë, më pak ngecje në trafik”, tha Karl Bergner.

    Me fjalë tjera, viti 2027-2028 është targeti i përmbylljes, ku rreth 120 milionë euro do të përdoren për të transformuar transportin publik në Tiranë. “Redukim të gati 50% të kohës së qytetarëve nga pika a në b, në disa raste dhe rritjen e volumit të udhëtarëve të cilët do të lënë makinat e tyre për të përdorur transportin publik”. Kthimi i tre linjave në korridore kryesore do të shoqërohet dhe me organizimin e transportit në përgjithësi. Kjo do të rrisë shpejtësinë e lëvizjes së autobusëve dhe do tu shkurtojë qytetarëve kohën e mbërritjes në destinacion.

    Tre vite më parë linjës së brendshme të udhëtarëve në Tiranë iu shtuan edhe 20 autobusët e parë hibridë dhe elektrikë “Go Green”. Në ndërkohë , projekti i ish kryetarit të Shkupit Petar Shilegov, me vlerë 70 milionë euro për transport të shpejtë me autobus në Shkup, që synonte edhe zvogëlimin e tollovive në trafik dhe uljen e ndotjes së ajrit, mbeti vetëm në letër.

    Autobusët nga sistemi BRT ishte planifikuar të jenë me lëvizje hibride të gazit dhe energjisë elektrike dhe me një gjatësi prej 18 metrash. Në dy vitet e para, Kryetarja Danella Arsovska lidhur me projektin e mbështetur me kredinë e volitshme nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vlerësonte se nuk është i shpagueshëm në aspektin ekologjik. Arsyetimet për ndërprerjen e procedurës së nisur për ndërtimin e BRT, ishin se projekti do të zgjasë shumë dhe se metropoli ka nevojë për zgjidhje të shpejta dhe efikase në fushën e transportit publik, ndërsa projekti BRT ka mangësi dhe rreziqe mjedisore, pa i shpjeguar ato. Ajo në premtimet parazgjedhore theksoi se do të blihen 250 autobusë të ri ekologjik, me të cilët qytetarët do të voziten falas.

    Një vit më parë apo në prill 2023, Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska zbuti qëndrimin dhe tha se nuk heq dorë nga projekti BRT, të cilin e ka trashëguar nga paraardhësi i saj, por shtoi se ai është duke u rishikuar, më shumë mangësi janë anuluar, ndërsa projekti akoma është në fazën fillestare, dhe nuk zbulohet se kur do të fillojë të ndërtohet. Sipas saj, plani po rishikohet sepse ka pasur një numër të madh të mangësive që janë konstatuar, duke pasur parasysh se para opinionit janë vënë në pah një numër i madh vërejtjesh, jo vetëm për trasenë, por edhe për mënyrën se si do të zbatohet. Diçka që është negociuar një kohë të gjatë, dhe ajo që duam të ofrojmë është zgjidhja më e mirë për qytetin, theksoi Arsovska. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Gratë në RMV pak të përfaqësuara!

    Lajmi i rradhës

    Sela: e sakrifikova Strugën që Taravari të bëhet kryetar në Gostivar dhe ministër, por ai e përçau ASh-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë