Trashëgimia në RMV e kanosur nga klima, apo ligji!

    Nëse në botë motoja me të cilën shënohet Dita botërore e monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike është – “kërcënimet nga ndryshimet klimatike”, në Maqedoni preokupimi i këtyre ditëve ishte kërcënimi i trashëgimisë nga ligji, ose ndryshimet e propozuara ligjore për LMTK. Të tilla si ato në funksion të ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10, që pas trysnisë së arkeologëve u tërhoqën nga Parlamenti. Dita Botërore e Monumenteve dhe Vendeve Arkeologjike, e shpallur nga ICOMOS dhe e miratuar nga UNESCO, festohet në të gjithë botën dhe temat e çdo viti kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e trashëgimisë kulturore botërore, mbrojtjen, ruajtjen dhe afirmimin e pasurisë së paçmuar të zbuluar përmes arkeologjisë. Këtë vit, fokusi është në temën ‘Ndryshimet e Trashëgimisë Kulturore, e cila mbulon çështjet e trashëgimisë kulturore të ngritura nga ndryshimet klimatike. Me këtë rast dyert e muzeve nacionale do të jenë të hapura pa pagesë.

    “Ndryshe nga bota tek ne ndoshta po hasemi me një problematikë pak më delikate sa i përket trashëgimisë kulturore, në ruajtjen dhe paraqitjen e artefakteve, interpretimin e tyre. Po mundohemi dhe është duke u punuar në këtë drejtim, në mënyrë që publiku të njohë të kaluarën tonë historike në mënyrë sa më transparente. Pasi trashëgimia nuk është vetëm një gjë që i takon së kaluarës, por është edhe aspekt i bashkëkohores që do të ndikojë në të ardhmen”, thotë historiania e artit Narona Luma, punonjëse në Galerinë Nacionale.

    Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska zgjodhi muzeun e hapur – fshati neolitik në Tumba Maxhari në Shkup për të deklaruar se edhe në kushtet e buxheteve të ridefinuara për shkak të krizës ekonomike, Ministria e Kulturës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe vlerës së saj civilizuese.

    “Me të njëjtin ndërgjegjësim që ndryshimet klimatike kërcënojnë edhe identitetet tona duke synuar pikërisht trashëgiminë kulturore, është detyrimi ynë që të punojmë fuqishëm dhe me përkushtim për të stabilizuar dhe ruajtur objektet dhe lokalitetet historike të cilat sipas vlerësimeve të autoriteteve botërore janë të ekspozuara drejtpërdrejt ndaj ekstremet e ndryshimeve klimatike.. Në kulmin e pandemisë globale të kovidit, Qeveria trefishoi buxhetin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe hapi një linjë të re buxhetore për ndërhyrjen e menjëhershme të trashëgimisë kulturore në rrezik.”, tha Kostadinovska-Stojçevska gjatë prezantimit të nxënësve me teknologji të reja të përdorura në kërkime arkeologjike – radarit depërtues në tokë.

    Muzetë në vend kanë hapur dyert pa pagesë për vizitorët me qëllim aksesin sa më të madh tek institucionet e kulturës dhe ndërgjegjësim të opinionit për çështjet që lidhen me mbrojtjen e trashëgimisë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkollat fillore në Tetovë nuk kanë sallë sporti 

    Lajmi i rradhës

    Shkupi i betonizuar!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë