A do të funksiononte java 4-ditore e punës?

    Andreas Kluth
    “Bloomberg”

    Japonia, vendi që na i dha botës termin “karoshi” për të përshkruar dukurinë e “vdekjes nga mbingarkesa në punë”, po mendon të fusë në zbatim një javë pune opsionale 4-ditore. Kjo ide është paraqitur gjithashtu në Islandë, Zelandën e Re, Spanjë dhe vende të tjera.

    Në fakt ajo është aq shumë e qartë, saqë disa njerëz të mençur në të kaluarën do të tronditeshin po të mësonin se ne sapo kemi filluar të flasim për të. Njëri prej tyre do të ishte ekonomisti Xhon Mejnard Kejnes. Në vitin 1930, kur Depresioni i Madh po kërcënonte prosperitetin e vendit tij dhe të mbarë botës, ai shkroi një ese klasike mbi “Mundësitë ekonomike për nipërit dhe mbesat tona”.

    Tendencat ekonomike dhe teknologjike afatgjata, argumentoi ai në një mënyrë kundër-intuitive, sugjerojnë se brenda një shekulli – domethënë tani  – ne mund të plotësojnë në mënyrë efikase të gjitha nevojat tona, dhe do të punojmë vetëm për forcën e zakonit apo për argëtim, por edhe atëherë ndoshta jo më shumë se 15 orë në javë.

    Një vështrim i shkurtër përreth, do t’ju bindë se sa të drejtë kishte ai në disa aspekte, dhe jo të drejtë në disa aspekte të tjera. Është e vërtetë, me gjithë zonat ku ka ende varfëri, njerëzimi e ka kapërcyer kryesisht problemin tradicional të ekonomisë, që ishte mungesa e mallrave jetikë. Sot shumica e njerëzve në vendet e pasura mund të ushqehen lehtë, të vishen dhe të strehojnë veten dhe familjet e tyre.

    E megjithatë, numri mesatar i orëve të punës për person ka rënë shumë pak gjatë dekadave të fundit, dhe është ende shumë më i lartë se sa parashikoi Kejnes. Në shumicën e vendeve, java standarde e punës përcaktohet në 40 orë apo më shumë punë, por realiteti është se njerëzit bëjnë shumë më tepër orë pune jashtë orarit zyrtar.

    Çuditërisht, janë ata që kanë të ardhurat më të larta – dhe për këtë arsye ata të cilët shumicën e nevoja fizike i kanë të paplotësuara – ata që punojnë më shumë. Disa nëpunës në Kinë mburren me punën në formatin “996” – ngaora 9 e mëngjesit deri orën 9 të mbrëmjes në 6 ditë të javës.

    Kur isha dikur një bankier investimesh, disa nga kolegët e mi punonin mbi 100 orë në javë. Kjo është lloji i jetës që çon tek“karoshi”, të cilin kinezët e quajnë “guolaosi” dhe koreano-jugorët “gwarosa”.Përveç Kejnes, edhe të tjerët që do ta shihnin me habi këtë fenomen, përfshijnë paraardhësit tanë gjuetarë.

    Për pjesën më të madhe të kohës të ekzistencës së species tonë, njerëzit kanë punuar sipas formulës kejnesiane- pra pak orë në ditë, dhe megjithatë ishin të shëndetshëm dhe madje të kënaqur, thotë antropologu Xhejms Suzman në librin e tij të fundit “Puna:Njëhistori nga Epoka e Gurit tek Epoka e Robotëve”.

    Suzman thotë se një pjesë e arsyes ishte ndjenja e tyre e kohës dhe barazisë. Për shkak se ata kishin besim në aftësinë e natyrës për t’i ushqyer ato çdo ditë, mbledhësit gjuetarë planifikonin rrallë gjërat që bënin, dhe jetonin kryesisht sot për sot.

    Dhe për shkak se banonin në grupe të vogla që vuanin nga pabarazia e statusit, akumulimi i pasurisë ishte në thelb i pakuptimtë, pasi të gjithë mund të kërkonin që ju të ndanit çfarëdolloj  teprice që kishit. Kjo lloj“pafajësie” humbi afro 10.000 vjet më parë, kur u shfaq bujqësia. Tani njerëzit duhej të jetonin vazhdimisht në të ardhmen, duke mbjellë tani dhe duke korrur muaj më vonë, duke i ruajtur farat dhe të korrat për vitet kur mund të kishte të korra më të këqija etj.

    Dhe ata jetuan në shoqëri më të mëdha sedentare, të cilat u bënë dukshëm më të pabarabarta. Kjo pasi ata zbuluan dëshira të reja materiale. Puna për të plotësuar nevojat tona ishte aty jashtë; puna për të kënaqur dëshirat tona ishte brenda. Dhe dëshirat janë të kufizuara vetëm nga imagjinata jonë.

    Industrializimi, urbanizimi dhe moderniteti e nxitën shumë këtë zhvillim. Nisën të shfaqen reklamat që i ushqyen më tej fantazitë tona në lidhje me konsumin dhe statusin që mund të kishim në të ardhmen. Kohët e fundit, po dominojnë mediat sociale në internet, që na tregojnë përditë lajme mbi njerëz të tjerë që duket se kanë më shumë nga ne.

    Është e vështirë të kalojë qoftë edhe një ditë të vetme pa e krahasuar veten më të tjetër, duke u ndjerë se nuk je gjëkundi, dhe duke arritur në përfundimin se duhet të përpiqesh më shumë. Prandaj jemi shndërruar në makina që garojnë me shpejtësi pranë njëra-tjetrës.

    Në një lloj kuptimi, shpjegimi mbi këtë sjellje nuk mund të gjendet më tek ekonomia, pra tek mungesat materiale, por tek filozofia budiste:Nuk janë nevojat e trupit por dëshirat e mendjes ato që tani na shtyjnë dhe na mundojnë.

    Fatmirësisht, në disa kultura prioritetet kanë filluar të ndryshojnë. Gjermanët që dikur ishin të famshëm për punën e palodhshme; njihen sot për pushimet e gjata në Majorka. Në përgjithësi evropiano-perëndimorë kanë zbuluar gëzimet e ngadalësimit të ritmit të jetës, sidomos kur krahasohen me amerikanët.

    Kjo prirje po lulëzon në Azinë Lindore. Kur jetoja në Hong Kong dy dekada më parë, mendoja shpesh se nëse MaksVeber do të ishte gjallë, ai do të duhej që ta rishkruante librin e tij“Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” duke e zëvendësuar termin “Protestant” me “Konfucian”.

    Por këto ditë edhe të rinjtë kinezë po e përqafojnë përtacinë si një mënyrë jetese. Unë e di mirë se ka lexues që nuk bien dakord me këto eksperimente. Edhe Kejnes e njihte frikën nga ajo që ai e quajti “papunësia teknologjike”.

    Por ai e hodhi poshtë atë, duke supozuar se ankthi më i madh i njeriut ka të bëjë me atë që do të bëjë me veten kur të ketë shumë më tepër kohë të lirë. Për ta shpenzuar më mirë atë, rezulton se ne duhet të kultivojmë aspekte të reja – ose më mirë, antike – të natyrës sonë, të cilat as që mund të duken si punë. Kejnes mendonte se kjo është një përpjekje që ia vlen, pasi ne “jemi trajnuar shumë gjatë për t’u përpjekur, dhe për të mos shijuar”. 

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët me qëndrime të ndara rreth masave kufizuese për të pavaksinuarit

    Lajmi i rradhës

    Apasiev – Xhaferit: Nuk e kuptoj shqipen, do t’ua kthej materialet nëse janë dygjuhëshe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë