Falsiteti proamerikan i qeverisë dhe i opozitës

    Foto: ABC News24

     FITIM ZEKTHI

    Tipari më dallues, ndoshta, i asaj që sot ndodh në vendin tonë është falsiteti…, të bërit gjasme, e rrejshmja. Kjo ndodh me shërbimin publik në spital, i cili është një karikaturë e shëmtuar dhe poshtëruese e shërbimit privat që bëhet në publik; kjo ndodh me koncesionet në ekonomi, që gjasme janë bashkëpunim i publikes me privaten, por janë tenderë publikë që u jepen privatëve përmes një korrupsioni të llahtarshëm; kjo ndodh me muzikën ku forma dhe zhveshja ku imitacioni dhe plagjiatura janë gjasme këngë; kjo ndodh me diploma universitare që japim çdo vit, ku sigurisht gjysma e të diplomuarve kanë probleme serioze me të shkruarit e një fjalie të thjeshtë në shqip; kjo ndodh me hapjen e negociatave për anëtarësim, të cilat gjasme i kemi hapur prej kohësh, kjo ndodh me lëvizjen “Foltorja” që gjamse do të çlirojë opozitën dhe të bëjë një opozitë të vërtetë dhe të hapur, kjo ndodh me lavdërimet gjasme që i bëhen masivisht dikujt për një libër që ai shkruan apo për diçka tjetër ai ka bërë; kjo ndodh me vetet që shfaqin në publik deputetë dhe ministra, të cilët përmes veshjes dhe modës, përmes fjalimeve të kopjuara apo shkruara nga të tjerët duan të shfaqin një vete që nuk janë etj.

    Ky falsitet është kthyer në identitetin tonë. Pak ditë më parë, SHBA kishte Ditën e Pavarësisë. Shumë njerëz shkruan në përpjekje të duken proamerikanë. Drejtuesit më të mëdhenj politikë shkruan dhe folën për këtë ditë. Po marrin në diskutim Kryeministrin Rama dhe drejtuesin e lëvizjes “Foltorja” Berisha, të cilët janë sot dy nga politikanët që dominojnë me veprimin e tyre jetën politike të vendit.

    Nuk është ndonjë detyrim hyjnor të jesh proamerikan, siç është detyrim hyjnor të jesh pro francez, pro turk apo pro brazilian. Në njëfarë mënyre, njerëzit duhet të jenë pro çdo populli dhe këtë kuptim kushdo duhet të jetë pro amerikan dhe duhet ta urojë me emër pavarësinë e SHBA-së.

    Veç kësaj, SHBA-ja ka dy veçanësi të rralla. Njëra ka të bëjë pak a shumë me ne shqiptarët dhe tjetra ka të bëjë me universalen. Ndoshta ajo e para vjen pas asaj së dytës. Pra, janë ato vera universale që bart, ka, mishëron SHBA-ja, të cilat kanë prodhuar atë veçanësi për ne shqiptarët. Për t’i rënë shkurt, SHBA-ja për ne shqiptarët garancia pse ne jemi të pavarur, ose është garancia sepse në konferencën e pasluftës së Parë Botërore ruajtëm pavarësinë. SHBA është arsyeja pse Kosova është e pavarur. SHBA është arsyeja pse jemi në NATO dhe pse kombi ynë ka një mbrojtje domethënëse përballë atyre që historikisht kanë dashur të na zhdukin.

    Veçanësia e dytë janë, siç thamë, vlerat e atij vendi. Vlerat e SHBA-së janë ngjizur në luftën e tyre për pavarësi, në deklaratën e tyre të pavarësisë, në mendimet e themeluesve të saj dhe të dhjetëra mendimtarëve dhe patriotëve të atij vendi.

    Farërat e këtyre vlerave janë mbjellë kohë pas kohe dhe nga duar të ndryshme, por ato marrin të qartë në atë që njihet si beteja e Bunker Hill kundër anglezëve. Ned Ryun, një filozof politik amerikan dhe këshilltar i Presidentit Bush, thotë e gjithë lufta për pavarësi dhe ajo që nisi në Bunker Hill kishte të bënte me pyetjen “Kush qeveris”, me idenë e të drejtave transhendentale dhe sundimin e ligjit.

    Admirali Richard Howe dhe Benjamin Franklin, një nga etërit themelues të SHBA-së, zhvillojnë një dialog në këtë kohë me njëri-tjetrin, dialog që e kanë sjell shumë autorë, mes tyre edhe Ned Ryun. Howe thotë se kjo është një luftë për të përcaktuar nëse mbreti dhe Parlamenti mund t’i ndryshojnë si të duan dhe kur të duan të drejtat dhe dokumentet që i garantojë ato. Pra, në njëfarë mënyre thotë Howe, është pyetja është se “kush vendos”. Franklin përgjigjet se njerëzit do të duhet të vuajnë duke luftuar kundër qeverisë që kërkon t’ua marrë këto drejta, sepse po të dorëzohen, do të humbin edhe lirinë, edhe të drejtat.

    Kolonistët, ose ata që themeluan SHBA-në, të cilët erdhën kryesisht nga Anglia, morën me vete edhe idetë të cilat ishin në Magna carta, në Petuition of Right dhe në Krtën e Masachutsets. Këto të drejta konsideroheshin të shenjta, pavarësisht nëse ishin shkruar apo jo në letër sepse këto të drejta buronin dhe ishin në harmoni me ligjin natyror me një ligj shumë më të lartë. Ata besonin se këto të drejta iu ishin dhënë atyre nga Zoti, nga Krijuesi dhe asnjë pushtet tokësor nuk mund t’i prekte. Këto të drejta ishin e drejta e pronës, e shprehjes së lirë, e mbledhjes lirisht dhe e zgjedhjeve të lira si edhe e drejta për t’u mbrojtur.

    Këto të drejta transhedentale janë në zemër të pavarësisë së SHBA dhe në zemër të asaj që mishëron SHBA prej gati dy shekujsh e gjysmë. Këto të drejta e kanë bërë pronën të shenjtë për vlerat amerikane, e kanë bërë mbledhjen lirisht dhe zgjedhjet e lira të shenjta, e kanë bërë të drejtën e shprehjes të shenjtë e kanë të bërë të shenjtë edhe të drejtën e mbrojtjes. Në zemër të gjithçkaje është se askush, as mbreti, nuk është mbi ligjin dhe se askush nuk mund të sulmojë, shantazhojë, kërcënojë, anashkalojë ligjin. Kurrë. Janë bash këto parime që e kanë bërë SHBA-në të jetë mbrojtësja jonë në 100 vitet e fundit.

    Kryeministri Rama jo vetëm që nuk asnjë respekt për pronën e njerëzve dhe për pronën si koncept, por ai ua ka prishur njerëzve shtëpitë duke u hedhur gaz lotsjellës që në sabah brenda në shtëpi. Kryeministri Rama jo vetëm që nuk ka respekt për pronën, por qeveria e tij akuzohet si vjedhëse e pamendueshme e parasë së njerëzve, e tokës së njerëzve, e pasurisë natyrore të njerëzve të këtij vendi. Kryeministri Rama jo vetëm nuk ka respekt për zgjedhjet e lira, por ai i blen ato me para dhe me njerëz të botës së krimit siç kanë dalë nga përgjimet. Kryeministri Rama jo vetëm nuk ka respekt për sundimin e ligjit, por ai shantazhon, tall, fyen, përqesh njerëz të thjeshtë dhe politikanë, zyrtarë dhe drejtues të opozitës, artistë apo njerëz që janë kundër ideve të tij. Falsiteti i tij kur flet për SHBA-në si “kombi i lirisë, si vendi që frymëzon prej shekujsh botën ….” etj., është monumental. Rama ka ndërtuar një regjim neopatrimonialist që ka vetëm një qëllim dhe bën vetëm një gjë dominon dhe sundon qytetarët e vet, pa dyshim duke i poshtëruar me regjim dhe sundim.

    Ndërkohë, Berisha shkroi, sepse nuk mund të shkonte dot në pritjen e ambasadës amerikane se “….SHBA është superfuqia e lirisë, festojnë si kombi që ka bërë më shumë se çdo komb për lirinë e kombeve të tjera…”.

    Nuk po flasim për shenjtërinë e pronës dhe mënyrën se si e kupton atë Berisha, ai ka mundur të bëjë diçka gjatë qeverisjes, por kritikat mbi mënyrën se si e trajtoi atë janë shumëdrejtimëshe. Sa u takon zgjedhjeve të lira, edhe këtë nuk po e marrim në diskutim. Ai është gjithsesi Kryeministri që e ka lënë pushtetin me zgjedhje. Falsiteti i Berishës kur mbron dhe lëvdon vlerat e SHBA-ve ka të bëjë me mënyrën se si Berisha kupton lirinë dhe të drejtat në koncept, me mënyrën se si ai e sheh sundimin e ligjit. Nëse në frymën e pavarësisë së SHBA është liria e shprehjes, e mosshantazhimit, e mosshpifjes, e moskërcënimit, e mossharjes, e trajtimit të të drejtave të tjetrit si diçka që është dhuratë prej Zotit, atëherë Berisha është ana më e largët e këtij formulimi. Berisha kundërshtarin e sheh si armik, kundërshtari i ka të gjitha të këqijat. Për Berishën kundërshtari duhet asgjësuar, duhet të jetë hajdut, duhet të jetë i shitur, duhet të i pavlerë. Nëse vlerat e SHBA-së thonë se ligj dhe e drejta janë të shenjta dhe askush nuk merr dhe nuk kërkon të marrë diçka që nuk ia jep ligji dhe e drejta, Berisha është ana më e largët e këtij formulimi. Berisha kërkon që gjërat t’i zgjidhë turma, t’i zgjidhë me forcën e inatit dhe zemëratës, me kërcënim.

    Nëse SHBA-ja mishëron vlerat e sundimit të ligjit, të ndarjes së pushteteve, e përcaktimit më të qartë dhe më të drejtë në botë se “kush qeveris”, duke ndërtuar një zinxhir institucionesh dhe kufizim pushteti që askush të mos jetë mbi ligjin, atëherë Berisha është ana më e largët e largët e këtij formulimi. Berisha nuk e ka problem që këtë SHBA ta cilësojë si qeverisje që ndikohet nga mafia sorosiane, ta cilësojë se qeveri që merr vendime personale kundër tij dhe në favor të Kryeministrit Rama.

    Pra, për Berishën, “superfuqia e lirisë…” merr vendime kundër tij dhe në favor të Ramës dhe sillet si një vend që nuk është themeluar nga parimet që përmendëm më sipër.

    Falsiteti është vërtet në kufijtë e së pamendushmes. Sigurisht edhe Rama e Berisha (edhe shumë e shumë politikanë të tjerë që ngelën duke bërë shkrime pro Amerikës për t’i pëlqyer asaj) problemin themelor kanë se nuk i mendojnë lirinë dhe të drejtat si diçka që Zoti i ka zbritur për njerëzit dhe asnjë pushtet tokësor nuk mund t’i prekë. Për Ramën dhe Berishën këto liri dhe të drejta mund të rrëzohen, madje vetëm objekt rrëzimi dhe ngritjeje, prek pushtetin tokësor.

    Vlerat amerikane janë të fuqishme dhe të mrekullueshme sepse i kanë mbijetuar çdolloj sprove dhe lloj kërcënimi kudo dhe në çdo kohë dhe sigurisht që u mbijetojnë edhe falsiteteve si ky i politikanëve tanë. Falsiteti mund të ketë vlerë për një moment, por në kohë të gjatë ai sjell vetëm zhgënjim dhe humbje. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Dekonstruktimi i miteve në marrëdhëniet Shqipëri-ShBA

    Lajmi i rradhës

    Spasovski bën thirrje për respektimin e detyrës së punonjësve policor

    Lajme tjera

    Ndarja e pashmangshme

    PREÇ ZOGAJ Përjashtimi i Sali Berishës dhe i grupit të ngushtë rreth tij nga Partia Demokratike kaloi nëpër…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë