Fitorja e Vuçiçit, si e Pirros

    DEMUSH SHASHA 

    Është vështirë të përshkruash se sa të çmendura ishin zgjedhjet në Serbi. Por ndoshta një episod i tyre më së miri pasqyron nivelin e çmendurisë së vjedhjes së Vuçiçit. Për të kuptuar çfarë ka ndodhur, imagjinoni sikur ditën e zgjedhjeve Albin Kurti hap një qendër ilegale të votimit, askund tjetër, pos në Pallatin e Rinisë.

    Pra, ndërtesën më të madhe të Kosovës. Kur arrijnë përfaqësuesit e KQZ-së për të parë këtë skandal me sytë e vet, atyre iu refuzohet hyrja nga sigurimi privat i Pallatit të Rinisë. Kur arrin policia edhe atyre iu refuzohet hyrja, por kësaj radhe nga vetë shefat e tyre. Rrjedhimisht, votimi ilegal në ndërtesën më të madhe ka vazhduar i pashqetësuar më tej. Pra, kjo është pa asnjë ekzagjerim se çfarë ka ndodhur këtë të diel në Beograd. Cirkus.

    Aq të panumërta dhe skandaloze ishin vjedhjet zgjedhore, saqë ato obliguan monitoruesit vendorë dhe ndërkombëtarë që të heqin kostumin e zakonshëm të përmbajtjes dhe korrektësisë diplomatike dhe t’i bien me gjithë zërin alarmit zgjedhor. Organizata prestigjioze vendore “CRTA” konkludoi se “Fushata zgjedhore, e cila i ka parapari ditës së zgjedhjeve është zhvilluar në një mjedis tejet të pabarabartë në favor të mazhorancës dhe është karakterizuar me keqpërdorim të institucioneve shtetërore të Serbisë si mjet i padrejtë i epërsisë politike dhe zhvillimit të fushatës negative kundër kundërshtarëve politikë – gjë që ka fshirë vijën ndarëse në mes shtetit dhe partisë politike”.

    Pra thënë ndryshe, këto zgjedhje janë zhvilluar në kushte diktature. Pra, nuk ekziston më asnjë ndarje në mes të një partie politike dhe vetë shtetit. Nga mediumet e deri tek institucionet e sigurisë – e gjithë aparatura shtetërore është vënë në shërbim partisë në pushtet. CRTA vazhdon duke evidentuar se në nivel të kryeqytetit “gjysma e listave zgjedhore në zgjedhjet e Beogradit kanë fituar të drejtën zgjedhore në mënyrë të kundërligjshme, gjë që në vetvete përfaqëson rastin më masiv të falsifikimit të nënshkrimeve për kandidim zgjedhor në histori”.

    Në ditën e zgjedhjeve CRTA evidenton se “ka eskaluar dramatikisht keqpërdorimi i të drejtave zgjedhore, të ligjit dhe institucioneve shtetërore… Për shkak të llojit dhe nivelit të keqpërdorimeve zgjedhore në Beograd, kemi arritur në përfundim se rezultati i zgjedhjeve të Beogradit nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve”.

    Këtij konkluzioni i është bashkangjitur edhe komuniteti ndërkombëtar. Shefi i misionit vëzhgues të Këshillit të Evropës, z. Stefan Schennach, tha: “Këto nuk ishin zgjedhjet e drejta. Ato ishin të padrejta. Nëse më pyesni si politikan, mendoj se fitorja e opozitës është vjedhur ne Beograd”.

    Është thënie e vjetër dhe universale se çdo ngritje ka një rënie. Politika nuk është përjashtim. Në fjalët e ishkryeministres së Izraelit, znj. Golda Meir: “Në politikë gjëja e vetme e garantuar është humbja”. Pas arritjeve të jashtëzakonshme, sfida e çdo lideri politik është të menaxhojë rënien e paevitueshme. Dhe sa më e lartë ngritja, aq më sfidues është menaxhimi i rënies. Kësisoj, sot Vuçiçi është përballë sfidës së menaxhimit të rënies së pushtetit të tij. Ai sot qëndron në udhëkryq: a do të menaxhojë rënien e tij në mënyrë paqësore apo të dhunshme? Në këto 48 orë të fundit zyrtarët e lartë të partisë së tij (kryeministrja Bërnabiç, kryetari i Beogradit, Šapiq, etj.) kanë thënë në sinkron se: “Nuk do të lejojmë Meidanin Ukrainas në Serbi”.

    Ndërsa, vetë Vuçiçi ka thënë se në Serbi do të këtë “paqe, rend dhe ligj”, ndërsa ndërkohë ka mobilizuar njësitë e veçanta ushtarake dhe policore për të qëndruar në gatishmëri. Këto lëvizje nuk janë ogur i mirë për të ardhmen. Se çfarë do të ndodhë tani, vetëm koha do të tregojë, por dy gjëra janë ravijëzuar deri më tani.

    E para, nga sot Vuçiçi vepron nga pozita e dobësisë. Këto zgjedhje kanë prodhuar një realitet të ri për Vuçiçin. Ai është sot më i dobët se para tyre. Ai i ka fituar zgjedhjet, por e ka humbur legjitimitetin.

    E dyta, këto zgjedhjet treguan se kultura dhe standardi demokratik i Kosovës është i paarritshëm për Serbinë e Vuçiçit. Përderisa demokracia e Kosovës shkëlqen si storie e suksesit demokratik, e cila në mënyrë qytetare siguron tranzicion demokratik në të gjitha nivelet e pushtetit, në Serbi Vuçiçi ka shndërruar vendin në delen e zezë të kontinentit evropian. Dhe në fund askush nuk duhet të ketë iluzionin se Vuçiç do të largohet lehtësisht. Në kuptimin e brendshëm, opozita ngelet jo ideale, ndërsa Vuçiçi vazhdon të jetë faktor dominues politik.

    Po ashtu ai ka filluar proceset e ndjeshme politike që kanë interesa kolosale financiare, siç janë zgjerimi i projektit “Beogradi Mbi Ujë” dhe investimet masive të EXPO-së 2027, për të cilat këtë muaj ai ka miratuar një ligj të veçantë për të përjashtuar EXPO 2027 nga Ligji i prokurimit publik. Me fjalë të tjera, Vuçiçi do t’ia dhurojë mbi 1 miliard euro kujt të dojë ai personalisht. Nga kjo Vuçiç nuk do të heqë dorë lehtësisht.

    Ndërsa në kuptimin e jashtëm, situata e krijuar ironikisht më së shumti i përshtatet komunitetit ndërkombëtar. Nga pozita e dobësisë, Vuçiçi asnjëherë nuk ka qenë më i shantazhueshëm. Kjo është pikërisht ku e kanë dashur. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    BE-ja miraton ndihmë prej 118 milionë eurosh për Autoritetin Palestinez

    Lajmi i rradhës

    Rezultatet e autopsisë së Vanjës dhe Pançe Zhezhovskit dërgohen në Prokurori

    Lajme tjera

    Bedria dhe Kurbeti

    Monika Stafa Kur sapo kishte hapur një faqe të saj në rrjetet sociale, ndoshta për të shtyrë kohën…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë