Trotuaret dhe rrugët në Shkup janë dëmtuar nga rrënjët e pemëve të pa mirëmbajtura

    Rrënjët e dala në sipërfaqe të shumë pemëve po dëmtojnë me të mëdha rrugët dhe trotuaret në kryeqytet duke dëmtuar pllakat e shtruara prej betoni e në disa raste edhe asfaltin e rrugës.

    Qytetarët ankohen edhe për pengesa në lëvizje, qoftë në këmbë ose me biçikletë andaj zgjidhjen e shohin zëvendësimin me pemë të reja.

    “Janë dru të vjetër por nuk bën pa dru, bën hije. Shikoni si janë bë këto”, thotë një qytetar.

    “Kjo është mirë për njerëzit edhe për pluhurin që e thith. Duhet me u ndërruar, me i pastruar, me i rregulluar me pllaka betoni…por kush me i ndërruar, komunat s’janë duke punuar. A po i sheh disa më lartë, kanë dal jashtë degët, pengojnë makinat, kamionët nuk mund të kalojnë”, shprehet një qytetar tjetër.

    “Unë jam në Shkup nga viti 1954 dhe këto pemë që atëherë ishin të mbjella. Edhe pema është njëjtë si njeriu, edhe unë isha i ri, isha mirë por tani nuk i ngjaj njeriut”, theksoi një qytetar.

    Nga ndërmarrja publike “Parqet dhe Gjelbërimet” thanë për Alsat se tashmë kanë lokalizuar pemët e rrezikshme dhe pas vlerësimit të një komisioni përkatës të njëjtat do të priten dhe do të zëvendësohen me të reja. Një gjë e tillë do të ndodhë edhe me pemët e dëmtuara nga moti i ligë.

    “Varësisht dëmit që ka pësuar pema. Kemi raste kur e gjithë pema nuk është e dëmtuar por janë thyer vetëm degët. Në këtë rast i heqim degët që paraqesin rrezik. Në rast se e gjithë pema është e thyer e premë dhe e transportojmë në vendin e duhur. Në rastin që vërtet paraqet rrezik atëherë mund të priten dhe zëvendësohen me të reja. Në të gjitha rastet tjera, nëse nuk paraqet rrezik, nëse pema është funksionale dhe e shëndetshme atëherë nuk ka nevojë të hiqet”, tha Biljana Stojanova, “Parqet dhe Gjelbërimet”.

    Gjithashtu, nga Parqet dhe Gjelbërimet bëjnë të ditur se asnjë pemë nuk guxon të pritet pa bërë kërkesë më shkrim në institucionin përkatës, pavarësisht nëse pema është në pronë publike ose private. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    OPEN AIR CINEMA/CINE MOBILE – KINEMAJA SHËTITËSE

    Lajmi i rradhës

    Komunat në Shkup përballen me mungesë të kapaciteteve për kujdesin e fëmijëve në çerdhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë