Vanja Gjorçevska është gjetur e vdekur!

    Prokuroria Publike njoftoi se sot në periferi të Shkupit u gjet trupi i pajetë i të miturës V.GJ., e cila ishte raportuar si e zhdukur më 27.11.2023, kurse në periferi të Velesit trupi i pajetë i R.ZH., 74 vjeçar, nga Velesi, i cili më datë 24.11.2023 u raportua si i zhdukur. Sipas njoftimit, në lidhje me të dyja rastet dyshohet për përfshirjen e pesë personave, nga të cilët për tre kërkohet masa e paraburgimit, njëri ndodhet jashtë vendit, ndërsa një person aktualisht ndodhet në stacionin e policisë.

    Më herët në Brazda (Çuçer) të Shkupit është gjetur vetura e parukierit 74 vjeçar nga Velesi, Pançe Zhezhovskit, i cili është djegur plotësisht.

    Nga veprimet hetimore të kryera është konstatuar se të dy vrasjet janë kryer nga të njëjtët persona, motivi i të cilëve ishte “ekploatim”. Gjithashtu, nga masat operative të ndërmarra është konstatuar se e mitura V.GJ. u mor me makinë në hyrje të vendbanimit të saj, dhe nga informacionet e siguruara gjatë hetimit u konstatua se ajo u vra të njëjtën ditë rreth orës 10:00.

    Menjëherë pas raporteve për personat e zhdukur, u ndërmorrën masa për gjetjen e tyre, dhe në SPB Shkup u formua edhe një Staf Operativ special, në krye me shefin e SPB Shkupit. U kryen kontrolle në shtëpi dhe ambiente të tjera në rajonet e SPB Shkupit, SPB Velesit dhe SPB Shtipit, ku u gjetën dhe u konfiskuan telefona celularë, kompjuterë, një makinë etj., u kryen biseda të shumta me familjarët, njohësit, miqtë dhe personat që mund të kishin ndonjë informacion, dhe në veprimet hetimore çdo ditë ishin të përfshirë disa qindra zyrtarë policorë që punonin ekskluzivisht në këto raste.

    Hetuesit nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit dhe nga Prokuroria Themelore Publike e Velesit kryen inspektime në të dyja vendet ku u gjetën trupat e personave të zhdukur sot. U lëshuan urdhra për autopsi të trupave të viktimave dhe për identifikim përkatës. Gjithashtu, u lëshuan urdhra për mbledhjen dhe ekspertizën e të gjitha gjurmëve dhe dëshmive nga të dyja vendet.

    Në ditët pas zhdukjes së të dy personave, prokurorët publikë dhanë urdhra për kontrolle në disa vende, sigurimin e regjistrimeve nga mbikëqyrja me video, lokalizimin me ndihmën e stacioneve bazë të sinjaleve telefonike, analizën dhe ekspertizën e pajisjeve elektronike, ekspertizën e gjurmëve materiale dhe provave, përfshirë edhe makinën e lidhur me ngjarjen. U dëgjuan persona që mund të kishin njohuri të caktuara për ngjarjen dhe në bazë të të gjitha provave të mbledhura, ngjarja u zbardh, u caktuan të dyshuarit kryesorë dhe motivet e tyre. Pas kompletimit të dëshmive dhe ekspertizave të urdhëruara, prokuroria ndaj të gjithë të dyshuarve do të nisë procedurën e përshtatshme.

    Gjithashtu, në lidhje me spekulimet dhe dezinformimet që pretendonin se ky rast kishte një sfond etnik, informojmë se të gjithë të dyshuarit janë nga etnia maqedonase.

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka fund rritja e çmimit të banesave në Shkup!

    Lajmi i rradhës

    Rasti i djersës si një problem shëndetësor 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë