Angela Merkel, një zonjë e madhe në nivelin e kombit që përfaqëson

    ARTAN FUGA

    Deputetët duhej t’i ishin ngritur në këmbë zonjës Merkel. Është interesante të mendosh se drejtues të mëdhenj shtetesh të mëdha na zgjedhin ne për t’i dhënë lamtumirën politikës. Më kujtohet kur erdhi Presidenti Bush, që thanë se edhe i vodhën edhe orën, sigurisht për kujtim…

    Nga njëra anë sepse ne nuk i kursejmë fjalët e mira, dhe nga ana tjetër se kombet e tjerë janë shumë pragmatistë: Sa je, je, kur nuk je, nuk je! Ne dimë të bëjmë qoka! Zonja Merkel ka qenë një drejtuese e madhe e një kombi të madh dhe shteti të fuqishëm. Nga gratë, ajo është po aq e madhe në klasin e saj të pashembullt sa edhe zonja Thaçer! Sigurisht, do të mendoja subjektivisht se ndenji kot aq gjatë në pushtet sepse në fund, vitet e fundit, kisha përshtypjen se i kishte duart e lidhura disi dhe aksioni i saj politik u zbeh gradualisht.

    Vetëm ish-Presidenti Obama diti ose iku kur ishte në majë të popullaritetit të tij. Sigurisht, në Tiranë mirë do të ishte të kishte takuar veç zotit Rama, edhe nga opozita, kryetaren e Kuvendit apo Presidentin sepse kështu do të dilte më në pah jo thjesht ana e saj kryeministrore, por raporti i saj me kombin shqiptar pa ngjyrime politike. Por, protokollin e dinë ata… Mua më erdhi shumë keq që zonja Merkel nuk u ftua nga zonja Nikolla të mbante një fjalim në Kuvend, por u mbyll në takime në Pallatin e çliruar nga partizanit Meke!

    Nuk ishte dinjitoze nga ana jonë! Të gjithë deputetët duhet t’i ishin ngritur në këmbë! Opozita duhej ta kishte formuluar këtë kërkesë te zonja Lindita Nikolla. Mbase e kishte mendjen gjetiu! Ajo për mua ka meritën se për vendet e Ballkanit arriti në përfundimin që askush tjetër nga drejtuesit evropianë nuk e pati, se Ballkani duhet pranuar në BE, pale se nuk plotëson kërkesat e BE-së, dhe Shqipëria veçanërisht nuk plotëson asnjë kërkesë për integrim. Ajo, si grua e madhe, kuptoi që Ballkani para së gjithash është zonë gjeopolitike që duhet futur në shtëpinë europiane, pastaj të shohim si mund të qytetërohet politikisht. Kështu e kam parë strategjinë dhe filozofinë e saj politike!

    Ajo ishte e vetmja që ua vinte dy këmbët në një këpucë këtyre liderëve ballkanikë, pa gilivili, të cilët “vrasin” “babanë”, por “mamanë” e kanë frikë e tmerr. Sado që në Berlin bënë dhe akte rrugaçërie para saj. Por ajo nuk u tut! Sigurisht, plani i saj nuk eci. Për këtë nuk ka faj ajo, nuk është dështim. Kur elitat politike shqiptare nuk dëshirojnë të hyjnë në BE, çfarë do të bënte ajo? Për më tepër, ajo është sabotuar sot nga Foto Çami që në 1987, kur dogmatizmi i udhëheqjes shqiptare të asaj kohe nuk ishte veçse pjesa e shfaqur e taktikës dhe e strategjisë për ta mbajtur larg Gjermaninë nga zona që nuk i përkiste Austro–Hungarisë së dikurshme. Zonja Merkel ishte deri në fund një zonjë e madhe në politikë, në nivelin e reputacionit të vendit të saj! Rrallë ndodh që individi drejtues të jetë në nivelin e kombit që përfaqëson. Sot po ndodh gjithnjë e më pak në të gjithë botën. Zonja Merkel, një zonjë e madhe në politikë!/Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Infrastruktura hekurudhore në RMV nuk përmbush standardet e vendeve në rajon

    Lajmi i rradhës

    Ekspertët gjermanë ende nuk kanë arritur në Tetovë për të hetuar rastin me zjarrin në spitalin modular

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë