Zgjedhje me një “harxh” në pranverë!

    Vazhdon “oferta” publike e pushtetit dhe opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare. VMRO-DPMNE doli me një propozim konkret,  që të mbahet në pranverën e ardhshme, në mes të dy festave më të mëdha fetare, ndërsa LSDM mbetet në qëndrimin që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të mbahen në datën e rregullt, fillimisht presidenciale, e më pas edhe parlamentare. Dhe derisa lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dje i bëri thirrje kryeministrit dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, “të marrë një fletë të bardhë dhe të shkruajë çdo datë që dëshiron për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale me një shpenzim”,  zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski e përsëriti qëndrimin e partisë se janë të gatshëm të bisedojnë për datat e zgjedhjeve, në nivel të grupeve të punës.

    “Është turp që përmes mediave po dakordohemi dhe liferojmë data për zgjedhje të rregullta. Duhet të dakordohemi për një datë për zgjedhjet e rregullta. Populli duhet masivisht, në një numër të madh t’ua dërgojë mesazhin se nuk duhet të luhet me të. Populli është më i fortë se çdo klikë dhe elitë e ngushtë që luan me fatin dhe merr të ardhmen. Po vijnë ndryshimet”, theksoi Mickoski në ngjarjen me rastin e 23 Tetorit, Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase dhe 130 vjetorit të VMRO-së.

    Siç vlerësoi Mickoski, “kjo Qeveri, përmes shmangies që të dakordohet datë për zgjedhje, me vetëdije po shkon drejt shkaktimit të krizës kushtetuese dhe politike”.

    “Qëndrimi ynë është parimor dhe i pandryshuar. Zgjedhjet do të jenë vitin e ardhshëm në mandatin e rregullt, fillimisht presidenciale dhe më pas ato parlamentare. Për datën e saktë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve fillimisht ato presidenciale, ndërsa më pas edhe për ato parlamentare jemi të gatshëm të bisedojmë në nivel të grupeve të punës. Pres që së shpejti të formohen dhe të fillojnë me punë”, tha Kaevski në një konferencë për shtyp.

    Kryeparlamentari Talat Xhaferi, kohë më parë deklaroi  se do të thërrasë takim të liderëve për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare vetëm nëse kryetarët e partive politike do të bien dakord. Paralajmëroi se nëse ka bisedime, ato duhet të përfundojnë më së voni deri në fund të vitit. Gjithçka pas kësaj, siç tha, do të nënkuptojë rrjedhja e afateve dhe procedurave të parapara me ligj dhe Kushtetutë për zgjedhjet e rregullta. /koha/

    Lajmi Paraprak

    90 për qind e qytetarëve në RMV informohen nga rrjetet sociale

    Lajmi i rradhës

    Besimi në BE me “dylbi” të ndryshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë