PARKINGJET TË BLLOKUARA ME MUAJ! | Dibra ka pasoja nga parkingjet pa pagesë

    Qyteti i Dibrës tanimë disa vite ka probleme të shumta me parkingjet. Në hall të madh janë sidomos banorët të cilët jetojnë në rrugën kryesore të Dibrës “8 shtatori”, të cilët kanë shqetësime të mëdha për të gjetur parking për automjetet e tyre. Problemi është i madh meqë në këtë rrugë kryesore ka raste kur me muaj të tërë persona të pandërgjegjshëm parkojnë me automjetet tyre, udhëtojnë jashtë vendit dhe kur kthehen ata i përdorin. Kjo ndodh meqë në Dibër ndoshta është qyteti i fundit ku për parking nuk paguhet. Por situata shpesh herë agravon në momente kur edhe pse jetojnë në këtë rrugë kryesore, banorët nuk mund të gjejnë një parking të lirë.

    Për këtë problem është debatuar disa herë edhe në seancë të Këshillit të komunës Dibër. Është një problem i cili kërkon zgjidhje, jo vetëm në rrugën qendrore por edhe në rrugët të tjera ku për shkak të parkimeve shumë rrugë tani janë me regjim të një korsie. Ka patur debate të nxehta në këshillin e komunës meqë situata në fjalë shkakton edhe shumë probleme që kanë të bëjnë me sigurimin në komunikacion. Në debatet një pjesë e këshilltarëve kanë kërkuar vendosjen të parkingjeve me pagesë. Paralajmërime në këtë drejtim ka patur edhe nga kryetari i komunës Hekuran Duka, por kjo nuk ka ndodhur.

    Në një situatë të këtillë sipas dëshirës një pjesë e bashkëqytetarëve lënë automjetet e tyre meqë ka siguri më të madhe në rrugën kryesore “8 shtatori”. Është fat i madh të gjesh parking para ndërtesës, thotë Qenan M.

    “Jetoj në një ndërtesë në këtë rrugë dhe jam shpesh herë i detyruar që të rrotulloj Dibrën dhe të vijë para ndërtesës për të gjetur parking për automjetin tim. Sigurisht nëse ka parking me pagesë, kjo nuk do të ndodh. Ka automjetet të cilët me javë qëndrojnë në këtë rrugë. Kjo situatë është e padurueshme”, thotë ai dhe shton se organet lokale patjetër duhet të vendosin pagesë objektive për parking, gjë që do të stabilizojë situatën dhe nuk do të vendosen automjetet pa afat në këtë rrugë që ka një frekuencë të madhe.

    Reagimet të shumë banorëve të Dibrës janë pothuajse të njëjta meqë vërtetë problemi është shumë serioz. Problem të madh kanë edhe objektet afariste të cilat furnizohen me artikuj të ndryshëm meqë nuk ka ku ndalin automjetet transportuese me të cilët i sjellin mallrat. Këshilli i komunës Dibër ka informuar edhe për një regjim të veçantë të komunikacionit në rrugën kryesore që është një drejtim, por edhe në disa rrugë të tjera. Ka informata se së bashku me policinë duhet të hartohet një regjim i ri i komunikacionit me qëllim që të tejkalohen problemet. Kur është në pyetje problemi i parkingut është përfolur edhe ndërtimi i një parkingu në kate, por këta përcaktime janë vetëm në letër. Për shkak të situatës në fjalë, si asnjëherë deri tani, vitin e fundit ka aksidente të shumta pikërisht në rrugën kryesore mes automjeteve. Kjo situatë kërkon zgjidhje urgjente, thonë qytetarët dhe kërkojnë nga komisioni për siguri në komunikacion që funksionon pranë komunës Dibër të ndërmerr aktivitete të menjëhershme dhe të kërkojë vendosjen të parkingjeve me pagesë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti kundërshtarëve: as mos ëndërroni se mund të na fitoni

    Lajmi i rradhës

    ZGJERIMI I BE-së | Aspirantët që presin te dera!  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë