ZGJERIMI I BE-së | Aspirantët që presin te dera!  

    Të mërkurën, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave zyrtare të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Ky është një gjest i madh mbështetjeje për Kievin teksa lufton me Rusinë. Komisioni i dha gjithashtu statusin e kandidatit Gjeorgjisë dhe do të hapë negociatat e pranimit me Bosnje dhe Hercegovinënpasi të plotësohen kushtet. Por ku janë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

    Korrupsioni në nivelin më të lartë. Mangësitë në sundimin e ligjit dhe trajtimi problematik i pakicave kombëtare: në fillim të vitit 2022, dukej ende e paimagjinueshme që Ukraina të bëhej një kandidate serioze për anëtarësim në BE në të ardhmen e afërt. 20 muaj pas fillimit të agresionit rus ndaj këtij shteti të Evropës Lindore, tani është në një situatë tjetër.

    Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e shumëpritur për progresin e vendeve aspirante për anëtarësim në BE. Raporti zbuloi se Ukraina është e gatshme të negociojë duke pasur parasysh reformat që ajo ka zbatuar pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme kundër pushtimit rus. Sipas raportit, Ukraina përfundoi katër nga shtatë reformat prioritare të përcaktuara për të. “Sot është një ditë historike,” tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke shtuar se rekomandimi vjen dhjetë vjet pas protestave të Maidan në Ukrainë, “ku njerëzit u qëlluan sepse ishin mbështjellë me flamurin evropian”. Sinjali pozitiv nga BE-ja i jep Ukrainës një shtytje të nevojshme në kohë të vështira, kur forcat e saj nuk arrijnë të bëjnë një përparim dhe vëmendja e Perëndimit është kthyer nga trazirat në Lindjen e Mesme.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshëndeti vendimin si një “hap të vërtetë” për Evropën. “Vendi ynë duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Ukrainasit e meritojnë për shkak të mbrojtjes së vlerave evropiane dhe për faktin se edhe në kohë lufte, ne i qëndrojmë fjalës”, ka shkruar Zelensky në një postim në rrjetet sociale.

    Ukraina aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian menjëherë pas pushtimit të Moskës në shkurt 2022, dhe zyrtarisht u bë kandidate për anëtarësim në qershor të atij viti. Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE do të miratojnë rekomandimet në një samit në dhjetor. Von der Leyen tha se Ukraina dhe Moldavia duhet të zbatojnë reforma të mëtejshme përpara se të jepet një datë zyrtare për fillimin e negociatave. Ajo tha se Komisioni do të publikojë një raport të përditësuar të progresit në mars 2024. Edhe nëse Ukraina do të fillonte negociatat, do të ishte vetëm fillimi i një procesi të mundimshëm reformash që mund të marrë vite, nëse jo dekada para se të bashkohet me bllokun.

    Përveç kërkesës për përparim në Ukrainë dhe Moldavi, Brukseli po propozon gjithashtu që shtetet anëtare t’i japin Gjeorgjisë statusin e kandidatit. Ish republikat sovjetike të Moldavisë dhe Gjeorgjisë paraqitën aplikime për anëtarësim në të njëjtën kohë me Ukrainën.

    ÇFARË ME BALLKANIN PERËNDIMOR?

    Lufta në Ukrainë i ka dhënë frymë të re përpjekjeve të ngecura të BE-së për të pranuar anëtarë të rinj, ndërsa blloku kërkon të mënjanojë ndikimin e Rusisë dhe Kinës. Për herë të parë, komisioni dha një raport për çdo vend kandidat, dhjetë në numër. Përkatësisht, Turqia, Gjeorgjia, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina, plus Ukraina dhe Moldavia.

    Ministrja sllovene e Punëve të Jashtme Tanja Fajon pohoi se zgjerimi me Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen nuk është vetëm në interes të BE-së dhe anëtarëve të rinj, por edhe një imperativ gjeostrategjik. “Evropa do të jetë edhe më e qëndrueshme, e sigurt dhe e begatë kur të përfundojë zgjerimi,” tha ajo. Turqia filloi negociatat e anëtarësimit në 2005, por ato janë bllokuar. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë gjithashtu të ngecur në negociata. Bosnja dhe Hercegovina mund të shpresojë vetëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

    DYER TË HAPURA PËR BOSNJËN

    Bosnja dhe Hercegovina nuk ka marrë vulën e pastër të miratimit dhe nuk ka arritur të fitojë mbështetje të qartë për negociatat pasi u bë një kandidat për anëtarësimin në BE në dhjetor. Komisioni rekomandon hapjen e negociatave “pasi të jetë arritur niveli i nevojshëm i përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit”. Megjithatë, rekomandimi për Bosnjë dhe Hercegovinën shihet si një sinjal i rëndësishëm politik. “Ne po e hapim derën dhe po ftojmë Bosnjën,” tha von der Leyen. “Tani, për të kaluar nga ajo derë, sigurisht që Bosnja duhet të jetë aktive”. Raporti thotë se BeH ka bërë përparim në aspektin e kritereve politike, pasi një qeveri funksionale u formua relativisht shpejt pas zgjedhjeve të mbajtura në 2022. Ajo ka filluar të japë rezultate në drejtim të reformave, duke përfshirë forcimin e sigurisë ligjore. Megjithatë, veprimet e autoriteteve në entitetin Republika Sërpska që minojnë rendin kushtetues të vendit konsiderohen si problem.

    Mesazhi nga Brukseli u prit me reagime të ndryshme në vend, nga optimizmi deri te zhgënjimi. Kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo, deklaroi se BeH ka ende mundësinë për të bërë përparim të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE. “Kjo përfaqëson një nxitje të rëndësishme dhe të fortë për të gjithë ne në BeH, që institucionet të punojnë më shpejt, më mirë dhe më shumë për të përmbushur kriteret dhe përparësitë,” tha Kristo. Kryesuesi i Presidencës së BeH, Zheljko Komshiq, tha tani gjithçka varet nga ne!

    “Ne prisnim një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave dhe një dritë jeshile, pavarësisht nga të gjitha paqartësitë që lidhen me të ardhmen e BE-së dhe zgjerimin, për të filluar punën reale të organizimit dhe zhvillimit të negociatave”, ka shkruar presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik. Anëtari slloven i Komisionit Evropian, Komisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic tha se pas marrjes së statusit kandidat vitin e kaluar, Bosnja ka treguar deri tani përshpejtimin më të madh në procesin e reformës. Ai ka besim se vendi mundet shpejt arritjen e nivelit të përputhshmërisë me prioritetet kyçe të nevojshme për fillimin e negociatave, vendim që do të merret nga Komisioni në mars të vitit të ardhshëm.

    MAQEDONIA TË PËRSHPEJTOJË PROCESIN E REFORMAVE

    Javën e kaluar komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhei i kërkoi Maqedonisë të përshpejtojë ritmin e reformave të lidhura me BE tani që procesi i negociatave të pranimit ka filluar tashmë. Sipas komisionerit Varhei, disa ndryshime në Kodin Penal në lidhje me një sërë çështjesh korrupsioni të nivelit të lartë kanë shkaktuar shqetësim. “Forcimi i besimit në sistemin e drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit, përfshirë nëpërmjet hetimeve të forta, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, është kritike,” tha Varhey. Për sa i përket procesit të skriningut, komisioneri tregoi se ai po ecën pa probleme dhe se autoritetet e vendit kanë treguar një angazhim të lartë në zbatimin e tij, edhe kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese.

    Lidhur me marrëdhëniet e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, kryeministri bullgar Nikolaj Denkov tha gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Granada në tetor: “Qëndrimi ynë nuk do të ndryshojë. Nëse ata [Maqedonia e Veriut] ndryshojnë kushtetutën e tyre, kjo do t’u hapë derën”.

    Ai foli për këmbënguljen e Sofjes që minoriteti bullgar të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si parakusht për heqjen e vetos për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Shkupin. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PARKINGJET TË BLLOKUARA ME MUAJ! | Dibra ka pasoja nga parkingjet pa pagesë

    Lajmi i rradhës

    Bullgar apo maqedonas, frika nga censusi në Shqipëri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë