Foltorja apo rithemelimi i PD si revolucion paqësor

    FITIM ZEKTHI

    Tri janë konceptet bazë që përpiqen të përkufizojnë ndryshimin. Tradita, progresi dhe utopia. E djathta, konservatorët, e kanë kuptuar ndryshimin si diçka që ka në zemër të tij traditën, dijen e akumuluar prej saj, normat, vlerat, sistemet dhe institucionet që ajo ka krijuar. Për ta, përderisa dija, norma, sistemi, morali, institucioni ka mbijetuar në shekuj, atëherë ai ka në vetvete të mirën dhe të drejtën sepse ai është provuar si i tillë për një kohë shumë të gjatë.

    Në lidhje me traditën janë vënë re tri këndvështrime. Njëri që thotë se ajo duhet ruajtur me fanatizëm, se ndryshimi është problematik, se e panjohura është më e rrezikshme se e njohura. Ky lloj këndvështrimi në njëfarë mënyre nuk pranon ndryshimin. Këndi i dytë është ai që ka të bëjë me idenë e rikthimit në një “periudhë të lavdishme”. Për shembull, mund të kërkohet rikthimi i “Romës” siç donte Musolini, rikthimi i Rajhut siç donte Hitleri, rikthime në kohëra të lavdishme perandorish apo rikthime në periudha kur kanë jetuar figura të mëdha. Kjo e dyta është shumë e rrezikshme dhe në thelb nuk ka të bëjë fare me tradicionalizmin sepse ata nuk mbrojnë vlerat dhe normat që janë trashëguar në kohë, por thjesht duan të shkojnë në një pikë të dikurshme. Këndi i tretë është i konservatorizmit që e pranon ndryshimin, madje e bën atë. Ky kënd thotë se ne ndryshojmë për të ruajtur esencën e vlerave, për të ruajtur patriotizmin, familjen, fenë, moralin, bashkëjetesën etj. Edmund Burke thoshte se duhet të ndryshojmë për të ruajtur. Shembujt janë pa fund si p.sh., rasti i Anglisë, e cila ka ndryshuar vazhdimisht, por duke ruajtur vlerat e sistemit të saj politik. Po kështu, është qëndrimi konservator për pronën apo për taksat, është qëndrimi për rolin e shtetit për patriotizmin, i cili ka ndryshuar, por pa humbur esencën. Konservatorët gjithnjë kanë ndjekur këtë kënd të tradicionalizmit dhe i kanë ndryshuar gjërat nisur nga ky kënd. Ndryshimi shihet edhe nga këndi i progresit. Ky është këndi, nga i cili e sheh e majta, komunistët, liberalët e majtë etj. Progresi thotë se çdo pikë e avancuar në kohë në histori, është një pikë e avancuar edhe në vlerat materiale, politike, madje edhe morale. Progresi thotë se ecja përpara është e pashmangshme, se metoda shkencore dhe shkenca na japin dije të mjaftueshme që njeriu të jetë zot i fatit të tij dhe ta bëjë shoqërinë siç ai do. Progresi e konsideron traditën, fenë, besimin si pengesë themelore. Për progresin fundi është një shoqëri perfekte.

    Ndryshimi sipas progresistëve mund të vijë nga reforma ose nga revolucioni. Ata që besojnë te reforma janë të majtët e moderuar, socialdemokratët ose liberalët. Komunistët, radikalët, e konsiderojnë reformën mjet të borgjezisë apo të elitës që sundon. Për ta vetëm revolucioni është zgjidhja. Roza Luksemburg, p.sh., thoshte se “reforma ka për qëllim mos lejojë revolucionin të ndodhë”. Për të reforma ishte një “demokraci e borgjezisë”. Lenini ishte edhe më i egër. Ai thoshte se reforma është instrument për të caktuar se cili anëtar i elitës do të shtypë njerëzit.

    Për utopinë nuk ka kuptim të flasim se ajo është një koncept që lidhet krejtësisht me idetë, që çojën doemos në totalitarizëm dhe kanë në qendër revolucionin.

    Pra, revolucioni është një gjë që i përket vetëm ekstremeve të së majtës komuniste dhe për këtë nuk ka dyshim. E djathta, konservatorja, e ka luftuar në mos urryer që në krye të herës idenë e revolucionit. Në Shqipëri, ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka mbi pesë muaj që ka nisur një lëvizje që e quan konservatore dhe për të cilën thotë njëkohësisht se ajo është një revolucion paqësor që do të përmbysë drejtimin e keq të PD-së dhe do të ndërtojë një parti demokratike “më të hapur, më fortë dhe më të lirë”. Është e qartë se ajo lëvizje nuk ka asnjë lidhje me idenë e djathtë dhe konservatore pasi siç e pamë revolucioni nuk ka të bëjë asfare me konservatorët. Gjithsesi, z. Berisha flet për një revolucion paqësor, çka do të thotë se kemi të bëjmë me diçka që tenton t’i largohet formës komuniste të revolucionit, përmbysjes së dhunshme, shkatërrimit të rendit dhe zaptimit me forcë të institucioneve etj. Le të shohim se ç’është në të vërtetë ky “revolucion paqësor”. Bota ka njohur disa lëvizje të fuqishme paqësore (mund të quhen revolucione) që kanë kundërshtuar qeveri, institucione apo sisteme politike të këqija, shtypëse deri edhe perverse. Ato kanë ndjekur të gjitha një parim: rezistencën paqësore. Më e famshmja është ajo e Mahatma Gandit për Pavarësinë e Indisë. Filozofia e tij ka frymëzuar edhe lëvizjet e tjera si ajo Martin Luter King-ut në SHBA apo Nelson Mandelës në Afrikën e Jugut. Çfarë ishte në thelb filozofia e tyre dhe është Foltorja bartëse ndopak e një filozofie të tillë? Lëvizja gandiste kishte për filozofi udhëheqëse Satyagraha-n. Satyagraha është një fjalë me origjinë sanskrite, që përbëhet nga satya dhe graha. Satya do të thotë e vërtetë dhe graha do të thotë qëndroj fort, këmbëngul fort me edukatë. Satya rrjedh nga fjala sat që do të thotë qenie. Kuptimi i saktë është se asgjë nuk ekziston veç të vërtetës. Në plotninë e vet, satyagraha e kupton të vërtetën si diçka që përfshin 1) të vërtetën në të folur si diçka që i kundërvihet falsitetit 2) atë që është reale si diçka që i kundërvihet asaj që nuk ekziston dhe 3) të mirën si diçka që i kundërvihet të keqes. Për filozofinë e revolucionit paqësor, bota qëndron mbi shkëmbin e së vërtetës apo të satya-s, ndërsa asatya, pra, e pavërteta, është diçka që nuk ekziston. Në qoftë se e pavërteta nuk ekziston, atëherë fitorja e saj nuk mund të ndodhë dhe e vërteta nuk mund të shkatërrohet. Kjo është doktrina e lëvizjes paqësore.

    Nisur nga kjo filozofi, Gandi nisi lëvizjen paqësorë për pavarësi të Indisë. Fillimisht, ai u nis në një marshim prej rreth 380 kilometrash me 78 ndjekës drejt detit. Kjo bëhej për të kundërshtuar taksën e anglezëve mbi kripën. Rrugës iu bashkuan shumë njerëz. Kur arritën në det, ata bënë kripë duke avulluar ujin. Marshimi u bë aq i fuqishëm sa anglezët ndërhynë dhunshëm. U burgosën 60 mijë indianë pa asnjë rezistencë. U burgos edhe Gandi. U lirua pas një viti. Lëvizja vazhdoi gjatë derisa India u bë e pavarur. Lëvizja duke besuar me forcë tek satyagraha, tek e vërteta, që është forma e vetme e ekzistencës dhe forma që nuk shkatërrohet, nuk bëri asnjë akt, sado të vogël dhune. Ndjekësit e Gandit u rrahën, u sulmuan me armë, u vranë, por kurrë nuk rrokën hunj apo leva, kurrë nuk sulmuan një godinë. Numri i mbështetësve të lëvizjes u bë miliona e miliona shumë shpejt sepse të gjithë e dinin që filozofia e satyagraha-s udhëhiqte lëvizjen. Lëvizjen nuk e udhëhiqte dëshira e Gandit për pushtet, as interesi i ndonjë drejtuesi, as epshi për famë apo për pasuri. Të gjithë e brendësuan satyagraha-n, sepse atë e kish brendësuar dhe po e jetonte i pari Gandi. Lëvizje si kjo, lëvizje që e lidhin të vërtetën vetëm me të folurën e vërtetë, vetëm duke besuar tek ajo që është reale dhe jo tek ajo që është imagjinatë, lëvizje që bëjnë bashkë të mirën me të vërtetën kundër së keqes, siç e bën satyagraha, nuk humbin kurrë. Nuk ekzistojë pushtete as anglezësh dhe as çdolloj kolonizatori apo shtypësi që t’u rezistojë. Kur lëvizja humb, do të thotë se ajo nuk ka asnjë lidhje me bartjen dhe brendësimin e së vërtetës siç bënë gandistët me satyagraha-n. Këtu e kuptojmë qartë dallimin e madh të Foltores me revolucionin paqësor.

    Një tjetër lëvizje e jashtëzakonshme është ajo Martin Luter King-ut në SHBA. Pa u zgjatur, po themi se kulmi i kësaj lëvizjeje është ajo që ndodhi në Selma dhe Birmingam dy qytete në Alabama të SHBA-së. Qyteti i Selma-s në vitet 1960 kishte gati gjysmën e popullsisë me ngjyrë. Shteti i Alabama-s kishte bërë ligje zgjedhore të tilla që kërkonin që të paguhej një taksë për t’u regjistruar dhe duhet të kalohej një test për të lexuar. Si pasojë e këtyre kufizimeve, vetëm 1% e zgjedhësve të regjistruar ishin me ngjyrë. Pra, diskriminimi me anë të ligjit ishte i tmerrshëm pa llogaritur segregacionin. Martin Luther King, James Bevel dhe udhëheqës të tjerë vendosën të nisin një lëvizje paqësore. Ngjarjet u bënë më të rënda nga vrasja e aktivistit Jamie Lee Jackson nga policë të bardhë. U vendos që do të bëhej një marshim nga Selma në Montgomery që ishte kryeqyteti i shtetit. Montgomery ishte rreth 85 km larg. Guvernatori dhe Policia thanë se nuk do ta lejonin marshimin. Dhjetëra dhe qindra burra dhe gra, pleq dhe fëmijë me ngjyrë nisën marshimin historik. Sapo u kalua ura që shënonte kufirin e Selmas, Policia ndërhyri dhunshëm. Rrahu brutalisht, hodhi gaz, theu kocka dhe gjakosi dhjetëra marshues. Asnjë reagim nga marshuesit. Një i ri me ngjyrë i llahtarisur nga dhuna kish gjetur një revolver në mbrëmje dhe tha se do të vriste të paktën një polic të bardhë. Martin Luther King e kapi dhe i tha se “ne këtë luftë nuk do ta fitojmë me armë, por me zemër, me paqe, me qëndresë”. Martin Luther King iu bëri thirrje të bardhëve, kristianëve, myslimanëve, hebrenjve dhe çdo amerikani të vinte në Selma, sepse nesër do të niste përsëri marshimi drejt Montgomery-t. Erdhën mijëra njerëz. Filloi përsëri marshimi. Tek ura në kufi, Policia që kishte bllokuar rrugën u hap, u largua. Martin Luther King u ul në gjunjë. Pas tij u ulën të gjithë. Pas pak çastesh, ai u ngrit dhe u kthye mbrapsht në heshtje. Turma e ndoqi, e mërzitur, e dëshpëruar për tërheqjen në një kohë që policia u largua. Dikush tha se kur u ul atij Zoti i tha diçka që të tërhiqej. Dikush tha se ai kishte frikë se mos policia bëri kurth. Në mbrëmje, kur njerëzit, marshuesit ishin shumë të mërzitur me tërheqjen, ai tha: “Më mirë të zemërohen me mua, më mirë të më shajnë mua sesa të rrihen dhe vriten nga Policia”. Dy ditë më vonë rinisi marshimi i madh. Presidenti i SHBA, Lindon Johnson, dërgoi gardën kombëtare të ruante marshimin. Ushtarë dhe helikopterë nuk e lejuan Policinë e Alabama-s të bëjë asgjë. Pas disa ditësh udhëtimi në këmbë një karvan i jashtëzakonshëm, madhështor, një karvan paqeje, një karvan me njerëz që ecnin në këmbë dhe flinin jashtë, të lodhur dhe uritur arriti në Montgomery para zyrës së guvernatorit. Fjalimi i Martin Luther King u dha live në gjithë SHBA. Ai foli për njerëz që jetojnë bashkë në paqe dhe për një Zot që i sheh të gjithë dhe i do të gjithë në paqe. Lëvizja fitoi popullin amerikan. Asaj iu desh të kalojë edhe shumë vështirësi të tjera por fitoi. U deshëm edhe shumë vuajtje por fitorja ishte madhështore. Foltorja dhe ajo që bëri dhe po bën z. Berisha nuk ka asnjë lidhje me revoluciononin paqësor, me kauzën e drejtë dhe me mbrojtjen e të vërtetës. Foltorja vetëm shan dhe akuzon, vetëm ndan, vetëm prodhon konflikt. Foltorja është gjëja më e kundërt me një revolucion paqësor në çdo aspekt. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Xhaferi: Lëvizja Besa është në opozitë, prandaj Fadil Zendeli duhet të largohet nga KZEK

    Lajmi i rradhës

    Katër llojet e bullizmit që duhet të njohë çdo prind

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë