Fushatë me filtra, fjalor pa filtra

    Elmedina Shafi Berzat, komunikologe

    Elmedina Shafi Berzat
    Komunikologe

    Kandidatët për kryetarë komunash në Maqedoninë e Veriut, sidomos ata nga partitë politike shqiptare, këtë herë e shndërruan skenën e komunikimit publik në një hapësirë të mbushur me fjalor ofendues, nënçmues dhe me shumë toksicitet.

    Shumica e tyre, kur iu drejtoheshin kundërkandidatëve, përdornin terma që qëndrojnë larg qytetarisë dhe komunikimit politik profesional. Hapësira publike u mbush me fjalë që shpesh nuk gjenden as në shqipen standarde – si “rezila”, “hajna” e të ngjashme.

    Ndërsa tubimet drejtpërdrejtë karakterizoheshin nga ky dimension, postimet në rrjetet sociale kishin një format tjetër: tekste të gjata, me shumë emoji, të ftohta dhe të dukshme si profesionale, por qartazi të shkruara përmes inteligjencës artificiale. Natyrisht, të shoqëruara me foto të kuruara në detaj.

    Ajo që binte në sy ishte kontrasti midis shqipes së pastër në postimet online dhe fjalorit të varfër verbal të kandidatëve.

    Një dukuri interesante ndodhi në Gostivar, ku një kandidat i pavarur zgjodhi një qasje “moderne”: përdorimin e TikTok-ut dhe platformave të tjera përmes videove të shkurtra, satirike, por me mesazh politik. Një format i tillë po përdoret edhe nga një kandidat për kryetar të Prishtinës, dhe shpesh vjen nga persona me prapavijë në organizata joqeveritare ose ndërkombëtare.

    Vlen dhe AKI komunikuan drejtpërdrejt, sulmuan hapur dhe vetëm disa individë sollën ndonjë dallim në stilin personal të komunikimit publik.

    Nga ana tjetër, rrjetet sociale u përdorën masivisht. Faqet me “meme” patën ndikim të madh në formësimin e opinionit publik: ato që mbështesnin pushtetin flisnin për “asfalt”, ndërsa ato të opozitës për “marrëveshje anti-shqiptare”. Kjo, natyrisht, si përgjithësim pas një kërkimi sasior në rrjete.

    Gratë ishin në plan të dytë ,të pranishme në foto, por më rrallë në foltore. Energjia femërore që do të duhej t’i jepte elegancë komunikimit publik, nuk ishte në nivelin e duhur.

    Në përgjithësi, kjo fushatë duhet të na shërbejë si rikujtim për rëndësinë e përdorimit të gjuhës standarde shqipe, për muzikalitetin e saj dhe bukurinë që përcjell kur flitet – përveçse kur shkruhet bukur nga platformat e inteligjencës artificiale.

    Në fund të ditës, nuk ka asgjë të keqe në përdorimin e inteligjencës artificiale si formë asistimi për ide dhe koncepte origjinale – për sa kohë ajo përdoret brenda kufijve etikë dhe me qëllime reale. /Nistori/

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Për filozofin që na mësoi të mendojmë rrezikshëm

    Lajmi i rradhës

    Deputetët paguhen mbi një milion euro për “zero punë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë