Ditëzinj, pa universitet dhe pedagogë, jemi pa Atdhe!

    SHPËTIM NAZARKO

    Një miku im pedagog gjerman po më shpjegonte një ditë në lidhje me vështirësitë e marrjes së disa dokumenteve për të filluar punën dikur si mësues në ciklin e ulët. I thashë pa u menduar se vështirësia vinte ndoshta ngaqë Gjermania sa kishte filluar rindërtimin pas luftës së Dytë etj., etj. -Jo, jo, – më tha, – duhej të vërtetoja origjinën time, deri në breza, që isha gjerman… Mund të bëhesh profesor universiteti këtu, duke qenë polak, a shqiptar, por jo mësues filloreje. Duhet t’u mësosh fëmijëve gjuhën e nënës e këtë s’e bëjnë dot ata që nuk janë gjermanë… Të flasësh për këto nuanca në Shqipëri, të shohin me çudi…

    Sa duhet ta kenë rrogën pedagogët, në Shqipëri? As që kam ndërmend, të bëj llogaritë e rrogës së tyre. E natyrisht, të dëgjoj ata që u kujtojnë pedagogëve rrogat e larta, marifetet që bëjnë duke kaluar studentët në këmbim të parave, fshehjen e rrogës reale, apo paudhësi të tjera të këtij lloji. Të përzihesh në këtë çështje dhe me gjuhën e shprehur së fundmi, jo vetëm nga militantët partiakë, por nga vetë Kryeministri, që u kujtoi jo vetëm këto hynere, por dhe kontrollin që do t’u bënte, për t’u parë rrogat reale etj., etj., do të thotë të jesh i mjerë. I bëjnë pedagogët këto? Një pjesë e tyre, si një pjesë e shoqërisë, po.

    Po pjesa tjetër, merret me atë që duhet të bëjë. Një pedagog natyrisht që mund të trajtohet edhe si një punëtor, a një mjek, por a është vërtet ky thelbi i çështjes? Pedagogu ka në dorë, ndryshe nga Kryeministri apo ministri, – që janë nëpunës të lartë të shtetit, por nesër janë ca më pak, – të ardhmen e vendit, në formën më të drejtpërdrejtë. Pedagogut i duhet një rrogë të blejë ca libra më të mira se të të tjerëve, të ketë një bibliotekë të klasit të parë, të udhëtojnë në konferenca kombëtare a ndërkombëtare, për të rritur nivelin e tyre, që duhet për fëmijët e njerëzisë etj.

    Pa kanë dhe ata fëmijë si të tjerët, shtëpi etj. Një pedagogu, pra, ndryshe nga të tjerët, u duhen shumë para e jo një milionë e dy milionë, po ca më shumë se kaq. Po ku t’i gjejë qeveria, kaq para? Po të citosh Kryeministrin, zjarrfikësit kanë dhe ata probleme dhe rritja 7 për qind e rrogës ndihet te pedagogët më shumë. Ku t’i gjejë qeveria kaq para? Por, a është vërtet punë paraje? Problemi është shumë më i thellë dhe tregon drejtpërdrejt kolapsin e vendit në çdo drejtim e që po e çon atë në greminë. Kur sistemi komunist ra politikisht, bashkë me të ra edhe e gjithë ngrehina shtetërore. Sistemi mbahej nëpërmjet ca instituteve që studionin që nga tokat, farërat që duheshin mbjellë, ujërat, territori, pyjet e gjithçka.

    Fundja, mirë bënë, se i përkisnin një sistemi sovjetik e po ndërtonim sistem tjetër. Por pyetja e thjeshtë natyrisht vjen këtu. Kush do t’i zëvendësonte këta faktorë? Se tokat duhet të vazhdonin të mbroheshin, ujërat po, pyjet po, studimi i territorit, po. Do ta bënin militantët partiakë që zunë zyrat për shkak të angazhimit politik apo nëpunësit e ministrisë me atë rrogë minimale dhe pa kushte reale për t’i bërë? Shihni kazinonë e Shqipërisë së sotme dhe e kuptoni. Klasa politike nuk e vrau mendjen. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe veç asaj që ndodhi. Në këtë pikë, klasa jonë politike e majtë apo e djathtë u tregua shumë më e poshtër se pushtuesi. Kur Duçja pushtoi Shqipërinë, më parë dërgoi këtu ekspertë të të gjitha fushave, për të kuptuar jo vetëm se çfarë po pushtonte.

    Ekspertët e Duçes treguan dhe analizuan me imtësi çfarë mbillej e rritesh këtu. Në çdo centimetër tokë të Shqipërisë. Si mbrohesh dhe rregullohesh territori, ujërat sizmike. Planizuan qytetet thuajse të gjitha duke ruajtur vendin në gjithçka, megjithëse ky vend nuk ishte i tyri. Çfarë ndodhi këtu? Pyjet, ujërat, territori, ushqimet, studimi apo strategjitë ndërtuese morën fund. Ato u zëvendësuan nga politika dhe mendtë e “Njëshit” që qeveriste, pa shkruar as dhe një artikull të vetëm si qeverisesh. Po të ketë shkruar qoftë edhe një të vetëm, ndonjë prej tyre këtyre tridhjetë vjet, i tërheq me turp këto që shkrova.

    Nuk po bëj paralele me vende të tilla, si Gjermania, a Italia, që kur humbën luftën si ne, betejën për të ndërtuar komunizmin, iu drejtuan figurave të mëdha të kombit për të nxjerrë nga pellgu i së keqes Atdheun. Iu drejtuan De Gasperit dhe Adenauerit. Shihni kujt iu drejtuam ne këto tridhjetë vjet… Cilët ishin kryeministrat që e drejtuan vendin dhe sa ide hodhën për vendin e tyre. Çfarë bënin dhe bëjnë realisht? Po kush do ta mbrojë vendin, territorin, ujërat, kush do t’i bëjë studimet për energjinë, për bimët? Vërtet mendoni se do ta bëjnë nëpunësit e ministrisë apo ministrat e improvizuar? Mos mendoni se po flas për rikrijimin e instituteve komuniste? Ka vetëm një vend, ku mund të mbrojmë Shqipërinë.

    Këto janë universitetet dhe pedagogët e tyre. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Dhe aty janë paratë. Ka shumë më tepër se ato që kërkon qeveria me Kryeministrin e saj. Nëse qeveria ka ndërmend të bëjë strategjinë e fotovoltaikëve për energjinë e vendit, ajo ua ngarkon detyrën universiteteve. Mos kërkoj prapë komunizmin? Jo, këtë bëri Helmut Koli që në 1993-in, për të nxjerrë këtë vend të ftohtë nga varësia energjetike. Nuk ua kërkoi universiteteve dhe instituteve si direktivë partie, por si problem e shqetësim kombëtar. Ka dëgjuar njëri nga Nano, Berisha e Meta dhe Rama gjëra të ngjashme me Kolin apo udhëheqësin e një vendi kapitalist. Në Unit’u ngarkojë prodhimin e farërave të pastra, të bimëve e fidanëve për pemët.

    Në ato ngastrat e universitetit ku studentët bëjnë praktikë, prodhohen këto fara, që duhet t’i ketë universiteti monopol në shitje e kontroll. Janë para që shkojnë për universitetin dhe studentët që paguajnë taksat. Projektet kombëtare të rrugëve u jepen katedrave përkatëse dhe studentëve të ekselencës. Janë shumë para. Shumë më tepër, se mendon qeveria. Universiteteve u jepen licencat e ndërtimit, sizmikes, hekurit, a çelikut etj., etj. Universiteti është i përjetshëm, ke ku e kontrollon, privatin ca më pak. Në Perëndim, universitetet mbahen me paratë e privatëve që mund të përfaqësojnë koncerne a fabrika të vogla e të mëdha.

    Nuk merret shteti me rritjen e rrogave të tyre. Kur shteti merret drejtpërdrejt, ua pakëson apo ua shton, ai është thjesht një shtet komunist e asgjë më shumë. Pse qeveritë e Shqipërisë këto tridhjetë vjet nuk merren me politikat që fuqizojnë universitetin nëpërmjet gjërave të folura sipër? Ne jemi privat tashti, thotë dikush. Shteti shqiptar në formë është privat, por në thelb është i centralizuar, si komunizmi i dikurshëm. Ai është investitori miliardësh.

    Dhe pse e bën këtë? Nuk bën dot më shumë për pedagogët apo universitetet, apo i pëlqen si sistemi komunist i dikurshëm, të mbajë fort pushtetin politik, pavarësisht se vendi shkon gjithnjë e më shumë drejt greminës dhe njerëzit po marrin arratinë. Universiteti dhe pedagogët janë e vetmja gjë që i ka mbetur Shqipërisë. E nuk është fare punë rrogash, kjo është gjëja më e vogël, për të cilën ata nuk kanë nevojën e qeverisë. Ata duhet të kërkojnë që qeveria t’u heqë atë lakun e madh, që i shndërron universitetet në ngrehina të mjera dhe të vogla, që duhet të mbijetojnë si të mundin e ku të mundin. Nëse do të vazhdojmë kështu, nuk është e vështirë të shohim se shumë më shpejt nga sa mendoni do të mbetemi pa Atdhe.

    Atë nuk mund ta mbrojë kurrë një Kryeministër, sado i zoti të jetë realisht apo sado t’i jetë mbushur mendja sa i zoti është. Ka një vend ku Kryeministri duhet të vërë e të ulet në gjunjë është universiteti. Nuk do të bënte në këtë rast më pak se Napoloni i Madh, i cili edhe në 100 ditët e fundit, kur nga të gjitha anët, koalicioni i pushtueseve po rrethonte Parisin, shkonte pas çdo beteje në Politekniken e Francës, që është dhe sot krenaria e saj kombëtare. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    ‘Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi’

    Lajmi i rradhës

    Xhaferi: Pas të gjithë dështimeve, mos të habitemi kur “Ballistët” e Shkëndijës na ofendojnë dhe na fishkëllejnë

    Lajme tjera

    Prestanome

    PËLLUMB NAKO Arrestimi i disa drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës nga SPAK është pritur me komente…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë